Edhe këtë të mërkurë, kryeministri Edi Rama shpalosi planet e qeverisë për rritjen e pagës minimale, si dhe një rritje të përvitshme të pensioneve të parashikuar në buxhetin e vitit 2026, që i është çuar parlamentit.
“Sot me kostum, se për pak marrim në dorëzim Progres Raportin e Komisionit për Shqipërinë dhe kemi konferencën e shtypit.
Pa dyshim që pjesën e luanit në projekt-buxhetin e vitit 2026, që sapo ka shkuar në parlament e zënë pensionistët për të cilët e nisim vitin e ardhshëm me 100 milionë euro shtesë përveç indeksimit.
Në 2027 e dyfishojmë shtesën 200 milionë euro, plus indeksimi 45 milionë euro. Në 2028 e trefishojmë 300 milionë euro, plus indeksimi 46 milionë euro. Në 2029 e katërfishojmë 400 milionë euro, plus indeksimi 47 milionë euro. Në 2030 e pesëfishojmë 500 milionë euro, plus indeksimi 48 milionë euro.
Pra janë rreth 1,7 miliardë euro më shumë, që pensionistët do të marrin mbrapsht nga investimi i tyre për mandatin tonë të katërt qeverisës.
Por, nga 1 janari 2026 do të rritet edhe paga minimale, për 307.850 punonjës, të cilët do të marrin shumën e premtuar 500 euro, e cila do të jetë e para, por jo e vetmja rritje e këtij mandati, ku paga minimale do të arrijë 700 euro dhe jo vetëm kaq, por siç e kemi premtuar qeveria do të subvencionojë për një periudhë 9 mujore me 90 milionë euro, edhe shtesën e kostos së sigurimeve për të punësuarit në sektorin privat.
E pra ja kështu. Fiks kështu. Ky jam unë dhe këta jemi ne. Them dhe themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi dhe ato 83 mandate që ju na dhatë për të qeverisur Shqipërinë në mandatin e katërt dhe për ta ulur në tryezën e BE si të barabartë ndër të barabartët, janë 83 arsye më shumë se deri dje, për të mos fjetur gjumë, për të punuar papushim dhe për t’ju kthyer ju me të gjithë pasionin, vullnetin, këmbënguljen durimin dhe dashurinë e mundshme të gjithë atë, që ju na dhatë, një besim të jashtëzakonshëm që është privilegj i jashtëzakonshëm“, u shpreh Rama në videomesazhin e publikuar në rrjetet sociale.