25.5 C
Tirana
17 / 06 / 2025

Kryeprokurori Çela: Sistemet e drejtësisë shqiptare, në rrugën e duhur të harmonizimit me standardet e BE-së

Thelbësore është të vendosim objektiva realiste. Kështu u shpreh sot Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, gjatë Forumit Konsultativ të Prokurorëve të Përgjithshëm dhe Specialë të Ballkanit Perëndimor.

Ai theksoi se sistemet e drejtësisë shqiptare “janë në rrugën e duhur të harmonizimit me standardet e Bashkimit Europian”.

“Shpresoj që dita e sotme të vlejë pozitivisht duke përcaktuar qartë trajektoren që duam të përshkrojmë në vijimin e bashkëpunimit rajonal”, tha Çela.

Sipas Çelës kjo inciativë ka rezultuar të jetë e dobishme.

“Falë këtij projekti kemi parë përmirësime konkrete në funksion të bashkëpunimit rajonal, krejt e paimagjinueshme disa vite më parë”, theksoi ai në fjalën e tij.

Prokurori i Përgjithshëm e vuri theksin ndër të tjera te sfidat me krimet në fushën kibernetike dhe përdorimi i teknologjisë si dhe i kriptomonedhave në veprimtari kriminale, të cilat sipas tij kërkojnë përgjigje efikase.

“Ka nevojë për një koordinim më të mirë së pari mes të gjitha agjencive ligjzbatuese në rrafshin kombëtar në mënyrë që të harmonizohen aktivitet hetimore dhe ritmi i tyre në raport me vendet e tjera që do të punohet”, theksoi Çela.

Ai bëri me dije se ditën e sotme do të nënshkruhet edhe një memorandum mirëkuptimi me Malin e Zi.

“Është shenjë e një angazhimi serioz dhe afatgjatë që ndërsa do të krijojë dinamika të reja në bashkëpunimin dypalësh do japë efekte pozitive në drejtim të konsolidimit të veprimit të koordinuar në planin rajonal”, tha Prokurori i Përgjithshëm.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x