Teksa në Shqipëri dhe Kosovë, i gjithë opinioni publik dhe qarqet e larta të politikës zyrtare ka qenë sy e veshë ndaj fjalimit të kryeministrit Edi Rama në Këshillin e Evropës, ku kërkoi të pastrohen nga akuzat udhëheqësit kosovarë që mbahen sot në burg në Hagë, kryeministri kosovar deklaroi se nuk e ka dëgjuar fjalën e homologut shqiptar.
“Nuk di a kam kontribuar në fjalimin e Edi Ramnës, sepse nuk e kam dëgjuar. Kam qenë në Pejë sot dhe tërë ditën nëpër takime të ndryshme e në mbrëmje vonë përpiqem që të updatohem”, tha ai në konferencën e përbashkët për media me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës ka thënë se faktorët ndërkombëtar do të duhet të mobilizohen për ndjekjen e krimeve që Serbia i ka kryer në Kosovë.
Ai ka thënë se qëndrimet dhe kundërshtimin e tij për Gjykatën Speciale i ka shprehur në kohën kur është themeluar ajo dhe se nuk ka çka të shtojë.
“Mund të them që Dhomat e Specializuara nuk janë karakterizuar nga transparenca, nuk mund të lavdërohen për transparencë dhe gjithashtu së shpejti bëhen dy vjet që kemi mbajtje në paraburgim pa një datë gjykimi. Mbi të gjitha besoj që faktorët ndërkombëtar do të duhej të mobilizohen që krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nga forcat e Serbisë të ndiqen dhe gjithashtu përgjegjësit dhe fajtorët të gjykohen dhe dënohen. Andaj kudo që flet në arenën ndërkombëtare do të duhej nga faktorët ndërkombëtar ta trajtojë këtë çështje sepse në Kosovë ka ndodhur gjenocidi për ta ndaluar ka intervenuar NATO dhe kemi pa numër krime të pa adresuara. Pra nuk mund të flasësh për luftën në Kosovë dhe ta mbrosh Kosovën pa e adresuar krimin e Serbisë në Kosovë”, ka thënë Kurti.