Nga Mero Baze
Ka një debat rreth mëdyshjeve të disa vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për të arritur tek një draft i Pozicionit të Përbashkët të Bashkimit Evropian për mbylljen e negociatave me Shqipërinue.
Besoj se mëdyshjet në disa vende ekzistojnë dhe do na shoqërojnë deri në fund të procesit. Por jo për arsyet me të cilat bëhet politikë në Shqipëri, po me arsyet e vërteta me të cilat Shqipëria përballet me standardet e Bashkimit Evropian. Dhe për këtë jemi të gjithë të vetëdijshëm se ne kemi një sërë gropash të dukshme dhe të padukshme për t’u bërë vend evropian dhe vetëm një vullnet i fortë i Bashkimit Evropian mund ta bëjë realitet ëndrrën tonë.
Pastaj nëse shikojmë më tej dhe skanojmë arsyet pse disa vende janë kundër, mund të dalim dhe në pista të tjera që është mirë mos t’i debatojmë pasi çimentojmë pozicionet e tyre të përhershme kundër Shqipërisë.
Ndaj është mirë që debati për mëdyshjet evropiane për Shqipërinë të mbetet tek pikëpyetjet evropiane dhe jo tek dokrrat e opozitës në Shqipëri, alternativa e së cilës sa i përket rezervave që kanë për qeverinë Rama është ku e ku më e zezë.
Fjala vjen një nga argumentet për të cilat gëlojnë portalet e opozitës është se këto vendet e BE po mëdyshen se Edi Rama ka mbrojtur Belinda Ballukun para drejtësisë. Në fakt Edi Rama nuk e ka mbrojtur Belinda Ballukun, ka mbrojtur kufijtë e ligjshmërisë së ndërhyrjes së drejtësisë në kompetencat e qeverisë. Çështja Balluku ishte shkaku i kësaj beteje, por nuk ishte arsye mbrojtja e Ballukut. Siç jemi dëshmitarë zonjës Balluku iu pranua dorëheqja dhe ajo është një deputete e thjeshtë në Kuvend që po përballet me drejtësinë. Mandat për paraburgosje nuk ka pse jep jo për Ballukun por as për Berishën nëse ia kërkojnë.
Tani le të shkojmë tek alternativa që po trumbeton këtë bllokim. Nëse BE ka ndonjë mëdyshje për Shqipërinë rreth karshillëkut ndaj drejtësisë së re, cila është alternativa e qeverisë në këtë vend? Alternativa opozitare është një plak 82-vjeçar “non grata” në SHBA dhe Britani të Madhe, që del dy herë në muaj para SPAK me kamikazët e vet, shajnë me libër shtëpie prokurorët e SPAK dhe i denigrojnë ata pse kanë marrë të pandehur Sali Berishën dhe vajzën e tij.
Alternativa e qeverisë që po negocion me BE, është partia e një plaku 82-vjeçar ku përjashtohet çdo i ri apo e re, që i shkon në mendje të futet në garë për kryetar.
Alternativa është një parti, ku kryetari aktual, është në shkelje të plotë të ligjit nëse kandidon për kryetar pasi bie në kundërshtim me statutin e asaj partie, miratuar dhe propozuar prej vetë atij se një kryetar humbës nuk duhet të kandidojë më.
Pra çdo gjë që bën Sali Berisha në krye të asaj partie dhe në emër të asaj partie është e tëra antievropiane.
Vërtet mendoni që kjo alternativa tjetër na hap rrugët në Evropë dhe kjo e sotmja na i mbyll për shkak të ndërhyrjes në drejtësi. Duhet të jesh shumë i pacipë që të luftosh me themel nga dita e parë drejtësinë e re dhe pastaj pas dhjetë vitesh të thuash që qeveria nuk po i bindet drejtësisë së re, ndaj po dështojmë.
Ndaj këto lotët e krokodilit për Bashkimin Evropian ruajini kur të ndaheni me Berishën nga kryetar i partisë që është marrë peng pikërisht për shkak të “non grata-ve” amerikane dhe britanike ndaj tij.
Deri atëherë, le të shpresojmë që vendet e BE do kenë më shumë mëshirë për Shqipërinë se sa Sali Berisha.
- Amnesty International kritika Trump: Deklaratat e tij po përshkallëzojnë tensionet - 07/04/2026
- Mëdyshjet e BE-së ndaj Shqipërisë dhe mëdyshjet e opozitës për të qenë me BE-në - 07/04/2026
- Negociatat me BE-në, Shqipëria në pritje të “dritës jeshile”/ Këshilli kërkon kohë: Duhen bisedime të tjera - 07/04/2026