31.5 C
Tirana
20 / 06 / 2025

Portreti i një ylli skenik, vezullimi i të cilit shkëlqen në yjësinë e traditës shqiptare të artit

HOMAZH NE PERVJETORIN E NDARJES NGA JETA

Në përvjetorin e ndarjes nga jeta të Marije Logorecit (19 qershor 1988), kujtojmë një ndër figurat më përfaqësuese të skenës dhe ekranit shqiptar, një ikonë që me fuqinë e talentit, karakterit dhe përkushtimit të saj, ngjizi një art të pakrahasueshëm dhe të përjetshëm.

Të përpiqesh të përshkruash Marije Logorecin është si të kërkosh të përkufizosh të pakufishmen. Ishte një aktore që nuk përfaqësonte thjesht një emër, por një epokë. Në çdo rol të saj jetonte e gjithë ndërgjegjja e një shoqërie, e gdhendur me ndjeshmëri, temperament, thellësi psikologjike dhe një vëzhgim të imët njerëzor. Figura e saj, si në teatër, ashtu edhe në kinematografi, është e ngulitur në kujtesën tonë si një shkreptimë që nuk zbehet, si një tingull i fuqishëm që nuk shuhet.

E lindur në Shkodër më 23 shtator 1920, Marija – e njohur me përkëdheljen “Tushi” – u rrit në një mjedis ku ndërthureshin dashuria për artin dhe përkushtimi ndaj traditës. Shkollimi i saj në institutin e “Motrave Stigmatine” la gjurmët e para të një ndjeshmërie artistike që do të shpalosej më vonë në mënyrë të natyrshme. Vizatimet e saj të hershme, këndimi i ëmbël dhe përfshirja në botën e legjendave të Veriut, të njohura nga malësorët që bujtnin në shtëpinë e saj, qenë baza shpirtërore e asaj që më vonë do të bëhej një shpërthim i madh artistik.

Në Tiranë, Marija u martua me Kolë Logorecin, ekonomist i shquar dhe bir i patriotit e dijetarit Mati Logoreci. Në mjedisin e shtëpisë Logoreci, ajo u përball për herë të parë me mendimin elitar shqiptar: bisedat me Fishtën, Koliqin, Çabejn, Xhuvanin. Këto nuk ishin vetëm takime, por horizonte që formësuan kulturën dhe gjuhën e saj skenike, pasuruan shpirtin dhe vizionin e saj krijues. Po ashtu, bashkëshorti i saj e mbështeti plotësisht rrugën artistike që ajo zgjodhi, në një kohë kur kjo nuk ishte e zakonshme për një grua.

Karriera e saj nisi me muzikën: në vitin 1945 këndonte në Radio Tirana këngë popullore dhe partizane. Talenti i saj e çoi drejt Teatrit Popullor në vitin 1947, ku do të niste një rrugëtim të gjatë e të ndritur. Kalimi nga muzika te skena nuk ishte i lehtë, por Marija e fitoi skenën me punë, me disiplinë dhe me një përkushtim të rrallë.

Marije Logoreci krijoi një galeri figurash që mbeten referencë për çdo aktor. Ajo interpretoi personazhe të dramave më të mëdha botërore dhe atyre kombëtare me një intensitet që nuk lë vend për harresë. Nga Lokja e “Tokës tonë”, që është një ndër kulmet e saj dramatike, te Bernarda Alba, Gertruda te “Hamleti”, Fatimja tek “Halili dhe Hajria”, apo Kristina Padera tek “Komploti i të dënuarve” – çdo rol i saj ishte një përjetim, një zhytje në natyrën njerëzore, një gdhendje karakteri me skalpelin e një mjeshtreje.

Në kinematografi, Marija mbetet ndër të parat që solli shpirtin teatror në ekran: në “Toka jonë”, “Përmbytja e madhe”, “Cuca e maleve”, “Muri i madh”, “Përkolgjinajt”, etj., ajo ndërtoi figura të forta, shpesh femra të thyera nga jeta, por me një dinjitet të patundur. Në një kohë kur filmi shqiptar sapo po hidhte hapat e parë, ajo e ruajti thelbin skenik të interpretimit, duke ia përshtatur ekranit me intuitë dhe përvojë.

Përtej rolit si aktore, Marija ishte një njeri i jashtëzakonshëm. Lexonte shumë, kujdesej për shtëpinë, për lulet, për qentë e macet, e për kopshtin. Nuk e njihte fjalën “lodhje”. Ishte një shpirt i gjallë, i qeshur, gjithmonë i gatshëm për të ndarë një këshillë, një fjalë të urtë, një mendim të mençur. Kujtesa e saj fenomenale dhe pasioni për letërsinë, mitologjinë dhe legjendat e bënin një rrëfimtare të lindur dhe një shoqe frymëzuese për të gjithë.

Me punën e saj, Marije Logoreci i dha teatrit dhe filmit shqiptar jo vetëm art të mirëfilltë, por një metodë, një qëndrim, një etikë. Ajo mbetet një figurë që nuk imitohet, por studjohet. Zëri i saj, fjala e ngarkuar me ndjenjë, ekspresiviteti i thellë i fytyrës dhe gjesteve, i dhanë publikut atë që është më e rrallë në art – përjetimin. Në rolet e saj u mishërua e qara dhe e qeshura e jetës, absurdi dhe tragjikja, absurdi i përditshmërisë dhe sakraliteti i shpirtit njerëzor.

Marije Logoreci, Artiste e Popullit, mbetet një ndër emblemat e artit shqiptar – një monument frymëzimi, një zë që nuk shuhet dhe një emër që meriton të përmendet me nderim, përulësi dhe krenari. Në çdo përvjetor të saj, ne rikthehemi jo thjesht për të kujtuar, por për të medituar mbi madhështinë që ajo përfaqëson.

Albert Vataj

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x