30.7 C
Tirana
27 / 07 / 2026

Mazhoranca miraton me 74 vota marrëveshjen me SHBA për modernizimin e ushtrisë

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 74 vota pro të mazhorancës socialiste marrëveshjen e huasë prej 302 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila ka për qëllim blerjen e pajisjeve ushtarake sipas standardeve të NATO-s. Fondet e alokuara nga ky financim parashikohet të disbursohen në mënyrë graduale, sipas nevojave operative të Ministrisë së Mbrojtjes.

Shqyrtimi dhe votimi i projektligjit u zhvilluan në një seancë me dyer të mbyllura. Mazhoranca argumentoi se procedura e përshpejtuar dhe me dyer të mbyllura erdhën si pasojë e pranisë së informacioneve të klasifikuara në dokumentacionin shoqërues. Nga ana tjetër, deputetët e Partisë Demokratike bojkotuan seancën parlamentare, duke e konsideruar procedurën e ndjekur si antikushtetuese, ndonëse deklaruan se parimisht mbështesin fuqizimin e ushtrisë përmes kësaj marrëveshjeje.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e vlerësoi ratifikimin e marrëveshjes si një hap me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare dhe si dëshmi të partneritetit me Uashingtonin.

“Kjo është një marrëveshje historike për Shqipërinë, një marrëveshje me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare të vendit. Ajo konfirmon marrëdhëniet e shkëlqyera të Shqipërisë me aleatin e saj të madh, SHBA-në. Shqipëria është një aleat i besueshëm i SHBA-së dhe një aleat i denjë i NATO-s,” u shpreh Balla gjatë fjalës së tij, duke kritikuar gjithashtu qëndrimin e opozitës ndaj procedurës parlamentare.

Opozita: E mbështesim investimin, por mungon transparenca

Përfaqësuesit e opozitës ngritën rezerva për sa i përket procedurës së ndjekur në parlament dhe menaxhimit të buxhetit të mbrojtjes nga ana e qeverisë. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, theksoi se opozita nuk e kishte në dispozicion tekstin e plotë të dokumentit për shkak të nxitimit procedural, ndonëse e cilësoi investimin si të nevojshëm.

“Kushtetuta për ju është firma e Edi Ramës, për ne është kontrata që kemi lidhur me qytetarët shqiptarë. Na foli për marrëveshje historike, keni pasur 14 vite kohë për të plotësuar buxhetin e sigurisë, na flet ti ne që s’kuptojmë marrëveshjen? Më pak se 2% është buxheti i mbrojtjes së Shqipërisë në shkelje të angazhimit në NATO ndërkohë që Rama mburret publikisht duke gënjyer. Qeveria po përpiqet të korrigjojë me nxitim dëmin që i shkakton besueshmërisë së Shqipërisë. Ne nuk e disponojmë marrëveshjen, s’na është vënë në dispozicion. Marrëveshja është e mirëpritur sepse Shqipërisë i duhen investime të tilla. Reagimi është i vonuar,” deklaroi Bardhi.

Pavarësisht përplasjeve procedurale dhe bojkotit të opozitës gjatë momentit të votimit, marrëveshja u votua me 74 votat e mazhorancës, duke i hapur rrugën nisjes së zbatimit të programit të modernizimit për Forcat e Armatosura.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x