33.5 C
Tirana
07 / 09 / 2024

Ora e parë shqiptare “Primordial Passion”, kryevepra e Pirros që mat kohën me një bukuri të përjetëshme

Nga Martin Leka

“Ky është i çmendur”. Kaq i thashë bashkëbiseduesit pasi u ndamë nga një bisedë dy orësh me Pirro Ruçon para më shumë se 6 vjetësh….

Gjysmën e bisedës na e mori vetëm për një produkt të ri që do të krijonte e prodhonte vetë: një orë. Orën e parë shqiptare.

Pirron e kam mik të vjetër dhe takohemi shpesh. Por, për punën e orës së tij, sa herë është trajtuar në bisedat tona për 6 vjet, po kaq herë dhe 6 vjet rresht kam menduar se po, “ky është i çmendur”.

Më dukej delirant, më dukej mendjemadh e egoist, më dukej jashtë realitetit… Fundja, unë e kisha në mendjen time të fiksuar: kjo është një pamundësi absolute, është një utopi.

Sot, kur orën e parë artistike shqiptare e kam parë, e kam prekur dhe e kam shijuar me shqisat e gjithë bukurive, mendoj se këto 6 vjet kur Pirro punonte për të realizuar orën e tij, “i çmenduri paskam qenë unë”…

***

Ora e parë shqiptare quhet Primordial Passion. Eshtë një magji. Eshtë në kufijtë e të pabesueshmes. Eshtë gati si një ëndërr. Simbolika e zgjedhur shkon përtej të zakonshmes së një artisti. Një patriot i madh dhe një atdhetar i vërtetë. Xhami transparent i orës në formë kupole, të bën të të duket vetja sikur nuk sheh akrepat për të matur kohën. Të bën ta ndjesh veten në një muze apo ekspozitë arti. Përreth fushës, janë skalitur në mënyrë fine, duke na dhënë një art të rrallë, dymbëdhjetë valltarë, të veshur me kostume tradicionale popullore.

-Pse ke zgjedhur këtë simbolikë me numrin 12, e pyes Pirron, mos ka lidhje me Apostujt? -Jo, janë dymbëdhjetë valltarë që përfaqësojnë dymbëdhjetë krahina të Shqipërisë, thotë Pirro, i cili vazhdon vetëm të flasë, me një pasion ciceroni që duhet ta ndërpresësh me ndonjë pyetje tjetër, pasi ai nuk pushon së foluri për rrënjët, traditat, kulturën, artin… -Domethënë, gjithë Shqipëria në një orë, e ndërpres, ndërsa vazhdon e vazhdon të flasë… Mikrostatujat, të punuara me dorë, janë një mrekulli më vete në ansamblin e madh të orës, ku në çdo pjesë të saj ka një aset të veçantë për tu admiruar. Në gjithçka të punuar me finesë e shije të hollë, ka një aliazh funksional mes teknikës moderne bashkëkohore dhe tradicionales. Gjithë punimi është si një skenë madhështore, në të cilën spikasin figurinat me detaje që tejkalojnë impresionet normale të shijeve estetike. Ora “Primordial Passion” përbëhet dhe është e punuar me materiale të çmuara dhe me mekanizëm zvicerian dhe rrip prej lëkure krokodili. Kjo e përbën orën jo vetëm një instrument të matjes së kohës, por një vlerë e shtuar arti dhe kulture. Kjo orë artistike e nivelit të lartë, siç shprehet shtypi i huaj, “prodhuar në një vend të vogël ballkanik në detin Adriatik dhe Jon”, shënon orët me figurina prej ari 18 karatësh, të larta 9-10 mm të gdhendura me precision mikron. Duart dypolorëshe të formuara si kthetrat e shqiponjës janë prej ari 18 karatësh. Shqiponja që është edhe emblema e Pirros, shfaqet në logon e dukëshme mbi skenën qendrore dhe në kurorë. Ekrani është një mozaik mikro prej qelqi Murano me gradient të kuq e të zi. Kapaku i pasmë i orës reflekton skenën tredimensionale në ekran, me valltarët e gdhendur në mikroreliev. Kasa e verdhë prej ari ka diametër 46.5 mm dhe me kristalin e lartë të kupolës ka lartësinë 22 mm. Këto janë vetëm disa të dhëna teknike për të pasionuarit pas orëve.

Për orën janë dashur ditë e netë e muaj e vite. Pirro tregon për një proces ku vetëm rrugët në Zvicër për të parë fabrikat, makinat e mekanizmat janë një odise më vete. I është dashur të projektojë e porosisë makina speciale për punimet ekstra mikron.

***

Pirro Ruço me orën e prodhuar në atelienë e vet në Tiranë që mban dhe emrin e tij, i ka dhënë emër e kredite jo vetëm atij, por edhe Shqipërisë. Do ta quaja të gjithën një akt të guximshëm dhe inovativ, rezultatin e të cilit duhet ta mësojnë të gjithë. Rezultante e gjithë kësaj pune 6 vjeçare është edhe çmimi që i kanë vënë orës specialistët e huaj të çertifikuar. Impresionues e marramendës…

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x