Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, ka thënë gjatë një vizite në Lituani se, NATO-ja duhet të bëjë më shumë për të garantuar sigurinë e përbashkët dhe që ta mbrojë veten nga çfarëdo veprimi agresiv i Rusisë.
“Fakti është që ne, NATO-ja, duhet të bëjmë më shumë për sigurinë e përbashkët, sepse ne nuk mund ta dimë sa larg shkojnë iluzionet e (presidentit rus, Vladimir) Putin”, ka thënë Lambrecht, teksa ka vizituar trupat gjermane të angazhuara në shtetin baltik.
“Ne kemi dëgjuar kërcënimet e Rusisë në Lituani, e cila ka zbatuar sanksionet evropiane në kufi me Kaliningradin. Këto nuk janë kërcënimet e para dhe ne duhet t’i shohim me seriozitet dhe të jemi të përgatitur” ka thënë ajo.
“Siguria e Lituanisë është siguria e Gjermanisë. Është ky premtim për siguri të përbashkët për të cilin duhet të përkushtohemi sot”, ka thënë ajo në bazën ushtarake Rukla të Lituanisë.