Nga Stephen Holmes, Project Syndicate
SHBA-ja sheh regjime që mund t’i godasë dhe arrin në përfundimin se goditja e tyre i zgjidh rreziqet që ato paraqesin. Por eliminimi i një kundërshtari të dukshëm nuk e neutralizon kërcënimin themelor; ai thjesht e shndërron atë kërcënim në diçka të decentralizuar, të papërgjegjshme dhe të pamundur për të negociuar me të apo për ta monitoruar.
BERLIN – Kritikët e sulmit të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit theksojnë se presidenti amerikan Donald Trump nuk ka asnjë plan për atë që duhet të vijë më pas. Dhe nuk e kanë gabim: kur Trump mburret se mund t’i zgjidhë luftërat brenda një dite, ai thjesht zbulon kufijtë e vëmendjes së tij. Megjithatë, problemi i vërtetë nuk është horizonti i shkurtër kohor i Trump-it, por ngushtësia me të cilën ai percepton rrezikun.
Edhe pse fushata e bombardimeve e Trump-it nuk pasqyron ndonjë strategji në kuptimin tradicional, ajo bazohet gjithsesi në një supozim të qartë operacional: regjimi iranian përbën një kërcënim për sigurinë e SHBA-së dhe shkatërrimi i regjimit do ta eleminonte këtë kërcënim. Është i njëjti besim themelor që ka nxitur luftërat e mëparshme të zgjedhura nga Amerika, nga Iraku te Libia. Supozimi ishte i gabuar atëherë dhe ka gjasa të rezultojë katastrofikisht i gabuar edhe tani.
SHBA-ja zotëron një kapacitet të jashtëzakonshëm për të shkatërruar nga ajri çdo pushtet të centralizuar, por nuk ka kapacitete të ngjashme për të manaxhuar atë që vjen më pas. Meqenëse vakuumet e pushtetit nuk mund të shenjtestrohen përmes armëve me precision të lartë dhe as të gjurmohen nëpërmjet imazheve satelitore, mendimi strategjik amerikan e nënvlerëson sistematikisht rrezikun që ato paraqesin.
Kjo pasqyron gjithashtu një paragjykim të përsëritur nga ana e SHBA, sipas të cilit kërcënimet që nuk mund të adresohen ushtarakisht, konsiderohen më pak të rëndësishme se sa ato që mund të adresohen ushtarakisht. Por rreziqet më të rënda dhe më afatgjata shpesh lindin pasi kontrolli i centralizuar shembet, pikërisht kur arsenalet e armëve shpërndahen, zinxhirët e ruajtjes shpërbëhen dhe nuk ka më llogaridhënie.
Lufta në Irak duhej ta kishte bërë diçka të të tillë. Në vitin 2003, SHBA-ja shkatërroi shtetin irakian me premisën se regjimi i Saddam Husseinit përbënte një rrezik të drejtpërdrejtë dhe akut për sigurinë amerikane. Megjithatë, pas rënies së regjimit nuk pati siguria, por kaos. Qindra depo armësh u plaçkitën brenda pak ditësh. Tregjet e zeza u mbushën me armatime të lehta, granatahedhës (RPG) dhe predha mortajash, të cilat përfunduan në duart e aktorëve shumë më pak të parashikueshëm dhe më pak të kërcënueshëm sesa regjimi i Saddam-it.
Mes tyre ishte edhe Shteti Islamik, që u ngrit nga rrënojat e institucioneve të shpërbëra të Irakut. Kur pushtoi Mosulin në vitin 2014, ISIS mori sasi të mëdha armësh amerikane nga bazat e ushtrisë irakiane – një valë e dytë përhapjeje që rridhte nga akti fillestar i shkatërrimit të shtetit. Modeli ishte strukturor, jo rastësor.
Libia duhej ta kishte përforcuar këtë mësim. Pasi NATO ndihmoi në rrëzimin e Muammar el-Qaddafi në vitin 2011, institucionet shtetërore u shembën me shpejtësi dhe rreth 3,000–12,000 raketa portative tokë-ajër (MANPADS), të afta për të rrëzuar avionë civilë, u zhdukën, për t’u rishfaqur më pas në tregjet e armëve në Sahel, Sinai, Gaza dhe më gjerë.
Këto episode konfirmojnë atë që që është treguar nga çdo studim sistematik mbi “prerjen e kokës” së udhëheqjes në regjime me institucione të dobëta: ajo çfarë vjen më pas është fragmentimi, jo stabiliteti. E njëjta gjë do të vlejë edhe për Iranin. Por ajo që mund të përhapet pas rënies së regjimit në Iran mund të jetë shumë më e rrezikshme se sa RPG-të apo MANPADS.
Para sulmeve të koordinuara SHBA-Izrael qershorin e kaluar, Republika Islamike zotëronte rreth 441 kilogramë uranium të pasuruar në 60%, vetëm një hap teknik larg nivelit të armëve bërthamore. Sipas ekspertëve, një sasi e tillë mjafton për rreth dhjetë pajisje bërthamore. Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, inspektorët e së cilës nuk janë lejuar të hyjnë në vendet bërthamore iraniane që nga sulmet, ka deklaruar se nuk mund të llogarisë madhësinë aktuale apo vendndodhjen e rezervës së uraniumit të pasuruar. Disa analistë mendojnë se ai u varros në objektet nëntokësore të shembura; të tjerë besojnë se u zhvendos në vende të padeklaruara përpara bombardimeve. Të dyja vlerësimet bazohen në prova fragmentare – imazhe satelitore, inteligjencë sinjalizimi dhe deklarata zyrtare iraniane – të gjitha të cenueshme nga manipulimi. Por ato hedhin dyshime mbi pretendimin e administratës Trump për “zhdukje totale”.
