15.5 C
Tirana
25 / 11 / 2025

Shqipëria, përfituesja kryesore e fondeve nga Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor

Pas hapjes së të gjithë kapitujve të negociatave në kohë rekord, Shqipëria po forcon më tej pozicionin e saj si një nga vendet më të suksesshme në procesin e integrimit europian. Besimi i partnerëve të Bashkimit Europian reflektohet qartë jo vetëm në vlerësimet politike, por edhe në faktin se Shqipëria ka përfituar më shumë fonde se çdo vend tjetër i rajonit nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Sipas shpërndarjes së deritanishme të fondeve, Shqipëria ka siguruar 164 milionë euro, duke u renditur e para ndër vendet e rajonit. Pas saj vijon Serbia me 111 milionë euro, Maqedonia e Veriut me 76 milionë euro dhe Mali i Zi me 45 milionë euro.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, një instrument strategjik i Bashkimit Europian, synon të mbështesë transformimin ekonomik, zhvillimin social dhe përmirësimin e infrastrukturës në vendet kandidate, duke i përafruar ato me standardet e vendeve anëtare. Rezultatet e dy viteve të para tregojnë se mekanizmi po jep ndikim konkret dhe të prekshëm në ekonomi.

Të premten u zhvillua Samiti rajonal i liderëve “Growth Plan – Our Pathway to the EU”, gjatë të cilit Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, theksoi se aktualisht është disbursuar më pak se 10% e shumës së përgjithshme të fondeve të parashikuara për Ballkanin Perëndimor, duke nënvizuar nevojën për të përshpejtuar zbatimin e reformave dhe projekteve që mundësojnë çlirimin e plotë të fondeve.

Në po të njëjtin samit, Kryeministri Edi Rama u shpreh se Ballkani Perëndimor ka zgjedhur të ecë përpara në mënyrë të bashkuar, duke e konsideruar Planin e Rritjes si udhërrëfyesin më të rëndësishëm në rrugën drejt integrimit europian, lirive dhe mundësive të tregut të përbashkët të BE-së.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x