Nga Ben Blushi
Njoh shumë nga biznesmenët e Shqipërisë.
Janë manipulatorë të admirueshëm.
Ata kanë një teknikë marramendëse për të t’i nxjerrë paratë nga xhepi.
Me të njëjtën shpejtësi ia marrin paratë dhe shtetit.
Deri këtu i kuptoj.
Ajo që nuk kuptoj është se pse këmbëngulin për të na i marrë paratë vetëm ne, dy milion shqiptarëve që jetojmë bashkë me ta në të njëjtin diell?
Pse nuk bëjnë asgjë për ta zgjeruar tregun tonë të vogël?
Para disa ditësh bëra një shkrim ku thosha se e vetmja mundësi për të shpëtuar universitetet shqiptare është që të thithim studentë nga shtete të tjera.
Natyrisht nga vende të mëdha si India, Kina, Vietnami, Burma, Filipinet, Indonezia, Malazia, Bangladeshi, Pakistani etj.
Këto vende kanë më shumë se 5 miliardë banorë dhe çojnë nëpër shkolla 500 milion fëmijë në vit dhe më shumë se 100 milionë prej tyre përfundojnë në shkollë të lartë.
Dhjetë vjet më vonë këto numra do dyfishohen.
Natyrisht studentët e pasur të këtyre vendeve do shkojnë në Amerikë, në Londër, në Pekin dhe në Berlin.
Të varfërit do mbeten në universitetet lokale që nuk e kënaqin më shtresën e mesme.
Fëmijët e kësaj shtrese kërkojnë pak më shumë. Ata duan të dalin jashtë, të marrin dilploma evropiane, të njohin vende të reja.
Nëse nuk shkojnë dot në Londër, gëzohen po të shkojnë në Pragë, në Beograd, në Zagreb pse jo dhe në Tiranë.
Për një kinez nga provinca, një indian nga fshati apo një bangladeshas që e ka babain pronar të një punishteje të vogël do ishte e njëjta gjë si në Tiranë dhe në Ljubjanë apo Bratislavë.
Për ta Shqipëria është Evropë dhe Mesdhe, njëlloj si Italia dhe Greqia.
Këtu dielli është poaq i shndritshëm, deti është poaq i bukur, por jeta është më e lirë, ushqimi më i mirë dhe njerëzit më të dashur.
Këto janë avantazhet tona që biznesmenët kokëfortë të Shqipërisë nuk i marketojnë fare.
Kokëfortësia e tyre është provinciale.
Ata kanë vendosur t’ia falin studentët e varfër të botës Serbisë, Cekisë, Sllovakisë dhe t’u marrin para vetëm studentëve të varfër shqiptarë.
Çfarë nacionalizmi dembel.
Shqipëria ka një kapacitet akomodues për 250 mijë deri në 300 mijë studentë në vit.
15 vjet më parë ne kishim afro 190 mijë studentë gjithsej.
Sot kemi pak më shumë se gjysmën e kësaj shifre pra rreth 110 mijë që do të thotë se auditoret janë gjysëm bosh, bashkë me konviktet dhe qytetet e vogla që krijojnë ekonomi nga universitetet.
Imagjinoni për një çast sikur në Shqipëri të vijnë çdo vit një qind mijë studentë të huaj dhe seicili prej tyre të harxhojë vetëm dhjetë mijë dollarë.
Janë një miliardë dollarë në vit.
Me pak mundim, me shumë marketing, kjo shifër mund të trefishohej për disa vjet.
Universitet mund t’i sillnin vendit më shumë se turizmi që duke u sforcuar sjell afro 4 miliardë euro në vit.
Me kaq të ardhura pikëpyetjet për cilësinë e universiteteve tona do shuheshin rrugës, sepse qindra profesorë gjermanë, italianë anglezë, amerikanë do punonin në Shqipëri me shumë qejf.
Dhjetë vjet më parë kjo përpjekje do ishte e pamundur.
Shqipëria e parë me lupën e google, ishte një vend ku digjeshin goma pas zgjedhjeve dhe ku turistët rriheshin nëpër plazhe.
Sot është ndryshe.
Sherret tona politike nuk vrasin më njerëz në bulevard, por përfundojnë në gjykatë si në cdo vend normal.
Turistët nuk grabiten në rrugë dhe aftësia e vendit për të bashkëjetuar me të huajt është rritur disa herë.
Ne mikpresim me mirë se serbët, gatuajmë më mirë se kroatët, dhe qeshim më shumë se sllovenët.
