11.5 C
Tirana
21 / 12 / 2024

PD, kthehuni te njerëzit, e ka Rama pushtetin

Nga Ben Andoni

Sa më shumë kalojnë ditët, javët, muajt, aq më shumë shohim protagonizmin kallp të një grupi njerëzish të Partisë Demokratike, që nuk i kanë dhënë asgjë publikut dhe mëtojnë të marrin pushtetin për t’i shërbyer. E bojkotuan parlamentin, nuk morën pjesë në zgjedhje, prishën listat e njëri-tjetrit, u bashkuan më në fund me Berishën, që nuk i lanë gjë pa thënë thjesht të ishin të pëlqyeshëm për të huajt dhe tashmë i kopsitën gjërat me Socialistët për një varg gjërash në parlament, që e ndriçonin ndërkohë me flakadanët e shëmtuar të histerisë patetike. Bardhi & Co një nga fenomenet më të shëmtuar të grupimeve politike mëtojnë se po akuzojnë dhe po nxjerrin të palarat e pushtetit. Media e ka bërë shumë më mirë sesa ata prej vitesh. Në fakt, shteti ynë është sot cullak nga cinizmi i një pushteti të pafre dhe cinizmi të kryeministrit të vendit dhe të një vetëndjeri, që meriton studime sociologjike. Vallë pse individi shqiptar përkulet në këtë mënyrë? Pse nuk u nxor mësim nga vitet e komunizmit? Pse nuk bëri përshtypje grotesku dhe ashpërsia që e pasoi pushtetin berishian? Pse Rama po kalon në grotesk me ato që parashtron? Përgjigjet i merr nga bankat e nxënësve bosh  dhe nga konsumi i pakët dhe mbi të gjitha nga humbja e shpresës. Për këtë s’ka përgjigje. Përveç një konstatimi të thjeshtë, që këta njerëz, që mbushin parlamentin tonë dhe jo vetëm, bash këta që kontrollojnë sot çdo gjë, madje edhe mendjet “brilante” të rishtarëve të ekzekutivit “dinë gjithçka”. Me cinizmin e vet të lindur Bernard Shou e thoshte më bukur për bashkëkombasit e tij politikanë: “Politikani nuk di asgjë dhe mendon se di gjithçka. Kjo e përshfaq qartë një karrierë politike”. Kjo është edhe tragjedia e një force, ku shqiptarët presin shumë në një kohë kur ndryshimi është më shumë se i nevojshëm. E megjithatë veshët e njerëzve të PD-së janë dyllosur fort. Si britmë të vjen apeli i njërit prej misionarëve të dikurit të demokratëve, kur e përzunë dhe bërtisnin dhe kur Pashko vdiq shtyheshin në radhë për t’i shprehur keqardhjen “e pakufi”:   “…Unë nuk dua aspak t’ju mbush mendjen, sepse e di fare mirë rezultatin e kësaj mbledhjeje, e di fare mirë që në këtë sallë nuk vlejnë argumentet, përfundimi i saj është paravendosur,  por unë duhet t’ju kujtoj, se, kështu siç po bëni, është fati juaj i keq, që shkruat emrat në një listë, që do të mbetet në historinë e Shqipërisë, si lista e atyre që do të mbetet në historinë e Shqipërisë, si lista e tyre që votuan shkatërrimin e Partisë Demokratike, e partisë së parë antikomuniste në Shqipëri, mbi të gjitha do të jeni përgjegjësit e drejtpërdrejt të pasojave që kjo do të sjellë, me të tilla eliminime njerëzish edhe opinioni botëror do të distancohet prej jush”.

Mesazhin e kanë marrë, ndërkohë që Rama po e çelnikos pushtetin, rrethuar me servilë, ndërkohë që po shkon drejt udhës së një autokracie, pasojat e të cilës po i vuajnë të gjithë, por tek PD…veshët janë dyllosur për t’u hapur me njerëzit. 

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x