Nga Zamir MATI, Piktor i Merituar
Shkrimtari Kiço Blushi lindi më 23 gusht 1943 dhe sot do të kishte 80 vjetorin e lindjes së tij.
Është largimi dhe mungesa që në këtë ditë përkujtojmë shkrimtarin, skenaristin, gazetarin e guximshëm, kryeredaktorin e revistës letrare artiske «Nëntori», kryeredaktor i gazetës «Koha Jonë», përfaqësuesin në parlamentin shqiptar dhe në këshillin popullor të kryeqytetit, qytetarin e thjeshtë që dashuronte progresin jo vetëm të Korçës së tij të dashur e Tiranës ku jetoi e punoi, por të gjithë Shqipërisë e Kosovës.
Por kjo vëmëndje për ditën e lindjes së Kiço Blushit është në radhë të parë për veprat e tij, të cilat zënë një vend të rëndësishëm në letërsinë dhe artin tonë kombëtar.
Romani «Beni ecën vetë», «Pajtoni i fundit», Koka e prerë», «Mos» , filmat artistik me skenarë të tij «Beni ecën vetë», «Koncert në vitin 1936» , Çifti i lumtur», filmi historik monumental «Nëntori i dytë» me regjisor Viktor Gjika, muzikë kujtim Laro dhe bashkëautor skenarist Kiço Blushi, Dhimitër Shuteriqi janë vepra të cilat dëshmojnë për vlera artistike të vërteta, janë vepra të cilat qëndrojnë në themel të artit tonë kombëtar, janë vepra artistike, historike të cilat gjithmonë do të pëlqehen dhe do të plotësojnë më mirë njohjen e një kohe, janë vepra letrare e artistike në të cilat shkrimtari, skenaristi ka skalitur personazhe historike dhe figura të vërteta jetësore. Kjo skalitje prej mjeshtri ishte edhe bashkëpunimi e sidomos miqësia e respekti për artistët e filmit dhe teatrit shqiptar Sandër Prosi, Bujar Lako, Robert Ndrenika, Reshat Arbana, Mario Ashiku, Rikard Ljarja, Viktor Zhusti, Mirush Kabashi, Bep Shiroka, Pandi Raidhi, Yllka Mujo, Erion Mustafaraj, etj.
Ashtu si figurën e Ismail Qemalit apo të Luigj Gurakuqit në filmin «Nëntori i dytë», Kiço Blushi dëshironte të kishte një ditë në filmin shqiptar edhe figurën e Ali Pashë Tepelenës për të cilin shkroi romanin «Koka e prerë» në ditët e fundit në kështjellën e Liqenit të Janinës. Pa tjetër që trajtimi i figurës së Ali Pashë Tepelenës në film do të ishte interesant dhe me plot karakter, kjo edhe pse eksperienca e Kiço Blushit në trajtimin e temave e figurave historike ishte si rezultat i krijimtarisë së tij të vyer për emisionin e njohur të kohës «Heroizmi i popullit tonë në shekuj» të Radio Tiranës, një emision me informacion dhe figura historike i transmetuar gjatë viteve.
Romani «Koka e prerë» për të cilin kam realizuar disa tablo pikture 60×60 cm të cilat mund të shoqërojnë kapitujt e tij në një ribotim të afërt, mund të frymëzojnë kineastë për realizimin e një filmi historik sipas romanit të shkrimtarit dhe skenaristit Kiço Blushi.
Ishte dëshira e tij ribotimi i romanit «Beni ecën vetë» dhe shoqërimi i 30 kapitujve të këtij libri me 114 vizatime me ngjyra botuar nga SHBLSHeRE,Tiranë. Roman i cili tashmë është nga më të dashurit për fëmijët dhe plotëson në edukimin e tyre me dashurinë për natyrën, njohjen e fshatit, dashurinê për kafshët, dashurinë për familjen, shokët e traditën patriotike.
