Skënderbeu në volejboll për femra fiton me Partizanin edhe ndeshjen e dytë të gjysëm finales së ligës Gjergj Kastrioti duke prekur kështu finalen e Prishtinës për këtë ligë.
Ashtu si ndeshja e pak ditëve më parë në kryeqytet edhe kjo e Korçës ka patur rivalitet deri ne pikët e fundit por pikërisht këtu korçarët e rrjetës kanë rezultuar më të sakta në lojë, duke fituar setin e parë 25- 21 ndërkohë që dy setet e tjeta i kanë fituar me të njëjtin rezultat 25-19 dhe krejt takimin 3- 0.
Për trajnerin Orlando Koja të dy këto ndeshje kanë treguar një rritje në lojën e ekipit të Skënderbeut, në veçanti në linjën e organizimit. Skënderbeu për Kojën edhe këtë sezon është skuadra e ndërtuar për të fituar të gjitha trofetë. Dy fitoret me Partizanin janë kërcënim për lojtaret kryeqytetase edhe për titullin kampion.
Kalimi në finale të ligës Gjergj Kastrioti për kapitenen Paola Gjata është treguesi më i mirë i ndërtimit të një skuadre pretendente për fitimin së pari të ligës Gjergj Kastrioti e më pas të Kupës së Shqipërisë e titullit Kampion.
Ndeshja finale Skënderbeu i Korçës me Skënderaj të Kosovës luhet në Pallatin e Sportit të Prishtinës në datën 1 mars. Takim ky që pritet me mjaft interes nga tifozeria kosovare e jo vetëm.
