23.5 C
Tirana
22 / 08 / 2026

Real Madridi “mbush arkat” me akademinë, ja strategjia e Florentino Perez

Real Madridi po zhvillon një merkato mjaft aktive këtë verë, jo vetëm në drejtim të afrimeve, por edhe sa i përket largimeve. Klubi madrilen synon të arkëtojë edhe rreth 30 milionë euro në fazën e fundit të afatit kalimtar, duke e çuar në rreth 231 milionë euro totalin e të ardhurave nga shitjet e lojtarëve.

Presidenti Florentino Perez po punon për largimin e tre futbollistëve të formuar në akademinë e klubit, Antonio Blanco, Javi Rueda dhe Manuel Angel. Në rastin e Blanco dhe Rueda, Real Madridi ka ruajtur 50 për qind të të drejtave ekonomike, ndërsa për Manuel Angel po negocion me Almerian për shitjen e gjysmës së kartonit të tij për rreth 6 milionë euro.

Antonio Blanco, 26 vjeç dhe aktualisht pjesë e Alavesit, ka një klauzolë lirimi prej 20 milionë eurosh. Për mesfushorin kanë shfaqur interes Villarreal, Real Betis, si dhe disa klube nga Franca, Italia dhe Gjermania. Real Madridi zotëron 50 për qind të të drejtave ekonomike të Blanco-s dhe nëse klauzola prej 20 milionë eurosh aktivizohet, klubi madrilen do të përfitojë rreth 10 milionë euro.

Edhe Javi Rueda mund t’i sigurojë një shumë të konsiderueshme Real Madridit. Mbrojtësi i Celta Vigos ka tërhequr interesimin e Nottingham Forest, ndërsa klauzola e tij është mbi 30 milionë euro, pas rinovimit të kontratës deri në vitin 2029. Duke zotëruar 50 për qind të të drejtave të lojtarit, Real Madridi do të përfitonte të paktën 15 milionë euro nëse Rueda largohet për një shumë pak mbi 30 milionë euro.

Ndërkohë, Manuel Angel, mesfushori 22-vjeçar i Castillas, është shumë pranë transferimit te Almeria. Bisedimet mes palëve janë për një marrëveshje prej rreth 6 milionë eurosh për 50 për qind të të drejtave të lojtarit.

Në këtë mënyrë, Real Madridi jo vetëm që do të arkëtonte menjëherë të ardhura nga këto lëvizje, por do të ruante edhe gjysmën e kartonit të lojtarëve, duke i garantuar vetes mundësinë për të përfituar sërish financiarisht në rast të një shitjeje të ardhshme.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x