Jo vetëm për administratën amerikane, por për mbarë botën është ende e paqartë se si do të qeveriset në vazhdimin Venezuela. Në konferencën e parë pas arrestimit të ish-presidentit Nicolas Maduro, presidenti Donald Trump doli për prani ushtarake të pakufizuar në Venezuelë duke i bërë jehonë pushtimeve të kaluara të Irakut dhe Afganistanit, që të dyja përfunduan me tërheqjen e trupave amerikane.
“Tani do të veprojmë me shpejtësi. Ne do kemi ndikim në qeverisjen e vendit,” tha Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, duke iu përgjigjur pyetjes nëse Shtetet e Bashkuara do ta udhëheqin Venezuelën pas largimit të Maduros.
Rubio sqaroi se ky ndikim është një lloj “karantine” ushtarake që do të bllokojë anijet e sanksionuara. Gjatë paraqitjes në emisionin ‘This Week’ të televizionit ABC, Rubio mbrojti operacionin në Venezuelë për arrestimin e diktatorit Nicolas Maduro, duke nënvizuar se në këtë rast nuk është i nevojshëm autorizimi i Kongresit.
“Nuk ishte e nevojshme sepse ky nuk është një pushtim. Ne nuk pushtuam një vend. Ky ishte një operacion arrestimi. Ky është një operacion i zbatimit të ligjit”, tha Rubio.
Në një paraqitje tjetër televizive, kësaj here për rrjetin NBC, Rubio la të kuptohet se në radhë është Kuba.
Demokratët në SHBA e kundërshtuan veprimin e presidentit Trump. Udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer, i quajti “të nxituara”veprimet e presidentit.
“Shikoni, Maduro është një person i tmerrshëm, shumë i tmerrshëm. Por paligjshmëria nuk trajtohet me paligjshmëri. Dhe kjo është ajo që ka ndodhur këtu”, i tha Schumer gjithashtu emisionit “This Week” të George Stephanopoulos.
Maduro ndodhet në një qendër paraburgimi në Nju Jork në pritje të dalë para gjykatës. Ndërkohë mbetet e paqartë sesi do të qeveriset Venezuela.
Ndërsa shumë vende perëndimore kundërshtojnë Maduron dhe thonë se ai vodhi zgjedhjet e vitit 2024, shumë vende e kritikuan veprimin e SHBA-së dhe kërkojnë respektim të ligjit ndërkombëtar duke e zgjidhur krizën në rrugë diplomatike.
Trump thotë se Maduro organizoi trafikun e drogës drejt SHBA-së dhe qeverisi në mënyrë të paligjshme për shkak të manipulimit të votave.