Nga Blendi Kajsiu
Protesta e pensionistëve dhe debati mbi pensionet duket se e nervozuan shumë kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij. Shihej qartë ky nervozizëm në fjalimin e tij në parlament me rastin e miratimit të bonusit të fundvitit për pensionistët. Akoma më në siklet dukej kryeministri në përballjen e tij me disa pensioniste tek emisioni Opinion i Blendi Fevziut më datë 31 tetor, 2024.
Ishte e shëmtuar mënyra se si kryeministri ynë dy metrosh i bërtiste dhe i hakërrehej disa pensionisteve në studio sepse nuk bindeshin nga mrekullia ekonomike e rilindjes. I rrethuar nga njerëz që prej vitesh i bëjnë fresk egos së tij në shkëmbim të pushtetit dhe parasë kryeministri ynë socialist duket se kish harruar se si të komunikonte me shtresat në nevojë.
Pyetjes së thjeshtë të një pensionisteje “si mund të jetoj unë me 200 mijë lekë pension në muaj?” kryeministri i përgjigjej, “kemi dyfishuar Prodhimin e Përgjithëshëm Bruto (PPB-në) në vetëm dhjetë vite”. Natyrisht që shpjegimi nuk i bindi aspak pensionistet. Përkundrazi të gjitha arritjet e qeverisë e bënin akoma më misterioze mungesën e rritjes së pensioneve me të njëjtin ritëm si të ardhurat për frymë (të trefishuara), PPB-ja dhe buxheti i shtetit.
Pikërisht këtu buron nervozizmi që shkakton çështja e pensioneve për qeverisjen aktuale. Niveli mjeran i pensioneve thërrmon “mrekullinë ekonomike” të rilindjes për dy arsye. Së pari, debati i pensioneve tregon qartë se rritjet ekonomike me të cilat mburret qeveria Rama janë nominale më shumë se reale. Shpesh ato reflektojnë më shumë inflacionin (dhe rënien e popullsisë) se sa rritjen e fuqisë blerëse për shumicën e qytetarëve.
Së dyti, niveli i pensioneve tregon që zhvillimi i prodhuar nga qeveria socialiste në këto dhjetë vite është përqendruar në pak duar. Sot në Shqipëri ka mbi gjysëm million pensionistë që marrin një pension më të vogël se 200 mijë lekë të vjetra në muaj. Pra gjysëm milion pensionistë sot marrin një pension nën minimumin jetik.
Sipas kryeministrit Prodhimi i Përgjithëshëm Bruto (PPB) është rritur 2.5 herë dhe të ardhurat për frymë janë trefishuar midis vitieve 2013 dhe 2024 (edhe si pasojë e rënies së popullsisë). Ndërkohë pensionet, po sipas kryeministrit, janë rritur me 80% në të njëjtën periudhë kohe (nga 100 euro në vitin 2013 në 180 në vitin 2024). Kjo do të thotë që pensionistët kanë përfituar më pak se grupet e tjera sociale nga rritja ekonomike. (Shiko: https://www.youtube.com/watch?v=JqBXs8YbxhA)
Pra kemi të bëjmë me një model zhvillimi që ka prodhuar më shumë përfitime për shtresat më të pasura, si ndërtuesit, bizneset e mëdha dhe nivelet e larta të administratës shtetërore (mjafton të kujtojmë që pagat e zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të deputetëve u dyfishuan së fundmi, duke shkuar në rreth 15 herë më shumë se pensioni mesatar.)
Ndërkohë grupet që më pak kanë përfituar nga zhvillimi ekonomik socialist janë shtresa si pensionistët që ende jetojnë nën minimumin jetik. Sipas një analize të revistës Monitor nëse ne vitin 2014 pensioni mestar ishte 30% e pagës mesatare bruto, në vitin 2023 ky nivel ishte 22%. (Shiko: https://monitor.al/pensionet-reale-u-ulen-me-te-pakten-8-gjate-dekades/). Pra kemi një zhvillim ekonomik që shpërndan më pak përfitime pikërisht tek ato shtresa që më shumë kanë nevojë për to.
