Nga Blendi Kajsiu
Sondazhi i fundit i botuar nga Euronews rrëzon tre mite që prej kohësh popullojnë sferën tonë politike.
Së pari, rezultatet e sondazhit rrëzojnë mitin e Edi Ramës si politikan i pathyeshëm. Së dyti, sondazhi tregon se bashkimi jo vetëm nuk e forcon por e dobëson opozitën aktuale. Problemi i kësaj të fundit nuk është përcarja por mungesa e popullaritetit. Së fundi, sondazhi hedh poshtë idenë se partitë aktuale mund të renovohen duke prodhuar elita të reja që kanë legjitimitet në elektorat.
Idea se Rama është një politikan spektakolar artikulohet si nga admiruesit edhe nga kritikët e tij më të mëdhenj. Për admiruesit kryeministri aktual është një qenie moderne dhe evropiane që fiton çdo betejë me punë, intuitë dhe inteligjencë. Për kritikët ai është një personazh i keq, arrogant, autoritar dhe egocentrik që kontrollon gjithçka nëpërmjet regjimit që ka ndërtuar, duke përfshirë edhe elektoratin që e manipulon dhe i bën lavazh truri sepse ka kapur totalisht mediat dhe pronarët e tyre oligarkë.
Pavarësisht këndvështrimeve të kundërta të dyja perspektivat bien dakord se Rama është një super politikan. Ama nëse popullariteti në elektoart është një nga indikatorët bazë të suksesit të një politikani atëherë Rama dhe qeveria e tij janë shumë larg të qenurit të suksesshëm. Sipas sondazhit të fundit të Euronews 56% e të anketuarve kanë mendim negativ për Ramën dhe vetëm 40,6% kanë një mendim pozitiv për të. Pra ajo që quhet “pëlqimi neto”, diferenca mes pëlqimit dhe mos-pëlqimit, në rastin e Ramës është thellësisht negative, -15,4%.