Nga 100 kritere që e klasifikojnë një vend si normal, plotësojmë më shumë se 90.
Dhe nga dhjetë kritere që e klasifikojnë një vend si mikpritës plotësojmë të paktën nëntë plus.
Prandaj familja e një fëmije në Pakistan, në Indonezi apo në Indi do paguante kursimet e jetës për ta sjellë fëmijën në një parajsë të varfër evropiane, ku nëse nuk të mësojnë si në Londër të respektojnë më mirë se aty.
Dhe kjo nuk është pak.
Ne nuk e kuptojmë dot se popujt që dikur kanë qenë koloni paguajnë për t’ua respektuar ngjyrën.
Taksa e ngjyrës sot në Londër është shumë e lartë, në Amerikë po rritet shumë, kurse në Shqipëri është akoma zero.
Përveç diellit dhe detit, targa jonë evropiane, e parë nga largësia e Azisë dhe Afrikës është malli më i vyer që kemi.
Një kinez, një vietnamez apo një bangladeshas nuk na dallon dot nga italianët, nga belgët dhe nga grekët siç nuk dallojmë ne dot një fëmijë nga Laosi nga një fëmijë nga Kamboxhia.
Për ta ne jemi e njëjta gjë.
Nëse biznesmenët e Shqipërisë bashkë me shtetin do hapnin agjensi në Azi dhe në Afrikë për të rekrutuar studentë, tregu jonë i vogël do kthehej me shpejtësi në një treg ndërkombëtar.
Por nëse nuk e bëjmë ne do ta bëjnë serbët, do ta bëjnë sllovenët dhe kroatët
Por e njëjta gjë vlen edhe për ndërtuesit e Shqipërisë të cilët unë nuk i kuptoj fare.
Ata kanë një fiksim të egër.
Ata duan të na i shesin shtëpitë që ndërtojnë vetëm neve, shqiptarëve të Shqipërisë.
Shqipëria ndërton me inat dhe me vrull më shumë se çdo vend tjetër në Evropë për frymë, por askush nuk e di kush do i blejë pallatet dhe vilat e saj të panumërta.
Shqiptarët që mund të blenin u ngopën dhe tani po mendohen të shesin.
Gjithmonë kam besuar se biznesmenët e Shqipërisë do tërhiqnin blerës suedezë, polakë, hollandezë, finlandezë, gjermanë, danezë, ukrainas dhe rusë për të blerë prona në det, por kjo nuk po ndodh.
Askush nuk u thotë këtyre popujve pa det dhe pa diell, se ka një vend në Mesdhe që shet apartamente më lirë se në Itali, në Greqi dhe Portugali e ndoshta edhe më lirë se në Mal të Zi.
Imagjinoni një norvegjez që jeton në mes të mjegullës, i ulur në divanin e vet, duke parë një reklamë që tregon se mund të blesh një shtëpi në Vlorë apo Sarandë për çerekun e çmimit që do e blente në Santorini apo në Majorka.
Ndërtuesit shqiptarë nuk harxhojnë asnjë lek marketing për t’i ngacmuar fantazinë norvegjezit që shikon shiun në dritare.
Shteti duhet t’i detyrojë kompanitë tona të reklamojnë në tregje ndërkombëtare.
Kjo është taksa e tyre e suksesit: të blejnë kohë televizve në televizonet evropiane për të reklamuar Shqipërinë.
Shpenzimet për marketing ndërkombëtar duhet të jenë një detyrim që shteti duhet t’ua kërkojë me çdo kusht kompanive shqiptare të ndërtimit, univesiteteve jo publike dhe klinikave estetike e spitaleve private.
Këto tre shërbime low cost mund ta bëjnë tregun tonë ndërkomëbtar.
Ne mund t’i japim diploma fëmijëve aziatikë, mund t’i rregullojmë dhëmbët pensionistëve evropianë dhe mund t’u shesim shtëpi të mrekullueshme në det shtresës së mesme evropiane.
Pasthirrmat pa gjini, që mendojnë se një herë jemi, një herë nuk jemi qendra e botës, duhet ta kuptojnë se ky nuk është turp, as ulje, as nënshtrim.
Është biznes.
Serbia harxhon më shumë se 55 milionë dollarë marketing në vit vetëm nga taksat.
Kroacia dyfish, më shumë se 100 milionë.
Me një buxhet të harmonizuar mes shtetit dhe kompanive private ne mund t’i kapnim këto shifra marketingu të domosdoshëm.
Ne prodhojmë jo keq, por shesim shumë keq.
