Presidenti francez Emmanuel Macron ka nisur vizitën e tij të katërt zyrtare në Kinë këtë të mërkurë në një sfond tensionesh në rritje me Pekinin, pasi përplasje ka pasur për luftën në Ukrainë e deri te debati për çekuilibrat e mëdha tregtare në favor të gjigantit aziatik.
Presidenti francez, avioni i të cilit u ul pak pas orës 5 pasdite sipas orës lokale në Pekin, do të takohet me homologun e tij kinez Xi Jinping në Sallën e Madhe të Popullit të enjten. Të dy udhëheqësit do të takohen përsëri të premten në Chengdu, në provincën jugperëndimore të Sichuan, për një takim më informal.
Emmanuel Macron, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Brigitte, u prit nga ministri i Jashtëm kinez Ëang Yi. “Ju falënderoj shumë për praninë tuaj sonte dhe për gjithë punën që do të bëjmë së bashku”, tha mikpritësi i tij kinez.
Një program privat e pret atë në kryeqytet, me një vizitë në “Kopshtin e Perandorit Qianlong” të rinovuar rishtazi në Qytetin e Ndaluar, e më pas darkë.
Emmanuel Macron shoqërohet nga gjashtë ministra (Punët e Jashtme, Ekonomia, Bujqësia, Mjedisi, Arsimi i Lartë, Kultura) dhe 35 krerë të grupeve të mëdha (Aibus, EDF, Danone) dhe më shumë bizneseve familjare, nga mallrat luksoze deri te produktet agro-ushqimore.
“Ne duam, dhe kjo do të jetë tema e bisedës strategjike me Presidentin Xi Jinping, që Evropa të respektohet si një partnere kryesore e Kinës”, këmbënguli Elizeja para vizitës.
Tema e parë në tryezën e bisedimeve do të jetë lufta në Ukrainë dhe siguria e Kontinentit të Vjetër, ndërsa Presidenti rus Vladimir Putin ditën e djeshme përsëriti kushtet e tij, kryesisht territoriale, për një marrëveshje paqeje.
Emmanuel Macron do t’i bëjë thirrje përsëri Xi Jinping të ushtrojë “ndikimin” e tij mbi Rusinë, partneren strategjike të Kinës, në mënyrë që ta bindë atë të pranojë një armëpushim.
Edhe pse bën thirrje rregullisht për negociata paqeje, Kina nuk e ka dënuar kurrë Rusinë për pushtimin e Ukrainës dhe kundërshton sanksionet kundër saj. Ajo vazhdon të furnizohet me hidrokarbure prej saj, ndërsa Bashkimi Evropian ra dakord sot të ndalojë importet e gazit rus në vjeshtën e vitit 2027 me qëllim që ta privojë Moskën nga një të ardhur që financon luftën në Ukrainë.
- Mustafa Nano: Edi Rama po drejton arrestimet e SPAK, konspiracion dhe një gjepur kolosale - 03/12/2025
- Macron mbërrin në Pekin, nesër takimi me Xi Jinping, do të kërkojë forcim të raportit me BE - 03/12/2025
- “Pashë një baba në varreza që përkundte arkivolin e bardhë të djalit të tij”, zonja e Parë e Ukrainës: Nuk do të doja që Europa të bëhej e pandjeshme, mos na harroni - 03/12/2025