15.5 C
Tirana
10 / 11 / 2025

PS fitoi 5 bashkitë, Rama: Pjesëmarrja e ulët prej dobësisë ekstreme të PD-së, motit dhe…

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e pjesshme në pesë bashki në vend. Ai falenderon qytetarët teksa thotë edhe se pjesëmarrja e ulët ishte si rezultat i disa faktorëve.

“5 bashki, 5 fitore dhe 5 arsye më shumë për t’i falenderuar qytetarët për besimin e tyre, pavarësisht dobësisë ekstreme të opozitës, motit me shi të ditës se djeshme, apo vetë natyrës së zgjedhjeve të pjesshme, të cilat nuk e stimulojnë pjesëmarrjen”, tha Rama.

Një urim e kishte edhe për kryetarët e rij të bashkive, sidomos për atë të Beratit me rezultatin e arritur.

“Urime kryebashkiakëve të rinj, nga Bruna, gruaja e parë që do të drejtojë bashkinë e Vlorës; Ervini i dytë i Beratit, i cili me mbi 83% të votave dhe 13 049 vota nga 15 454 të PS në 11 maj për bashkinë Berat, ka arritur një rezultat mbresëlënës; Florenci në Cërrik, Gramosi në Tepelenë dhe Altini në Mat, që të tre me rezultate kuptimplota, të cilat janë një themel i fortë i punës që do të pasojë në shërbim të atyre komuniteteve”, shkruan Rama.

Zgjedhjet e pjesshme lokale u zhvilluan të dielën, më 9 nëntor, në pesë bashki të vendit (Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë) me një pjesëmarrje të ulët prej 18.45% nga mbi 334 mijë votues me të drejtë vote.

Partia Socialiste siguroi një fitore të thellë në të gjitha bashkitë, duke marrë rezultatin 5 me 0 ndaj kandidatëve të opozitës dhe të pavarur.

Në Vlorë, Brunilda Mersini (PS) fitoi me 78.88% të votave, ndërsa pjesëmarrja ishte më e ulëta në vend, vetëm 12.5%.

Në Cërrik, Berat dhe Tepelenë, kandidatët socialistë Florenc Doka, Ervin Ceca dhe Gramos Sako fituan me mbi 65% deri në 83% të votave, duke shënuar rritje të ndjeshme për PS dhe rënie për PD.

Në Mat, Altin Bojni (PS) triumfoi me 66.54%, ndërsa pjesëmarrja ishte më e larta në shkallë vendi, 39.36%. Të gjitha rezultatet konfirmojnë dominimin elektoral të PS në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x