9.5 C
Tirana
20 / 01 / 2026

Përkujtojmë në ditën e lindjes akademik Farudin Hoxhën, projektues i disa veprave madhështore të energjitikës në Shqipëri

Akademik Farudin Hoxha, lindi në Gjirokastër më 20 janar të vitit 1936.
Kreu Politeknikumin e Tiranës dhe ndoqi studimet e larta për ndërtime hidroenergjetike në Budapest e Sofje. U diplomua në vitin 1961 në Universitetin e Tiranës.

Me profesion inxhinier hidroteknik, nga viti 1961 ka punuar në Institutin Shtetëror të Projektimit në Tiranë, në Drejtorinë e Hidrocentraleve dhe më vonë në Institutin e Studimeve dhe të projektimeve të hidrocentraleve, nënstacioneve dhe linjave të tensionit të lartë. Ai ka vijuar rregullisht punën studimore e projektuese në këtë institut deri në mesin e vitit 1993.

Në vitin 1971 ka kryer edhe specializimin pasuniversitar në Francë për mekanikën e dherave dhe ndërtimin e digave të larta me materiale vendi ose rrethanorë.

Nga nëntori 1982 deri në maj 1988, ka qenë Ministër i Ndërtimit dhe më pas, deri në 21 shkurt 1991, ka qenë ministër pranë Këshillit të Ministrave për bashkëpunimin ekonomik me jashtë.

Akad. Farudin Hoxha ka qenë projektues e kryetar i grupit të studimit për të gjitha digat e hidrocentraleve të mëposhtme, si: skema e shfrytëzimit hidroenergjetik të lumit Drin; Hidrocentali i Vaut të Dejës; Hidrocentali i Komanit; Hidrocentali i Fierzës; Hidrocentali i Banjës; Hidrocentali Bistrica II; Hidrocentali i Bogovës.

Ka qenë kryetar i Komitetit Kombëtar Shqiptar të Digave të Larta prej vitit 1991 deri në vitin 1995. Nga nëntori 1999 deri në nëntor 2000 ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare.

Prej vitit 1997 deri në vitin 2008 ka qenë anëtar i Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë. Ndwrkohë, prej vitit 1997 deri në vitin 2004 ka qenë anëtar i Këshillit të Politikës Shkencore dhe Zhvillimit Teknologjik të Republikës së Shqipërisë.

Prej vitit 1973 deri në vitin 1982 ka qenë anëtar i Komisionit Qeveritar për ekonominë ujore me vendet fqinjë dhe sërish, prej vitit 2001 deri në vitin 2005 ka qenë anëtar i këtij Komisioni.

Prej vitit 2000 deri në vitin 2006 ka qenë anëtar i Këshillit Bashkiak të Qytetit të Tiranës.

Në vitin 1986 u pranua anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe nga viti 1989 ishte anëtar i saj. Prej vitit 1997 deri në vitin 1999 ka qenë Sekretar Shkencor i ASHSH-së dhe nga ky vit deri në vitin 2008 ka qenë zgjedhur dhe zëvendëskryetar i saj.

Për arritjet në punën studimore dhe projektuese në fushën e ndërtimeve hidroenergjitike, është nderuar dy herë me Çmimin e Republikës së Klasit të Parë.

U nda nga jeta më 11 shtator 2017.

www.akad.gov.al

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x