17.5 C
Tirana
22 / 10 / 2025

Pse ‘shqiptarët’ vriten për një filxhan ekspres?

Nga Kreshnik Spahiu  

Profesor Müller, një penalist i njohur, në ligjëratën e tij mbi dinamikën dhe karakteristikat e krimit në çdo shtet, theksonte se shqiptarët dhe çeçenët, në disa raste, vrasin pa asnjë motiv, ose thënë ndryshe, pa shkaqe të njohura si në shoqëri të tjera. Ai nuk e vinte theksin te rrezikshmëria, por te agresiviteti me motive banale e pa interes. 

Por a ka Shqipëria më shumë kriminelë, apo njerëz të çmendur me probleme psikike? 

Kjo pyetje meriton një analizë juridiko-sociale, me të gjitha rrethanat dhe komponentët e zhvillimit shoqëror gjatë 35 viteve të fundit. 

Vrasjet si fenomen në Shqipëri ndahen në tre kategori kryesore: 

  1. Vrasje me paramendim, mes grupeve rivale të strukturuara kriminale, në rrethana cilësuese;
  2. Vrasje brenda familjes apo rrethit fisnor;
  3. Vrasje për motive të dobëta.

“Motiv i dobët” (në terminologjinë ligjore shqiptare) do të thotë një arsye e pavlefshme, e padenjë ose pa bazë të arsyeshme, që nuk mund të justifikojë në asnjë mënyrë heqjen e jetës së një personi. 

Këtu përfshihen: 

– Vrasje për xhelozi, hakmarrje të vogël, fyerje të lehtë ose sherr të momentit; 

– Vrasje për shkaqe banale; 

– Vrasje nga mospëlqimi personal, zili ose inat i pakuptimtë. 

Në këto raste, motivi konsiderohet “i ulët” sepse tregon egoizëm ekstrem, mungesë të ndjenjës njerëzore dhe padenjësi morale. 

Kronikat e zeza raportojnë çdo ditë për: 

– Vrasje për një vend parkimi; 

– Vrasje për karikuesin e celularit; 

– Vrasje për çadrën e plazhit në rresht të parë; 

– Vrasje për parakalim në autostradë; 

– Vrasje për dritat e gjata të makinës.

Dje ndodhi edhe e paparashikueshmja: 

Vrasja e dy personave për një filxhan ekspres. 

Në fakt, Shqipëria nuk e ndjen prezencën e krimit në rrugë. Nga 10 milionë turistë, as nuk u vra dhe as nuk u grabit askush, por kjo nuk do të thotë që Shqipëria është e qetë dhe e sigurt. 

Në Shqipëri, më të rrezikshëm janë të çmendurit sesa kriminelët. 90% e autorëve të vrasjeve të momentit nuk janë kriminelë, por njerëz me probleme psikike. 

Sot, rrugët e Shqipërisë janë plot me njerëz të vrenjtur, të cilëve nuk u qesh buza kurrë. 

Shikimi i njerëzve me prirje psikopatie ndjehet kudo — në lokale, në rrugë, në dyqane, në semaforë, në bilardo…… 

Në Shqipëri, nuk duhet të keni frikë nga mafia apo trafikantët e drogës, sepse ata s’kanë punë me ju. 

Në Shqipëri, ruhuni nga njerëzit e çmendur — nga ata që vrasin shokun, kalimtarin, komshiun, kamarierin apo kushëririn, vetëm pse i pa shtrembër. 

Nuk di nga buron ky agresivitet. 

Ndoshta nga izolimi, frustrimi, varfëria, përçmimi, dështimi, mungesa e arsimimit ose nga familja. 

Ndoshta unë gabohem, por mendoj se numri i të çmendurve është më i lartë se ai i kriminelëve. 

Dje u shuan dy jetë për një filxhan ekspres. 

Kjo nuk ndodh as në Afrikë.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x