7.1 C
Tirana
25 / 11 / 2026

Miss Universe 2026/ Për herë të parë në histori, kurorën e më të bukurës në botë e fiton një nënë

Përfaqësuesja e Porto Rikos triumfoi në edicionin e 75-të të konkursit të bukurisë, duke i dhuruar vendit të saj kurorën e gjashtë në historinë e Miss Universe.

Jennifer Barreto, përfaqësuesja e Porto Rikos, është shpallur fituese e Miss Universe 2026. 27-vjeçarja triumfoi në finalen e zhvilluar më 24 nëntor në San Juan, në edicionin e 75-të të konkursit ndërkombëtar të bukurisë.

Fitorja e saj shënon një moment historik, pasi Barreto bëhet gruaja e parë nënë që fiton titullin Miss Universe. Ajo mori kurorën nga paraardhësja e saj, Fátima Bosch, përfaqësuesja e Meksikës që fitoi konkursin në vitin 2025.

Në garë morën pjesë 116 konkurrente nga vende dhe territore të ndryshme të botës. Me këtë triumf, Porto Riko siguron kurorën e gjashtë në historinë e konkursit, duke rikthyer titullin në vend pas 20 vitesh.

Kush është Jennifer Barreto?

Jennifer Barreto është 27 vjeçe dhe vjen nga Porto Riko. Ajo ka përfunduar studimet universitare në psikologji dhe zotëron dy diploma masteri, në psikologji dhe punë sociale klinike.

Përveç angazhimit në botën e konkurseve të bukurisë, ajo ka një karrierë në fushën e mbështetjes sociale. Sipas revistës Parade, Barreto punon si specialiste e parandalimit pranë Departamentit të Mbrojtjes të Ushtrisë Amerikane, ndërsa është angazhuar edhe në çështje që lidhen me mbrojtjen e fëmijëve, dhunën në familje dhe ndërhyrjen në situata traumatike.

Ajo është gjithashtu nënë e një vajze shtatëvjeçare, të quajtur Penelope.

Pesë finalistët e Miss Universe 2026

Krahas fitueses nga Porto Riko, në pesëshen finale u renditën edhe:

Melissa Núñez – Republika Dominikane
Clara Vegas – Venezuela
Bea Millan-Windorski – Filipine
Georgia Waddington – Zelanda e Re

Edicioni i 75-të u zhvillua në Coliseo de Puerto Rico José Miguel Agrelot, në San Juan. Organizatorët kanë njoftuar se edhe edicioni i ardhshëm i Miss Universe do të mbahet në Porto Riko.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x