Serbia që do futet shumë shpejt në garën e universiteteve low cost, nuk na konkuron dot në tregun imobiliar sepse një shtëpi në Serbi nuk ka asnjë vlerë në krahasim me një apartament në Shëngjin.
E njëjta llogjikë vlen për futbollin tonë të shkatërruar.
Sikur të kisha mundësi do bleja një klub futbolli në provincë, do ta ristrukturoja dhe do i lutesha shtetit të më ndihmonte t’ia shisja një arabi.
Rishitja e aseteve të ngordhura është super biznes.
Arabët janë sot njerëzit më të uritur në planet, për të investuar në sport.
Ata blejnë shkëlqimin e futbollit evropian.
Sauditët dhe Katari por më vonë edhe të tjerët, po blejnë me rradhë të gjitha klubet më të mëdha të Evropës.
Natyrisht ne nuk mund t’ia shesim klubin e Peqinit një fondi saudit për 100 milion euro, as ekipin e Laçit një kuvajtjani për 70 milion euro.
Për fat të keq këto klube nuk vlejnë as sa bonusi i një goli të Cristiano Ronaldos në Arabi.
Ato nuk kanë asnjë vlerë.
Ajo që ka vlerë është përkatësia jonë evropiane.
Ne nuk shesim makinën, shesim targën.
Të blesh Vllazninë nuk ka ndoshta asnjë përfitim financiar sot, por me pak investime ky klub mund të luajë me Milanin në Champions League, me Liverpoolin apo me Parisin.
Kjo do ishte një blerje prestigji për fondet e lira arabe dhe do t’i ngopte sa duhet deliret e tyre.
Arabët mund të blejnë Ronaldon për një paketë totale 1 miliard euro, por nuk e çojnë dot këtë idhull me 500 milion ndjekës në instagram, të luajë cdo javë me Juventusin, me Chelsea apo me Realin e Madridit dhe Barcelonën.
Por ekipet shqiptare e kanë këtë mundësi.
Bashkitë e qyteteve tona duhet të gjejnë blerës për ekipet e tyre të rrënuara në Arabi në Kinë dhe kudo ku ka fonde të lira.
Kryetarët e Bashkive duhet të jenë biznesmenë, në vend që të jenë hidraulikë dhe zjarrfikës.
Çdo gjë që është në Mesdhe shitet. Ky është tregu më i shtrenjtë i botës.
Ata duhet t’i shesin klubet e tyre të futbollit qoftë edhe për 1 euro me kusht që të investohen.
Atëherë Peqini mund të luajë me Realin në grupe, Elbasani me Interin dhe Dinamo me Arsenalin.
Imagjinoni çfarë do ndodhte në këto qytete sikur futbolli dhe universitetet të gjallëroheshin me investime të huaja.
Çfarë qyteti do ishte Shkodra me pesë mijë studentë të huaj.
Tregu i qirave do shpërthente, restorantet e vogla do lulëzonin,pedagogët do paguheshin më shumë, bicikletat e dashura do dyfishoheshin, ndërsa stadiumi ku ekipi i Vllaznisë i blerë nga një arab mendjemadh do luante çdo javë me Romën, me Fenerbahcen, me Dortmundin dhe Marsejën apo me Manchester United do digjej në flakë.
Gjithë qyteti do merrte zjarr sa herë arabi të këpuste tespijet e çmendura pas një goli.
Sepse janë evropiane ekipet tona tona mund të luajnë me kë të duan, të gëzojnë çdo pronar arab që investon duke blerë lojtarë dhe ta çojnë në Manchester të haje darkë si i barabartë me Pep Guardiolën e përkëdhelur apo në Stamboll me Jose Mourinon grindavec.
Ky është çmimi i prestigjit evropian që në Shqipëri është ende low cost.
E kush nuk do ta paguante një çmim kaq të lirë?
Çështja është se askush nuk e di, sepse askujt nuk i thuhet.
Arabët nuk e dinë që klubet tona shiten për një copë bukë, siç nuk e dinë indianët që mund të studjojnë në universitetet tona me një mijë dollarë në muaj.
Ne bëjmë muhabet, por nuk bëjmë marketing.
Shqipëria vazhdon të jetë një thesar i mbuluar me kujdes nga biznesmenët e saj mendjengushtë.
Ata duhet të kuptojnë se ka ardhur koha për të zgjeruar tregun tonë të vogël.
Ka ardhur koha për të shitur lirë gjërat e shtrenjta që nuk duhen.