Nga Martin Leka
Shtator 2007. Bie telefoni nga numër fiks, i panjohur.
-Nga presidenca ju flasim…
Linja shkëputet dhe habia ime shtohej. Pse? Isha një gazetar i lirë, kisha vetëm një kontratë me gazetën “Panorama” ku shkruaja analiza politike në rubrikën personale “Provokatori”. Do të thotë se nuk gjeja asnjë arësye për një telefonatë nga presidenca.
Bie sërish telefoni.
-Ndjesë për shkëputjen e linjës. Ju njoftojmë se presidenti Topi do të zhvillojë një audiecë me Papa Benedikti XVI dhe ju ka caktuar në ekipin e tij të ngushtë që do të shkojë në Vatikan…
Më pas vijoi me disa informacione për procedurat, protokollet, etj, etj. Entuziazmi, emocioni dhe kënaqësia ime ishte kaq e madhe, sa ende nuk besoja nëse ishte e vërtetë. Gjëja e parë që bëra, mora në telefon Edvin Shvarc. U kujtova që është njeriu më i saktë, më serioz e më korrekt që kisha njohur në administratë. Përveçse ishte miku im dhe i biri i mikut të të gjithëve, Robertit të madh. I them për telefonatën.
-Dëgjo, më thotë me të folmen e tij të veçantë: A ke ndonjë hall tjetër a do me m’lanë pa punë?! Ik tani se e vërtetë është…
***
Pa ikur në shtëpi, mora makinën e u nisa për Lezhë. Doja t’ia thoja të parës dhe vetë, Nënës. (Nëna ime ishte si gjithë nënat e botës dhe më e mira që bota pati). E dija se për të, ky do të ishte lajmi më i bukur që kishte marrë ndonjëherë prej nëntë fëmijëve të vet. Rrugës, memorja ime fluturonte në kohë. Kujtoja lutjet e saj fshehurazi e me zë të ulët poshtë mbulesës, me një uratë-rruzare ku herë pas here bënte kryqin me dorë. Kur ne e kërkonim për ndonjë gjë, ajo vetëm bënte një shenjë të largoheshim dhe nuk e ndërpriste kurrë ritin e vet.
-O Nanë, kam me ik n’Vatikan me taku Papën.
-Je tuj m’rrejt pasha Zotin. Mos u tall me mu bir se është gjynah…
-Pasha Zotin po, nuk tallem.
Vuri dorën mbi ballë si strehë kapele, vetëm më shikonte në sy, me ata sy gjithë ngazëllim e habi.
-Po kush t’çon atje o bir?
-Presidenti.
-Hej ky qoftë bekue…
Bamir Topin e njihja shumë pak, aq sa mundësi kontakti ka një gazetar si vëzhgues i politikës. Kurrë nuk isha ulur në një tavolinë me të. Kishim vetëm një përshëndetje korrekte dhe kaq. Ende edhe sot nuk e di shtysën a shqisën që pati për ta gjetur emrin në listën e tij, përveç faktit që i përkas besimit katolik. Do të shkoj sërish në Vatikan, tashmë për ti bërë pelegrinazh Papa Benediktit XVI, Joseph Ratzinger. Por çdo ngjarje e kujtim që lidhet me Shën Pjetrin, do jetë edhe një mirënjohje e respekt për Bamir Topin.
***
Udhëheqësve, kur janë me pushtet, u rri larg. Kur “zbresin nga kali”, më pëlqen të rri me ta. Bota e tyre në pushtet është botë krejt tjetër nga ajo pa pushtet. Nuk u kam shkelur kurrë në zyrë dhe nuk e di si është zyra e një kryeministri.
***
Por, me Ramiz Alinë bënim muhabet poshtë shtëpisë së tij tek stadiumi “Dinamo” si të kishim qenë shokë shkolle.
-Ti je kriminel shoku Ramiz, i thoja sa herë takoheshim.
-Pse shoku gazetar?
-Na solle në pushtet këta lloj demokratësh.
-Ashtu mendon ti…
***
Fatos Nanos nuk i shkova kurrë në zyrë, megjithëse me të kam miqësi që në vitet 90, por takimet me të janë gjithnjë të dobishme. Kur PS humbi zgjedhjet në vitin 2005, unë qëndrova në Sarandë gjatë gjithë fushatës. Jam i bindur që javën e fundit, edhe pse nuk ma tha, ai ishte i qartë se PS nuk kishte më fuqi të fitonte.
Dy orë para se Nano të jepte dorëheqjen, me merr më telefon Kryetari i Bashkisë, Edi Rama. -Pse nuk po e jep dorëheqjen ky? E kishte fjalën për kryeministrin. -Do ta japë, i thashë, edhe pse nuk dija asgjë. -Ku je, më tha Rama? -Tek Fideli te Kullat, kafe me Bejten, i thashë. -Më prit se erdha, tha.
Erdhi. Më mori veçmas. Donte të dinte nëse e kisha takuar dhe ajo që i thashë se do jepte dorëheqjen nga kryeministër e kryetar partie ishte e vërtetë. Pasi folëm nja 10 minuta, e sqarova se nuk e kam takuar Fatosin, por mesa e njoh dhe e kuptoj, ai do japë dorëheqjen, e sigurtë!
-Po e bëri këtë, do ta fus në thes e do ta çoj në presidencë si President i Republikës, tha Edi dhe iku.
Pas dy orësh, Nano doli në konferencë e dha dorëheqjen.
Por nuk u bë President.
Kur takohemi me Nanon, rrallë tani, bisedat janë si një relaks.
Unë -Si je burgaxhi?
Ai -Edhe ti si Saliu?!…
***
U gjenda rastësisht në Rogner, kur në tavolinë tutje, ishin një grup kolegesh që pinin kafe me Berishën. Ishte në opozitë. Me thirri njëri prej tyre, nga ata që u ngjiten pas kryeministrave si çimçakëzi pas këpucës. Shkova. U përshëndetëm. Hera e parë dhe e fundit në një tavolinë me të. Foli vetëm ai dhe kolegët e mi që vetëm miratonin çfarë thoshte ai. Me sa duket dhe për fatin tim që rrija si “guak”, ishte fundi i bisedës dhe i qëndrimit, sepse thirrën kamarierin për faturën. Të gjithë futën duart në xhepa e nxorrën portofolët. Pagoi ai që nga xhepi nuk nxorri portofolin, por lekët: Saliu!