28.5 C
Tirana
13 / 07 / 2025

Korça, destinacion kryesor për turizmin/ Flukset e larta të turizmit kanë rritur nevojën për ndërtimin e hoteleve

Korça dhe pikat turistike të Dardhës, Voskopojës e Boboshticës janë kthyer tashmë në një destinacion turistik. Numri në rritje i turistëve vendas dhe të huaj i ka detyruar operatorët turistikë, por edhe turizmin familjar të shtojnë nga viti në vit kapacitetet akomoduese. Flukset e larta të turizmit kanë rritur nevojën për ndërtimin e hoteleve, bujtinave e shtëpive pritëse. Sipas statistikave gjatë viteve 2018-2021 gati 27% lejeve për hoteleri në rang vendi u dhanë në Korçë. Këtë fakt e pranon edhe kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, i cili shton se gjatë këtyre viteve të fundit, nga ana e bashkisë mesatarisht në vit janë dhënë rreth 13-14 leje ndërtimi për strukturat e hotelerisë.  

Si rezultat i zhvillimeve pozitive në turizëm dhe bujqësi, vitin e kaluar Korça u rendit me konsumin më të lartë për familje pas Tiranës. Shkak për këtë sipas kryebashkiakut Sotiraq Filo, është modeli ekonomik i ndjekur nga bashkia për zhvillimin e turizmit.

Për kryebashkiakun Sotiraq Filo, sfida kryesore mbetet ruajtja e statusit si destinacion turistik. Sipas tij, diversifikimi i flukseve turistike, i produkteve që ofrohen si dhe shtrirja e turizmit gjatë gjithë javës, do të bëjnë të mundur që Korça të ngelet qyteti model në turizëm.

Burime zyrtare bëjnë me dije se në Korçë dhe fshatrat turistikë të Dardhës, Voskopojës e Boboshticës janë rreth 150 struktura të hotelerisë, me më shumë se 4000 vende akomodimi. Për Bashkinë e Korçës, turizmi mbetet një nga prioritetet zhvillimore, duke e parë këtë potencial si burim për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x