14.5 C
Tirana
19 / 09 / 2024

LE TË SHPRESOJMË SE ZEMRA ARTIFICIALE “AESON“ NESËR DO TË SHPËTOJË MILIONA JETË NJERËZISH

Humbja e aftësisë së zemrës për të luajtur rolin e saj si pompë që ushqen organizmin me gjak quhet pamjaftueshmëri (insuficiencë) kardiake. Në këtë mënyrë, zemra nuk i përgjigjet nevojave energjetike të trupit, qelizat e të cilit kanë nevojë për oksigjen dhe lëndë ushqyese.

Për fat të keq shanset për t’u prekur nga pamjaftueshmëria e zemrës në botë po rritet nga viti në vit. Kjo patologji përbën shkakun e parë të vdekjeve në botë. Vetëm në Francë gjatë një viti shtrohen në spital 150 000 pacientë, nga të cilët gjysma humbasin jetën.

Megjithë progresin e jashtëzakonshëm mjekësor, kur të gjitha mundësitë konsumohen, nuk mbetet gjet tjetër veçse të bëhet transplanti i zemrës. Por nuk është kaq e lehtë të gjesh një zemër të shëndoshë. Pacientët duhet të presin me muaj e vite për të gjetur një zemër të tillë, ndaj dhe shumica e tyre vdesin pa u ardhur radha për këtë përfitim. Jo vetëm kaq por edhe suksesi i transplanteve kardiake nuk është i sigurt. Kjo është arsyeja pse kërkuesit po punojnë prej vitesh për prodhimin e një zemre artificiale (protezë kardiake) e cila duhet të jetë e pajtueshme me trupin e përfituesit.

Një sipërmarrje franceze biomjekësore, Carmat, ka vite të tëra që punon për prodhimin e një zemre të tillë. Ndërhyrja e parë për transplantin e një zemre të tillë u realizua në Francë në fund të vitit 2013. Qysh atëherë e deri më sot janë realizuar një sërë transplantesh të tilla, por për fat të keq pacientët nuk kanë mundur të jetojnë më gjatë se disa muaj.
Në mungesë të suksesit Shoqëria Carmat, në fund të vitit 2021 pezulloi procedurën e transplanteve me qëllim që të korrigjonte defektet e mundshme që ishin shkak i mbijetesës së shkurtër të pacientëve.

Pas përmirësimit të dy përbërësve të kësaj proteze Shoqëria Carmat njoftoi më 6 tetor të këtij viti se ka rimarrë autorizimin për të rifilluar transplantet gjatë vitit 2023 të paktën në 52 pacientë me insuficiencë kardiake në Francë. Të dhënat që do të mblidhen do t’u japin mundësi kërkuesve të bëjnë përmirësime të mëtejshme me shpresën se një ditë proteza “Aeson “ e shoqërisë Carmat (më e mira në botë deri më sot) do të shpëtojë miliona jetë njerëzore.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x