Komisioni Evropian ka zgjedhur një linjë të ashpër kundër qeverisë së Viktor Orban dhe insiston për një shkurtim masiv prej 20 për qind të fondeve të BE-së për 7 vitet e ardhshme, barabar me 7.5 miliardë euro.
Brukseli mendon se 17 masat e propozuara nga Hungaria për të frenuar korrupsionin janë të pamjaftueshme dhe Budapesti duhet të bëjë më shumë në mënyrë që fondet të zhbllokohen.
Parlamenti Evropian ishte i të njëjtit mendim. Të enjten ligjvënësit miratuan një rezolutë që i kërkon Unionit të mos lëvrojë fonde derisa të ketë ndryshime reale.
“Ata kanë bërë shumë premtime dhe kanë ndryshuar disa ligje, por ne duam të shohim nëse këto ndryshime funksionojnë. Duam të shohim që në Hungari të mos ketë më korrupsion, që rendi dhe ligji të respektohen. Ka disa sinjale pozitive nga qeveria hungareze, por në parlament mendojmë se jemi shumë larg implementimit tërësisht të 17 masave”.- shprehet Daniel Freund, euro-deputet gjerman.
Unioni aplikoi të ashtuquajturin mekanizmi i sundimit të ligjit ndaj vendit, për herë të parë në historinë e tij. Ky mjet ligjor i mundëson Brukselit të pezullojë fondet.
Nga ana e saj, Hungaria tha se me masat e reja anti-korrupsion dhe kontrollin e procedurave të tenderimit i ka bërë detyrat. Ministri për Fondet e BE-së deklaroi se Budapesti nuk do të humbasë as edhe një qindarkë.