Për mua ishte një premtim i dhënë dhe një nder të cilin ma propozonte shoku dhe miku im i shtrenjtë Kiço, të cilit gjithëherë në e-mailet e mija i drejtohesha: -Vëllai im i dashur Kiço…
Libri i ribotuar doli në vitin 2021 dhe së bashku me «La Maison de l’Albanie» në Paris organizuam ekspozitën me 114 punime me ngjyra të cilat përfshihen në libër dhe promovimin e këtij ribotimi që u ndoq me interes nga dashamirësit e kësaj qëndre kulturore. Është pikërisht shkrimtari Kiço Blushi që në takimin e parë në Paris i vuri edhe emrin hapsirës sonë kulturore pranë sheshit «Denfert Rochereau» shtëpia e Shqipërisë «La Maison de l’Albanie» dhe me kujdesin e tij shkroi në shtypin e Tiranës jo vetëm për këtë shtëpizë të vogël të kulturës por edhe për miqtë e tij ideator të ngritjes së kësaj qëndre si ing. Gjergji Themeli, shkrimtarin Luan Rama, studiuesin e gjuhëve të vjetra mesdhetare Gjergji Leka, profesorin e gjuhës frënge në Universitetin e Parisit Agron Hasku dhe piktorin Zamir Mati.
Së bashku ne ndoqëm ato ditë qëndrimi aktivitetetet tona dhe pa tjetër ftuam Mira dhe Kiço Blushin në Takimin ndërkombëtar të balonave në qytetin Dieppe të Normandisë në muajin shtator 2014. Për mua dhe grupin tonë “Kites, Blue, Skay, Albania” Francë prania në fluturimin së bashku të tre balonave Kuq e Zi 1,20m x 130m të Mirës dhe Kiços ishte një ndër kujtimet më të pashlyera jo vetëm për kënaqësinë e këtij instalacioni emocionues, për nga ngjyrat tona kombëtare, midis formave dhe ngjyrave të një manifestimi madhështor ku mernin pjesë balonistë nga më të shquarit botërorë…për mua ishte i njëjti emocion si shumë vite më parë kur Kiço Blushi vinte plot dëshirë në fushën e aviacionit të Tiranës të ndiqte fluturimet e para të kësaj loje dhe të shkruante në gazetën «Zërin e Popullit» plot respekt e dashamirësi për këtë lojë simbol të pastërtisë, pranverës dhe lirisë. Është guximi i një qytetari, i një publicisti si Kiço Blushi i cili shihte në një lojë të thjeshtë më shumë se një lojë, është po ky guxim i cili në forume të rëndësishëm të partisë në pushtet të kërkonte lejimin, hapjen, zhvillimin ndaj traditave shekullore dhe si të vetmen mundësi të hapjes e lidhjeve normale me botën lejimin e hapjen e institucioneve fetare. Kiço kërkonte si gazetar por në radhë të parë si qytetar të shihte në qytete si Shkodra, Korça, Vlora me Nartën karnavalet si simbol të talljes me të keqen e të shëmtuarën por edhe si simbol i gëzimit qytetas.
Ishte në natyrën e tij respekti ndaj shokëve dhe familjeve të tyre, janë të pa harruara mbrëmjet e vitit të ri, mbrëmjet e gëzuara midis shokësh e shoqesh, eskursionet në vende të njohura historike apo vende të bukura të natyrës shqiptare. Ashtu si edhe tavolinat e zhurmshme midis shokësh ditëve të shtuna e të paqta e plot hare të dielave së bashku me bashkëshortet, shoqet e jetës.
Së bashku me Astridën, Mirën dhe Kiçon kemi vajtur në Kosovë tek miqtë tanë Valdete dhe Eshref Qahili, kemi takuar piktoren qeramiste Blerta Suroi dhe jemi ndalur e kemi vizituar qytetin ku u mblodh Lidhja e Prizerenit.
Po, jemi ftuar edhe në Dardhë të Korçës, këtij fshati magjepsës ku edhe unë kam kaluar qëndrime krijuese vite më parë, por ftesa ishte së bashku me miqtë tanë nga Kosova, Valdeti, mësuesja e gjuhës angleze dhe Eshrefi, piktor dhe pedagog i akademisë së arteve Prishtinë.