Ky fakt del akoma më në pah nëse krahasojmë nivelin e zhvillimit ekonomik dhe të pensioneve mes Shqipërisë dhe fqinjëve të saj. Kryeministri Rama mburrej se Shqipëria në dhjetë vitet e fundit është zhvilluar më shumë se fqinjët e saj. Sipas kryeministrit Rama sot në vitin 2024 Shqipëria ka të ardhura për frymë më të larta se Maqedonia e Veriut dhe Bosnia-Hercegovina.
Sipas shifrave të Bankës Botërore pretendimet kryeministrit Rama nuk janë të vërteta, pasi në raportin e fundit mbi Ballkanin Perëndimor të ardhurat për frymë të Shqipërisë në vitin 2023 ishin nën nivelin e Maqedonisë së Veriut dhe të Bosnjës, sikurse edhe parashikimi për vitin 2024, që ende nuk është mbyllur. (Shiko: https://documents.ëorldbank.org/en/publication/documents-reports/documentdetail/099101424043012347/p5067421db658a06b1a82c1811f0301d818 )
Ndërkohë është i vërtetë argumenti i kryeministrit Rama se ritmet e zhvillimit të Shqipërisë kanë qenë më të larta se të fqinjëve duke i afruar të ardhurat tona për frymë me ato të Maqedonisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. E megjithatë diçka e tillë nuk është vërejtur me nivelin e pensioneve. Sot pensioni mestar në Shqipëri, rreth 180 euro, është shumë më i ulët se në në Maqedoni dhe në Bosnjë-Hercegovinë, ku pensioni mestar është mbi 300 euro në muaj. (shiko: https://monitor.al/pensionet-reale-u-ulen-me-te-pakten-8-gjate-dekades/).
E thënë ndryshe zhvillimi ekonomik në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnjë-Hercegovinë i shpërndan më mirë përfitimet se në Shqipëri. Shtresa e pensionistëve përfiton një pension më të madh në Maqedoni dhe Bosnjë, se sa në Shqipëri, edhe pse niveli ynë i zhvillimit është i ngjashëm me nivelin e zhvillimit të këtyre vendeve.
Po ti futemi analizës reale dhe jo nominale të pensioneve, do shohim se në fakt zhvillimi që ka prodhuar qeveria Rama jo vetëm nuk i ka prekur por i ka varfëruar pensionistët tanë, si pasojë e inflacionit. Kur kryeministri mburrej në studion e Blendi Fevziut se pensionet kishin shkuar mesatarisht nga 100 euro në vitin 2013 në 180 euro në vitin 2024 ai nuk merrte parasysh as zhvlerësimin e euros dhe as atë të lekut në këto dhjetë vite.
Mjafton të kujtojmë se 100 euro dje ishin baraz me rreth 14 mijë lekë të reja, sepse 1 euro shkëmbehej me 140 lekë. Ndërkohë 180 euro sot janë më pak se 18 mijë lekë reja, sepse 1 euro shkëmbehet me më pak se 100 lekë. Kjo do të thotë se në dhjetë vitet e fundit pensioni mestar është rritur me 4 mijë lekë të reja, ose me 400 lekë të reja në vit. Vështirë ta quash mrekulli një rritje të tillë.
Edhe kjo pak rritje zhduket nëse marrim parasysh zhvlerësimin e lekut gjatë dekadës së fundit. Dje, në vitin 2013 pensionistët blinin më shumë gjëra me 14 mijë lekë të reja se sa mund të blejnë sot, në vitin 2024, me 18 mijë lekë të reja. Sipas një llogarie të Institutit të Sigurimeve Shoqërore pensionet reale jo vetëm nuk janë rritur por gjatë dekadës së fundit kanë rënë me të paktën 8% (dhe në disa raste më shumë) të vlerës së tyre reale (shiko: https://monitor.al/pensionet-reale-u-ulen-me-te-pakten-8-gjate-dekades/ ). E thënë ndryshe, sot pensionistët me pensionin mesatar blejnë 8% më pak se dje, përpara mrekullisë ekonomike rilindase.
