Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të nisë sot, 17 qershor, në orën 9:00, procesin e rinumërimit për 2323 qendra votimi.
Sipas asaj që njofton KQZ, rinumërimi do të zhvillohet në Pallatin e Sportit “Farie Hoti”, Tiranë, ku tashmë janë ngritur 24 tavolina numërimi, të cila do të jetë e ndarë në 24 grupe pune.
Bëhet me dije se rinumërimi do të përfshijë katër qarqe: Tiranën, Fierin, Durrësin dhe Elbasanin. Rinumërimi do të përfshijë edhe 85 kuti nga votimi jashtë vendit, sipas vendimit të dhënë nga KAS.
Ndërkohë, të drejtën për të pasur vëzhgues gjatë procesit të rinumërimit do ta kenë subjektet politike të renditur mëposhtë:
-Për qarkun e Elbasanit, do të ketë vëzhgues për koalicionin PD-ASHM dhe për Partinë Socialiste.
-Për qarkun e Fierit, do ketë vëzhgues për koalicionin PD-ASHM, PS dhe Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet.
-Rinumërimi për qarkun e Durrësit, do ketë vëzhgues nga koalicionin opozitar PD-ASHM dhe PS.
-Ndërsa në Tiranë do të ketë vëzhgues nga PD-ASHM, PS dhe partia “Mundësia”.
Kujtojmë se procesi i rinumërimit të votave vjen pas ankimit nga ana e Partisë Demokratike, pasi pretendon për parregullsi në procesin e numërimit si dhe për krime elektorale.