Ironia strategjike në logjikën e shkatërrimit të regjimit është se objektet e dëmtuara, materiali bërthamor i shpërndarë dhe personeli i demoralizuar ose i zhdukur i ruajtjes janë pikërisht kushtet më të favorshme për devijim. Me fjalë të tjera, larg eliminimit të rrezikut të përhapjes, sulmet SHBA-Izrael e kanë thelluar atë.
Edhe nëse probabiliteti i devijimit mbetet i ulët, ai duhet trajtuar me seriozitetin maksimal. Ky është parimi themelor i sigurisë bërthamore: materiali fisil që nuk është nën kontroll të sigurt shtetëror duhet vlerësuar mbi bazën e skenarit më të keq të mundshëm, jo mbi gjasën mesatare. Kur rrjetet terroriste fituan akses në MANPADS, ishte një katastrofë. Nëse sigurojnë material bërthamor të përdorshëm për armë, vetë logjika e frenimit bërthamor do të thyhej.
Frenimi kërkon një adresë kthimi – edhe nëse ajo adresë është një shtet armiqësor. Edhe një shtet armiqësor ka një kryeqytet, një udhëheqje dhe një popullsi që dëshiron ta ruajë. Hiqi këto, dhe arkitektura që ka parandaluar përdorimin e armëve bërthamore që nga viti 1945 fillon të shembet. Nuk mund të negociosh masa sigurie me një vakuum. Nuk mund të nënshkruash marrëveshje me një territor të fragmentuar. Nuk mund të verifikosh pajtueshmëri nga një shtet që nuk ekziston më.
Shteti që aktualisht mban kujdestarinë mbi materialin bërthamor të Iranit – sado i papërsosur apo armiqësor – është e vetmja entitet me të cilin mund të arrihet një kufizim i zbatueshëm. Shkatërroje atë, dhe e bën zgjidhjen e kërcënimit bërthamor njëkohësisht më urgjente dhe praktikisht të pamundur.
Precedenti sovjetik është domethënës. Kur BRSS-ja u shpërbë në vitin 1991, degradimi i sistemeve të sigurisë i bëri materialet bërthamore të cenueshme. Duke ndjekur shembullin e George Soros, i cili krijoi një fondacion për të mbështetur shkencëtarët sovjetikë me qëllim parandalimin e “ikjes së trurit” dhe zvogëlimit të rrezikut të përhapjes bërthamore, SHBA-ja filloi të investonte ndjeshëm në programe bashkëpunimi për reduktimin e kërcënimeve.
Situata e Iranit është, në disa aspekte, më e brishtë, pasi infrastruktura e tij bërthamore ka kombinuar prej kohësh elementë të deklaruar dhe të fshehtë. Dhe materiali fizik nuk është shqetësimi i vetëm. Irani ka trajnuar një brez të konsiderueshëm shkencëtarësh bërthamorë ndër dekada. Në një skenar shembjeje shtetërore, këta specialistë bëhen agjentë të lirë, të disponueshëm për këdo që është i gatshëm të paguajë. Ndërkohë, materiale bërthamore me pasurim më të ulët mund të ripërdoren për pajisje shpërndarjeje radiologjike (“bomba të pista”) të afta të ndotin zona urbane. Në mungesë të kujdestarisë institucionale, çdo vend pasurimi, çdo laborator kërkimi dhe çdo reaktor paraqet rreziqe të veçanta.
SHBA-ja sheh regjime që mund t’i godasë dhe arrin në përfundimin se goditja e tyre zgjidh rreziqet që paraqesin. Por eliminimi i një kundërshtari të dukshëm nuk e neutralizon kërcënimin themelor; ai thjesht e shndërron atë në diçka të pakapshme, të errët, të decentralizuar, pa llogaridhënie dhe të pamundur për t’u negociuar apo monitoruar. Derisa SHBA-ja ta kuptojë këtë – derisa të përvetësojë mësimet e Bagdadit dhe Tripolit, e ndoshta edhe të Teheranit – ajo do të vazhdojë të prodhojë rreziqe që asnjë raketë nuk mund t’i arrijë.
Stephen Holmes është Profesor i së Drejtës në New York University School of Law dhe Berlin Prize Fellow në American Academy in Berlin. Ai është bashkautor (së bashku me Ivan Krastev) i librit The Light That Failed: A Reckoning (Penguin Books, 2019)
- Trump: Jam shumë i zhgënjyer me Starmer, ndaloi forcat amerikane të përdorin bazën britanike për sulme ndaj Iranit - 02/03/2026
- Mbeti i plagosur nga sulmi iranian, humb jetën dhe një tjetër ushtar amerikan, shkon në katër numri i të vrarëve - 02/03/2026
- Avionët amerikanë largohen nga Spanja, qeveria e Madridit nuk pranon përdorimin e bazave të saj për të sulmuar Iranin - 02/03/2026