Afrim Hasalla, vëllai i 60-vjeçares Bajame Senej, e cila u plagos pasditen e sotme në fshatin Ballagat të Lushnjes, ka treguar detaje të tjera në lidhje me këtë ngjarje. Ai u shpreh se ata u zunë në pritë dhe për këtë akuzon familjen e kushërinjve të tij, atë të Shaip Hasallës, se tentuan që t’i vrisnin motrën. Afrimi tregoi për gazetarët e mbledhur para shtëpisë së tij, se prita iu zu pasi po ktheheshin nga gjyqi ndaj Kastriotit, i cili u dënua me 35 vjet heqje lirie. Afrim Hasalla tregoi se në momentin e ngjarjes ka qenë duke lëvizur përpara me një furgon dhe bashkë me të ka qenë edhe avokati.
“Na qëlloi Shaip Hasalla me djemtë. Urdhëroni. Para dy vjetëve na kanë qëlluar me armë, sot qëlluan prapë me armë. Më kanë plagosur motrën. Atë e di shteti që nuk kanë marrë masat. U kemi çuar fotot. Urdhëro. U zumë për punë toke. Për punë toke, Kastrioti isha dhe unë bashkë aty. Mbaruam gjyqin u nisëm për shtëpi, na bënë pritë me armë. Nuk i pamë se ishin fshehur tek pishat. Isha bashkë me avokatin nga Tirana. Afrim Hasalla: Unë isha me avokatin. Nipi mbrapa ishte me motrën. U qëllua nipi, mbrapa. Dëgjuam të shtënat e armëve. I thashë avokat ore po më qëllojnë nipin më duket. Kthej kokën mbrapa, nipi me shpejtësi. Ul xhamin dhe më thotë po më qëllojnë. Iku para. Për këtë çështje është ngjarja, për tokën. 2 hektarë tokë që kam kaq vite me një stallë që kam bërë atje dhe sot ky zotëria do të vijë ta marrë me forcë. Kastrioti u dënua për ngjarjen e 2 viteve më parë. Por Kastrioti nuk e vrau. E vrau Shaipi djalin. Kastrioti mbrojti vëllanë dhe fëmijën e tij. Urdhëroni personin që na priti atje me armë. Këtu është Shaip Hasalla,”-tha Afrim Hasalla.
Sherri mes dy familjeve ndodh për shkak të një sipërfaqe toke prej dy hektarësh, e kësaj herë në shënjestër ka qenë Bajamja, e cila mori një plumb në këmbë, e fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.