Nga Roland Lami
Në fillim, SPAK ishte ëndrra e madhe kombëtare.Një popull i zhgënjyer që s’besonte më as në Zot, besoi te prokurorët e rinj, te struktura SPAK. U ngrit miti i “dritës në fund të tunelit”, si një lloj Shën Gjon i Reformës në Drejtësi që do shpagonte të gjitha mëkatet politike të tranzicionit madje madje do bënte edhe qarkullimin e elitave që kanë dakada që nuk shqiten sistemit.
Por si çdo mit shqiptar, edhe ky u konsumua shpejt sepse realiteti u kthye më i fortë se propaganda, procedura më e fortë se vullneti dhe kordinimi me strukturat e tjera ligjzbatuese më e fortë se vet SPAK. Tani drita në fund të tunelit është thjesht një prokuror që fillon një proces hetimor.
Sigurisht që SPAK ka qenë rezultativ në luftën ndaj krimit të organizuar. Me ndihmën e FBI-së, Europol-it, DEA-s dhe një grushti ndërkombëtarësh të duruar, ka arritur rezultate konkrete, arrestime, sekuestrime, dënime. Mirëpo, bandat janë më të lehta nuk kanë imunitet, nuk kanë pushtet, nuk japin deklarata për shtyp. Kur ligji përballet me armët, fiton por kur përballet me zyrtarë që fshihen pas ligjit, aty drejtësia fillon të belbëzojë.
Aty ku shpresa ishte shumë e madhe SPAK ka mbetur pa aleatë. Strukturat ndihmëse lokale auditimet, kontrolli i lartë, agjencitë “anti-korrupsion” flenë gjume të thellë. Këtu nuk ka Europol që të sjellë prova, as FBI që të përgjojë ministrin. Këtu drejtësia duhet të hetojë vetveten, në një sistem që e ushqen me paga, por e ngufat me frikë. Dhe çdo prokuror që guxon të prekë “të mëdhenjtë”, e kupton shpejt se pushteti në Shqipëri nuk fshihet në bodrume, por në tendera. Ndërkohë, Brukseli kërkon bilance, jo drejtësi. Në çdo raport vjetar duhen shifra, jo dosje të mbyllura. Publiku gjithashtu kërkon gijotinë morale. Duan të shohin “dikë” që bie, jo të dëgjojnë për “hetim në proces.” Dhe SPAK, i futur mes presionit të burokratëve të ftohtë të BE dhe USA dhe zemërimit të turmës, ka mbetur sanduiçi perfekt i një strukture që nuk di çfarë do – drejtësi apo spektakël.
Në këtë filemë rezultati është i njohur tashmë, hetime që zgjasin më shumë se mandatet e qeverive, paraburgime që duken si dënime paraprake, dhe dosje që hapen me daulle e mbyllen me arkiv.
Shpejt edhe drejtësia e re mësoi të ecë si burokrat, ngadalë, me kujdes, me frikë se mos shqetëson të korruptuarit që i paguajnë rrogën. Dhe kur populli sheh që pas kaq vitesh “reforme historike” ende nuk është dënuar askush me peshë, fillon të mendojë se ndoshta problemi nuk është më mungesa e drejtësisë, por tepria e pritjes.
Nga 70% mbështetje publike, SPAK ka rënë sot referuar ABC News në më pak se 50%.Jo sepse njerëzit janë bërë më të padrejtë, por sepse janë bërë më realistë. Tani ata e dinë që drejtësia nuk është më një shpëtimtar, por një zyrtar me afat hetimi.
Në fund të fundit, SPAK nuk është më as hero, as fajtor është pasqyra më e kthjellët e shoqërisë që e krijoi. Një vend që kërkon drejtësi vetëm për të tjerët, jo për veten, s’mund të prodhojë dot më shumë se një drejtësi të kujdesshme, të lodhur dhe proceduralisht të ndershme. SPAK nuk përkëdhel sistemin nga dashuria, por nga varësia sepse çdo institucion që varet nga një pushtet të kalbur, përfundon duke marrë erën e tij. Dhe derisa të ndryshojë ajri, drejtësia do të vazhdojë të marrë frymë me maskë duke trembur bandat, por duke mos guxuar të prekë frymëmarrjen e vetë sistemit.