14 C
Tirana
14 / 03 / 2025

“Rama dhe Berisha të bashkëpunojnë për ndryshime në reformën në drejtësi. S’mund t’i lihet në dorë Dumanit”

Ylli Manjani ka hedhur idenë e bashkëpunimit mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha për përmirësimin e reformës në drejtësi, duke theksuar se një marrëveshje e tillë nuk duhet të shihet si turp për asnjërin nga ata.

Gjatë një interviste në emisionin “NOW me Erla Mëhillin”, Manjani argumentoi se bashkëpunimi politik mes dy palëve është një mundësi që mund të sjellë përfitime, ashtu siç ka ndodhur në vende të tjera të rajonit.

Sipas tij, reforma në drejtësi është një proces i rëndësishëm që kërkon reflektim të thellë dhe bashkëpunim të ndërsjellë për ta përmirësuar.

“Edhe PD do të bëjë një reformë të re në drejtësi, edhe PS po ashtu. Ajo që ka mbetur është të qetësohet situata politike dhe po, nuk duhet të kenë turp Edi Rama dhe Sali Berisha.

Ata duhet të ulen bashkë, të ndërtojnë një frymë bashkëpunimi për të riparuar sistemin e drejtësisë dhe për të kuptuar çfarë është bërë keq,” tha Manjani.

Ai solli si shembuj dy shtete të tjera, Serbinë dhe Rumaninë, të cilët kanë realizuar reforma të ngjashme dhe kanë arritur rezultate pozitive.

“Serbët armiqtë tanë, ia dolën për 9 muaj ta ndryshojnë drejtimin e reformës në drejtësi. E bënë këtë ndryshim, ndërsa Rumania iu desh pak më shumë kohë dhe e di pse e bëri, sepse iu boshatis buxheti i shtetit dhe paratë ikën me keëtë teorinë ‘Follow the Money’”.

Në përfundim, Manjani nënvizoi se çështjet që lidhen me reformën në drejtësi janë çështje të natyrës politike dhe jo teknike.

“Nuk janë çështje për Altin Dumanin dhe për SPAK-un, janë çështje politike të pastra që kërkojnë angazhim të udhëheqësve politikë për t’i dhënë zgjidhje,” përfundoi ai.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x