Sulmi izraelit në kompleksin e pasurimit bërthamor në Fordow, veprim ky i bërë në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, vjen si përpjekje për të penguar rikuperimin e mundshëm të uzinës dhe për të ruajtur presionin mbi një objektiv strategjik.
Ky sulm, shihet gjithashtu si një sinjal i qartë se Operacioni “Heakri i Mesnatës”, i nisur gjatë presidencës së Donald Trump, nuk e ka mbyllur përfundimisht dosjen bërthamore iraniane.
Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, deklaroi se uzina ka pësuar dëme serioze, por ende nuk mund të përcaktohet saktësisht shkalla e tyre. Ndërkohë, për objektet e tjera në Natanz dhe Isfahan, fotot satelitore kanë konfirmuar shkatërrime të mëdha, përfshirë ndërtesa të rrënuara nga bombat e fuqishme amerikane GBU dhe raketat kruz të lëshuara nga nëndetësja USS Georgia.
Siç raporton Corriere della Sera, ky është bilanci i përkohshëm i operacionit:
1. Sulmi ishte i koordinuar në mënyrë precize, duke dëshmuar aftësitë globale të Pentagonit.
2. Operacioni u mbështet nga një flotë e gjerë avionësh cisternë që mundësuan ndërhyrjen e mbi 100 avionëve.
3. Goditjet me GBU shkaktuan shkatërrime të mëdha në objektiva.
4. Vlerësimi i plotë do të vijë vetëm pasi të zbulohet realisht çfarë ndodhi brenda bunkerit të Fordow-t.
Eksperti amerikan Jeffrey Lewis, në një reagim në rrjetet sociale, shprehu dyshime për sasinë e uraniumit të pasuruar të pranishëm në momentin e sulmit, pasi iranianët pretendojnë se e kanë transferuar materialin. Ka spekulime se një pjesë e tij mund të jetë zhvendosur në një depo tjetër të mbrojtur në Natanz, ende jashtë shënjestrës së ofensivës “Rising Lion”.
Sipas burimeve perëndimore, Irani mund të ketë aktualisht rreth 400 kilogramë uranium të pasuruar, mjaftueshëm për të vazhduar projektin bërthamor nëse do të autorizohet nga Udhëheqësi Suprem, Ali Khamenei.
Një gjë është e qartë, se opsionet ushtarake mund të vonojnë, por nuk ndalin programin bërthamor të Iranit. Për më tepër, ka spekulime për një rrugë sekrete dhe paralele që Republika Islamike mund të ndjekë, e kontrolluar nga një rreth i ngushtë shkencëtarësh dhe trupat Pasdaran, për të shmangur çdo lloj mbikëqyrjeje ndërkombëtare.
Izraeli, sipas Corriere della Sera, nuk ka pritur ndërhyrjen amerikane: ka aplikuar prej vitesh taktika të diversifikuara si sabotime, sulme kibernetike, eliminime të figurave kyçe dhe ndërprerje të furnizimeve teknologjike përmes kompanive fasadë.
Përballja me programin bërthamor iranian mbetet një sfidë e hapur dhe e rrezikshme, jo vetëm për rajonin, por për sigurinë globale.