15.5 C
Tirana
30 / 10 / 2025

Pse PD ngjan sot me Partinë e Punës

Nga Blendi Kajsiu

Debatet e fundit politike si në gjirin e opozitës por edhe jashtë saj kanë forcuar idenë se demokracia në thelb është respektimi i vullnetit të shumicës. Berishistët argumentojnë se Berisha kish të drejtë të kthehej në krye të PD-së dhe të mbetet aty pafundësisht për sa kohë ka mbështetjen e shumicës së antarëve të partisë. Sipas të njëjtës llogjikë mbështetësit e Ramës argumentojnë se në PS nuk mungon demokracia për sa kohë kryetari i saj ka mbështetjen e shumicës absolute të antarësisë.

Kemi të bëjmë me një llogjikë sa të drejtë po aq edhe të cunguar. Vullneti i shumicës është një element i domosdoshëm por jo i mjaftueshëm i demokracisë. Në fakt shumë diktatura në histori, përfshi edhe atë të Enver Hoxhës, kanë gëzuar mbështetjen e shumicës së popullatës. Kaq mjafton për të kuptuar se demokracia nuk mund të reduktohet tek vullneti i shumicës.

Ajo që e diferencon diktaturën nga demokracia është se në të parën shumicat janë të pandryshueshme në të dytën të përkohëshme. E thënë ndryshe një demokraci përkufizohet nga mundësia që i jep një pakice të transformohet në shumicë dhe ansjelltas. Këtu hyn në lojë procedurat dhe standartet demokratike (liria e fjalës, zgjedhjet e nderëshme, garancitë demokratike, etj) që shërbejnë pikërisht për të garantuar që pakica e sotme mund të transfomrmohet në shumicën e nesërme. (Pikërisht këtu sovraniteti popullor dhe procedura demokratike shkrihen në një sikurse argumenton Habermasi, llogjikën e të cilit po ndjek në këtë shkrim)

Në demokraci nuk ka shumica të përjetëshme por vetëm të përkohëshme. Në diktaturë shumicat janë të ngrira, në demokraci ato janë fluide. Duhet të kujtojmë se kur komunistët shqiptar erdhën në pushtet, pavarësisht manipulimit që i bënë zgjedhjeve demokratike të vitit 1945, ata kishin mbështetjen e shumicës së elektoratit. Ama me të marrë pushtetin regjimi komunist mori çdo masë që pakica politike të mos transformohej kurrë në shumicë, duke e eleminuar dhe persektuar atë edhe fizikisht. I gjithë regjimi komunist shqiptar bazohej te krijimi dhe ngrirja e një shumice pro-regjim dhe tek eleminimi i çdo mundësie që pakica anti-komuniste ose jo-komuniste një ditë të bëhej shumicë.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x