Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar në parim për paketën e re të sanksioneve ndaj Rusisë, e cila përfshin edhe ndalimin e importit të disa prodhimeve të këtij shteti dhe vendosjen e një çmimi tavan për naftën e papërpunuar ruse që transportohet në vendet e treta.
Risi në paketën e re është se edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk do të lejohen të importojnë naftë të papërpunuar ruse.
Në BE thanë se në muajin dhjetor do të ndalohet në tërësi importi i naftës së papërpunuar nga Rusia, që transportohet përmes detit.
Në kuadër të sanksioneve të reja është edhe ndalimi i dhënies së shërbimeve nga ekspertët e BE-së për Qeverinë ruse apo ndërmarrjet ruse.
Më herët gjatë javës së kaluar, në propozimin për të cilin diskutuan përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së ishte edhe pika ku thuhej se “duhet parashikuar që, për shkak të sigurisë energjetike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, të mundësohet transiti i naftës së papërpunuar ruse përmes territorit të Kroacisë për në Ballkanin Perëndimor, me kusht që sasitë të jenë të ngjashme me ato që ishin para krizës energjetike”.
Por, burimet diplomatike në Bruksel thanë se kjo pikë tashmë është hequr për shkak të Serbisë e cila është importuesja më e madhe e naftës së papërpunuar ruse. Serbia e merr naftën ruse nga naftësjellësi JNAF, që gjendet në bregdetin kroat