11.5 C
Tirana
20 / 01 / 2026

Mblidhet Byroja e Kuvendit/ Rrëzohet kërkesa e PD për mbledhje të hapur, opozita akuza mazhorancës për mungesë transparence

Është mbledhur këtë të martë Byroja e Kuvendit, ndërsa deputetë të opozitës kanë ngritur akuza të forta ndaj mazhorancës për mungesë transparence dhe kufizim të rolit opozitar.

Deputeti demokrat Belind Këlliçi deklaroi se Kuvendi është “bunkerizuar”, ndërsa kërkesa e opozitës për praninë e mediave në mbledhje është refuzuar. Sipas tij, kjo përbën shmangie nga transparenca dhe është e papranueshme.

“E keni bunkerizuar Kuvendin e Shqipërisë. Kemi kërkuar praninë e mediave në këtë mbledhje por ju i shmangeni transparencës. Ko është e papranueshme. Nuk mund të vazhdohet kështu. Niko Peleshi, nuk do duhej ti shmangej kësaj mbledhje. Ju me gardë keni marrë zvarrë opozitën ndërkohë që jeni kthyer në mburojë të krimit dhe korrupsionit”, u shpreh Këlliçi, duke shtuar se Kryeparlamentari Niko Peleshi nuk duhej t’i shmangej kësaj mbledhjeje. Ai akuzoi mazhorancën se, nën mbrojtjen e Gardës, ka dhunuar opozitën.

Edhe deputeti demokrat Flamur Noka reagoi ashpër, duke deklaruar se mazhoranca synon të mos ketë opozitë dhe t’i mbyllë zërin asaj.

“Jemi të qartë që, kërkoni që të mos ketë opozitë, ti mbyllet zëri opozitës, ti hiqni të drejtat opozitës. Këtë nuk e ndalon dot. Na jep fjalën. Fusni mediat brenda”, tha Noka.

Tensionet në Kuvend vijojnë, ndërsa opozita paralajmëron për përshkallëzim të reagimit politik nëse, sipas saj, nuk respektohen të drejtat kushtetuese dhe transparenca parlamentare.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x