Edhe këtë vit qytetarë korçarë, simpatizantë dhe antarë të Partisë Demokratike, kanë marrë pjesë në ceremoninë e përkujtimit të 20 shkurtit, datë që simbolizon rrëzimin e diktaturës në Shqipëri.
Me këtë rast janë vendosur kurora me lule nga përfaqësues të shoqatës anti-komuniste “20 shkurti”, qytetarë korçarë dhe përfaqësues të degës së Partisë Demokratike të Korçës.
Niko Cukali, një prej dëshimtarëve të 20 shkurtit të vitit 1991, tregon natën kur qytetarë të shumtë të Korçës janë bërë pjesë e asaj revolte të madhe për rrëzimin e shtatores së diktatorit e cila ndodhej në qendër të qytetit.
Për antaren e kryesisë së PD-së dega Korçë, Ledina Alolli, ngjarja e 20 shkurtit është një prej ngjarjeve të ngulitura mirë në kujtesën e popullit të Korçës pasi në natën e 20 shkurtit është shembur diktatura e kohës.
Lajmi për rëzimin e shtatores së diktatorit në Tiranë është dhënë në sallën e teatrit të Korçës aty ku po mbahej një aktivitet i Partisë Demokratike.
Më pas simpatizantë të shumtë të kësaj force politike dhe qytetarë korçarë kanë marrë pjesë në rëzimin e shtatores së diktatorit e vendosur në qendër të qytetit. Ngjarje kjo që nuk solli asnjë incident, edhe për meritë të popullit të Korçës që tregoi edhe në këtë rast qytetari.