9.5 C
Tirana
05 / 01 / 2025

Rusia rrëzon planin e Zelensky-t për paqe: U krijua në zyrat e Perëndimit

Rusia hodhi poshtë të planin e paqes të përgatitur nga Volodymyr Zelensky me arsyetimin se është krijuar në zyrat e Perëndimit dhe se në vetvete nuk ka si qëllim dhënien fund të luftës.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, u tha gazetarëve se plani dukej si një lojë egoiste nga lideri ukrainas, të cilin Moska e akuzon se po përpiqet të tërheqë Perëndimin në një luftë të plotë kundër Rusisë.

Ajo përsëriti pikëpamjen e Moskës se Perëndimi duhet të ndalojë financimin dhe furnizimin me armë për Kievin dhe tha se çdo iniciativë që supozohet se synon arritjen e një zgjidhjeje paqësore që nuk përfshin Rusinë është e pakuptimtë.

“Sapo ata të ndalojnë furnizimin me armë për regjimin e Kievit dhe të sponsorizojnë aktivitetet terroriste, atëherë kjo mund të perceptohet si një sinjal për zgjidhje politike dhe diplomatike. Gjithçka tjetër është ose forcimi i lidhjeve anti-ruse me Perëndimin, ose një përpjekje për të tërhequr anëtarë të tjerë të komunitetit ndërkombëtar në skemat e tyre të pamatura, ose elementë të programit aktual elektoral të Shtëpisë së Bardhë”, tha Maria Zakharova, zëdhënëse e ministrisë së Jashtme të Rusisë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova tha veçmas se dhënia e kartës së bardhë për Kievin për të kryer sulme me rreze të gjatë thellë brenda Rusisë do të ndryshonte natyrën e konfliktit në Ukrainë.

“Dëshirojmë t’i kujtojmë skifterët në të dy anët e Atlantikut… Ata po luajnë me zjarrin dhe kanë humbur të gjithë ndjenjën e realitetit. Shkalla e konfliktit që filloi për shkak të Perëndimit rrezikon të bëhet krejtësisht e ndryshme, gjë që mund të sjellë pasoja të rrezikshme për të gjithë botën”.

Sakaq, zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov theksoi se, Shtetet e Bashkuara duhet të marrin parasysh paralajmërimet e Moskës për rreziqet e përshkallëzimit të mëtejshëm rreth konfliktit në Ukrainë.

Duke komentuar mundësinë e një takimi midis Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe Sekretarit të Shtetit të SHBA Antony Blinken në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ai tha se nuk do të ketë asnjë takim pasi palët nuk kanë “asgjë për të biseduar”.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x