9.5 C
Tirana
16 / 11 / 2025

Rama nesër në Bruksel për grupkapitullin e fundit, zbardhet agjenda

Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë ditën e hënë, më 17 nëntor, në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE në Bruksel për të çelur grupkapitullin e fundit të negociatave, njofton Kryeministria sot më 16 nëntor 2025.

Sipas njoftimit, hapja e këtij kapitulli shënon një rekord historik për Shqipërinë, pasi të gjithë kapitujt e negociatave u hapën brenda 12 muajsh. “Shqipëria arriti të pamendueshmen, të gjithë kapitujt e negociatave të hapur brenda 12 muajsh , rekord absolut në procesin e integrimeve europiane”, deklaroi Rama më herët.

Delegacioni shqiptar do të përbëhet gjithashtu nga Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka dhe Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, ndërsa pas përfundimit të punimeve do të mbahet një konferencë e përbashkët për shtyp me Kryeministrin, Komisioneren për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Marie Bjerre.

Grupkapitulli V përfshin pesë fusha kyçe “Bujqësia dhe Zhvillimi Rural” (kapitulli 11), “Politikat e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitare” (kapitulli 12), “Peshkimi” (kapitulli 13), “Politika rajonale dhe koordinimi i instrumentave strukturore” (kapitulli 22) dhe “Dispozitat Financiare dhe Buxhetore” (kapitulli 33), njofton Kryeministria.

Sipas njoftimit, hapja e Grupkapitullit V do të kontribuojë në modernizimin e bujqësisë, rritjen e kapaciteteve prodhuese, dixhitalizimin e zinxhirit ushqimor dhe përputhjen me standardet e BE-së për sigurinë ushqimore, ndërsa sektori i peshkimit dhe akuakulturës do të përfitojë nga programet europiane për menaxhim të qëndrueshëm.

Në fushën e kohezionit, Shqipëria do të rrisë kapacitetet për menaxhimin e fondeve të BE-së dhe do të përgatitet për pjesëmarrje aktive në politikat rajonale, ndërsa kapitulli financiar do të fokusohet tek transparenca dhe administrimi i fondeve publike sipas praktikave europiane, sipas njoftimit të Kryeministrisë.

Hapja e Grup-Kapitullit V përfaqëson një hap vendimtar drejt afrimit përfundimtar me Bashkimin Europian, duke konsoliduar progresin e bërë dhe duke krijuar bazën për reforma të thelluara në sektorët ekonomikë dhe zhvillimorë.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x