Pikërisht për këtë arësye çështja e pensioneve nxjerr zbuluar strukturën reale të modelit të zhvillimit Rama. Është një zhvillim që gjithnjë e më pak po prek, dhe në disa raste po varfëron, shtresat vulnerable, periferike dhe margjinale të shoqërisë shqiptare, që në fakt përbëjnë shumicën e popullsisë.
Prioritetet e këtij modeli nuk janë pensionet, strehimi i përballueshëm, çmimet, apo transporti publik, por ndërtimi i kullave spektakolare, aeroporteve, marinave të jahteve dhe tërheqja e turizmit elitar me pesë yjë, që jo vetëm nuk paguan taksa por përfiton edhe bregdet falas nga qeveria jonë.
Në qytetet kryesore të Shqiërisë sot si Durrësi, Vlora, dhe Tirana ka projekte madhështore për marina, porte jahtesh, aeroporte ndërkombëtare, rezorte elitare, kulla marramendëse, por ende nuk ka një stacion autobuzi të hajrit, apo transport publik cilësor, qoftë brenda qytetit, qoftë midis qyteteve. Është pikërisht ky transport që i shërben pensionistëve dhe qytetarëve të thjeshtë shumë më tepër se marinat e jahteve, rezortet, apo kullat dubaiste.
Edhe ato stacione autobuzësh që po ndërtohen prej vitesh janë degdisur në perferi të Tiranës, bashkë me stacionin e trenit që do jetë tek kthesa e Kamzës. Ndërkohë në qytetet kryesore të Evropës stacionet e trenave me krenari futen në zemër të qytetit, duke krijuar lehtësi të jashtëzakonëshme për udhëtarët. Vetëm kështu i jepet përparësi në autobuzit dhe trenit të pensionistëve dhe jo bencit dhe Range Roverit të milionerëve që tashmë bllokojnë trotuaret e Tiranës.
Në modelin zhvillimor të qeverisë “socialiste” Rama pensionistët zhvendosen jo vetëm në periferinë e zhvillimit ekonomik por edhe në periferinë e qytetit. Kullat, marinat, apartamentet, kafenetë dhe restorantet në qendër nuk preken me pension. Me pension mund të jetosh vetëm në periferi. Ndoshta prandaj qeveria ka vendosur aty edhe stacionin e autobuzit.
Në qendër të modelit zhvillmor Rama janë ata që kanë kapital. Sa më shumë kapital ekonomik dhe politik të kesh aq më shumë përfitime financiare dhe tokë të jep shteti ynë. Nëse nuk më besoni pyesni dhëndrin e Donald Trump, zotin Jared Kushner, të cilit qeveria jonë së shpejti mund ti dhurojë Sazanin, dhe me siguri do i heqë edhe taksat për hotelin e tij me 7 yje ku jo vetëm pensionistët, por shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk do shkelin dot kurrë.
Ndërkohë sa më i varfër të jesh aq më pak përfiton nga qeveria dhe zhvillimi ynë ekonomik. Madje shpesh varfërohesh edhe më shumë si pasojë e rritjes marramendëse të cimimeve. Nëse nuk më besoni pyesni pensionistët, janë mbi 700 mijë.
- Gruas së Bashar al-Assad i japin shanset 50/50 për t’i mbijetuar leuçemisë! Ajo kërkon me ngulm të largohet… - 26/12/2024
- VIDEO / Si mund ta arrijë Berisha, qeverinë teknike?! Flet Spartak Ngjela - 26/12/2024
- “Në Borje, aty jeton një plakë treqind vjeçare që rrëfen kronikën dhe kujtesën e të gjitha kohërave…” - 26/12/2024