Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pas deklaratës së Lëvizjes Vetëvendosje, duke akuzuar këtë subjekt politik se po përpiqet të politizojë protestën që do të mbahet në Tiranë më 17 tetor.
Në njoftimin e saj, OVL e UÇK-së thekson se protesta nuk ka karakter partiak, por përfaqëson zërin e popullit shqiptar, të veteranëve, familjeve të dëshmorëve dhe të gjithë atyre që kërkojnë drejtësi për krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë. “Kjo protestë nuk është e asnjë partie politike, ajo është zëri i popullit shqiptar. Nuk ka forcë politike që mund ta ndalë apo ta përvetësojë këtë zë”, thuhet në reagim.
Veteranët e UÇK-së theksojnë se nuk do të lejojnë që “lufta e shenjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të përdoret për interesa partiake”, duke nënvizuar se qëllimi i vetëm është kërkesa për drejtësi dhe ndëshkimi i krimeve të kryera nga Serbia, shkruan A2 CNN.
“Protesta e Tiranës është protestë e kombit, jo e partive. Aty do të jenë mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet, për të treguar se UÇK-ja është nderi i kombit,” thuhet më tej.