26.5 C
Tirana
21 / 06 / 2025

JO VETËM NJË FOTO/ Jorganxhi, familja e një trashëgimie muzikantësh, që u bë simfoni në historinë e traditës shqiptare të “zërit të shpirtit”

Ka zëra që nuk heshtin, edhe kur trupat që i mbartën i përkasin prehjes së përjetësisë. Ka këngë që nuk mbarojnë, edhe kur tingulli është shuar dhe sipari i skenës është mbyllur. Sepse ka një muzikë që nuk është thjesht art, por lutje, frymë, dridhje e dritës që përshkon shpirtin e njeriut dhe ngjitet në qiell, si një ofertë e heshtur ndaj të përjetshmes.

Në këtë dimension të shenjtë të muzikës, jo si argëtim, por si besim; jo si zbukurim, por si përmbushje, shfaqet e rritet familja Jorganxhi. Jo vetëm si trashëgimtare e talentit, por si mbartëse e një misioni që i kalon kufijtë e artit për të prekur të shenjtën. Një familje që nuk zgjodhi thjesht muzikën, por e pranoi atë si thirrje, si amanet, si besëlidhje me atë që është e bukura dhe e amshuara.

E tillë është kjo fotografi, një ikonë e heshtur, ku zëri i së kaluarës flet përmes buzëqeshjeve të ndrojtura dhe vështrimeve të kthjellëta. E tillë është edhe kjo ditë, një kujtim i kthyer në urim, një lutje që buron nga mallëngjimi dhe ngrihet si bekim për pasardhësit që mbajnë këtë dritë ndezur. Sepse muzika e tyre nuk është një kujtim, është një vazhdimësi.

Në këtë fotografi e cila ngërthen dritë të vjetër dhe ngrohtësi të përjetshme, shohim jo thjesht portrete, por gurë themeli të muzikës shqiptare dhe jo vetëm. Në ditën botërore të muzikës, Zhuliana Jorganxhi, vetë një emër i rëndësishëm i artit shqiptar, ndan një homazh mallëngjyes për figurat e ndritura të familjes së saj. Është një kujtim i kthyer në rrëfim dhe një rrëfim i kthyer në bekim për pasardhësit.

Gaqo Jorganxhi, “Artist i Merituar”, është një emër që e ka të lidhur përjetësinë me fillimet e muzikës qytetare dhe korale shqiptare. Ai ishte jo vetëm një këngëtar i mirënjohur që u ngjit në skenat e hershme shqiptare nga viti 1920, por edhe një nga themeluesit e parë të korit “LIRA”, një institucion që la gjurmë të thella në jetën kulturore të Shqipërisë.

Rikardo Jorganxhi, dirigjent i orkestrës simfonike dhe kompozitor, përfaqësonte vazhdimësinë dhe përpunimin e shpirtit muzikor në formën më të sofistikuar të tij muzikën simfonike, e cila kërkon përmasën e vizionarit dhe ndjeshmërinë e lartë artistike.

Rozmari Jorganxhi, “Mjeshtër i Madh”, ishte një grua që u bë pararendëse, e para dirigjente e korit të Teatrit të Operës dhe Baletit dhe për tre dekada mexosoprano në këtë tempull. Ajo përfaqëson jo vetëm fuqinë artistike të gruas në një kohë të vështirë, por edhe një vokacion që nuk njeh kufij: ajo vazhdoi të performonte për dhjetë vite në Teatrin “Giuseppe Verdi” të Triestes, një arenë e lavdisë operistike europiane.

Kjo trashëgimi nuk mbeti një kapitull i mbyllur. Përkundrazi, ajo u ringjall në zërin, kompozimin dhe vizionin e Gjergj Lekës, kantautor e kompozitor i mirënjohur që për dekada është një zë identifikues i muzikës shqiptare, sidomos në vitet ‘70-‘90, kur arti shpesh ishte në luftë me kompromisin. Ai solli në skenë jo vetëm emocione, por edhe stil.

Hektor Leka, bas-bariton në Teatrin e Operës së Triestes, dhe Lambert Jorganxhi, kompozitor, janë vazhdimi natyral i një shpirti muzikor që nuk zbehet. E për të mbyllur harkun e artit që nuk njeh moshë e kohë, vjen Dorina Leka, stërmbesa dhe trashëgimtare shpirtërore e kësaj dinastie, që mban të gjallë atë çka gjyshi i saj e quante “zëri i shpirtit”.

“Muzika është zëri i shpirtit, një bekim që i është dhënë njerëzimit për të thënë atë që nuk thuhet ndryshe.” ka kumtuar Ludwig van Beethoven.

Muzika është një gjuhë e përjetshme. Ajo nuk njeh kufij, kohë, ideologji apo harresë. Muzika mbetet kujtesë, mbetet bekim dhe mbetet fjalë e pashkruar që mbartet nga një brez në tjetrin. Familja Jorganxhi-Leka është një shembull i rrallë se si një familje mund të bëhet institucion i kulturës kombëtare, pa u shndërruar në monument të heshtur, por duke jetuar përmes zërit, harmonisë, melodisë, skenës, dhe shpirtit të artit.

“Muzika i pastron shpirtin nga pluhuri i jetës së përditshme.”, kq thlnë Berthold Auerbach.

Në përfundim të fjalës së saj, Zhuliana Jorganxhi ngre një uratë: “Rroftë muzika e vërtetë, që del nga shpirti i bukur e i pastër!” Dhe kjo nuk është thjesht urim; është një thirrje për besnikëri ndaj asaj muzike që nuk është zhurmë, por frymë, që nuk është komercializëm, por përkushtim; që nuk lind për t’u harruar, por për të qëndruar në kujtesën e njerëzve si një përqafim i thellë nga vetë jeta.

Në këtë fotografi dhe këtë rrëfim, nuk është vetëm historia e një familjeje, është një kapitull i lavdishëm i historisë së muzikës shqiptare. Dhe në ditën botërore të muzikës, ajo zë vendin që i takon: në altarin e kujtesës sonë kombëtare.

Albert Vataj

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x