Në ardhjet e fundme në Shqipëri e kisha të vështirë të zgjidhja udhëtimet të cilat më propozonin «dy vllezërit», Ilir Mati dhe Kiço Blushi. Iliri tashmë një guide turistike dhe «vëlla» Kiço me Mirën që do më çonte të shihnim «Mrizin e Zanave» në Fishtë të Lezhës. Do të më çonte gjithashtu në Korçë ku do të na prisnin vëllezët e tij, do shkonim në Prespë, në këtë kënd të Atdheut ku së bashku me Kiçon do të flisnim për bukurinë natyrore dhe të ardhmen e padiskutushme të bregliqenit e zonës që e rrethon. Bisedat me Kiçon gjithëherët ishin të pëziera me kujtime, me opinione edhe për politikë, me mendime të veprave të reja të shkruara prej shkrimtarësh apo realizuara prej artistësh.
Nuk më harrohet kur sapo ishte botuar libri «Koncert në fund të dimrit» i shkrimtarit Ismail Kadare, Kiço Blushi më thotë: -…është shumë lart tani … duke nënkuptuar dhe vendosur shkrimtarin e talentuar akoma më lart se Olimpi ku «zotat» nuk luajnë më asnjë rol…
Ai i shihte me kënaqësi arritjet e letërsisë dhe arteve.
Kiço Blushi nuk nguronte të vlerësonte edhe ata që sapo kishin filluar rrugën e poetit a shkrimtarit dhe pa asnjë ngurim do të vlerësonte vargjet e poetes se re Mimoza Ahmeti.
Kam ndjerë kënaqësi të veçantë kur gazetarja e talentuar e kulturës Fatmira Nikolli gjatë një interviste për artistin dhe shkrimtarin Rikard Ljarja dhe kur më pyeste për njohjet e mija më thotë: -…shumë herë kur kisha ndonjë dyshim a problem për çështje të vështira pyesja Kiço Blushin…i cili gjithëherët ishte i sjellshëm dhe nuk kursehej duke dhënë këshilla të vlefshme…përveç se gazetar i zot,i mbi të gjitha ishte njeri…
Pikërisht vlerat e krijimtarisë së tij por edhe vlerat e qytetarit, publicistit të guximshëm kanë bërë që emrin Kiço Blushi ta ketë një nga shkollat e reja të kryeqytetit ashtu siç në vitet ’80.
Ai u zgjodh kryetar i Shoqatës Sociologjike, anëtar i Këshillit Presidencial në një moment të vështirë të ndryshimeve demokratike apo deputet i Parlamentit Shqiptar.
Është në nderin e intelektualëve të shquar vlerësimi për shkrimtarin Kiço
Blushi dhe krahas shokëve, miqve, shkrimtarëve, skenaristëve, artistëve, piktorëve, gazetarëve janë edhe emrat e Albert Shala, Agron Çobani, Luan Rama, Rikard Ljarja, Robert Ndrenika, ing Spiro Konduri, Enver Muça, Nasi Lera, Diana Çuli, Limoz, Dizdari, Kreshnik Tartari, fizikant Gjergji Leka, Kujtim Buza, Eshref Qahili, Leka Bungo, Artur Zonja, Petrit Ymeri, Stefan Komino, Gëzim Podgorica, avokatët Fatmir Braka, Fatmir Malëshova, Virgjil Karaj, etj dhe si në një monument të kujtesës kombëtare gdhënden prej akademikut Rexhep Qosja këto fjalë të arta për Kiço Blushin: «Të gjithë ata që e njohën, të gjithë ata që e takuan siç pata fatin ta njoh e ta takoj edhe unë. Me fjalën e tij gjithmonë të ndershme, gjithmonë të qartë e të vendosur, me përkushtimet e tij mendore e ndjenjore ndaj të drejtës e të vërtetës, ai ushtroi ndikim çlirues, përparues, qytetërues, demokratizues në jetën e në krijimtarinë shpirtërore shqiptare… dhe vepra e tij, emri i tij mbesin».
- Portreti i një ylli skenik, vezullimi i të cilit shkëlqen në yjësinë e traditës shqiptare të artit - 20/06/2025
- Rinumërimi në Tiranë/ Hapen 275 kuti, kush janë deputetët që kanë humbur apo fituar vota - 20/06/2025
- Plani i Albin Kurtit për ndërtimin e 2 urave të reja mbi lumin Ibër, reagon BE: S’jemi në dijeni! - 20/06/2025