Sot Tirana do të jehojë nga thirrjet për drejtësi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë si të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Protesta mbarëkombëtare do të zhvillohet në orën 17:00, në Sheshin “Skënderbej”.
Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati në një konferencë për media më 14 tetor, tha se në këtë tubim do të mbajë fjalë ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Po ashtu, ai theksoi se nga Kosova drejt Tiranës do të nisen 60 autobusë.
Ndërkohë pritet të marrin pjesë edhe ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu. Kreu i grupit të PS, Taulant Balla ka deklaruar gjithashtu se deputetët e mazhorancës do ta mbështesin këtë protestë dhe pritet të jenë pjesë e saj.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka njoftuar sot se Rruga e Kombit do të jetë pa pagesë për 24 orë.
Partia Demokratike e Shqipërisë ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në tubim. I vetmi që i ka dalë nga “rreshti” Sali Berishës, ishte Fatmir Mediu, që në seancë e djeshme plenare tha se do të jetë i pranishëm në protestë.
Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dalë në mbështetje të protestës. Në një konferencë për media, Osmani theksoi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë.
Përparim Rama, kryetari i Bashkisë së Prishtinës, dhe Lutfi Haziri, një nga drejtuesit kryesorë të LDK-së, do t’i bashkohen tubimit në mbrojtje të ish krerëve të UÇK-së.
Kryebashkiaku Rama ka njoftuar se ka nënshkruar një shkresë, e cila mundëson transport falas për të gjithë veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që do të protestojnë në Tiranë.
Kryeministri Albin Kurti përdori faqen zyrtare të partisë së tij, Lëvizja Vetëvendosje, për të dhënë një qëndrim për protestën, ku një sulm rezervoi edhe për kryeministrin Edi Rama.
Por, Kurti ‘harroi’ që protesta nuk është organizuar nga qeveria shqiptare, por nga veteranët, të cilët protestën e tretë kanë zgjedhur që ta mbajnë në Tiranë dhe ftesën për pjesëmarrje ja kanë bërë dy krahëve të politikës, edhe PS edhe PD.
Një tjetër protestë është mbajtur në Hagë, më 14 shtator, një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes, ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin. Protesta është mbajtur në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale, ku morën pjesë rreth 10 mijë shqiptarë nga e gjithë bota.
- “Gjykata e Hagës do të përfundojë një hiç”, Fatos Klosi mbron ish-drejtuesit e UÇK-së: Nuk u dhamë asnjë fishek, vetëm informacion - 17/10/2025
- Berisha dhe Kurti bojkotojnë protestën për UÇK-në, Çupi: Tregojnë fytyrën e tradhtarëve të kombit - 17/10/2025
- Me flamuj kuq e zi dhe këngë patriotike, qytetarët e parë nga Kosova drejt Tiranës për protestën: Kërkojmë drejtësi për çlirimtarët tanë - 17/10/2025