Një grabitje e guximshme ka tronditur muzeun e Luvrit në Paris, ku hajdutë të paidentifikuar kanë hyrë në Galerie d’Apollon dhe kanë vjedhur disa prej Xhevahireve të Kurorës Franceze.
Ngjarja ndodhi të dielën rreth orës 9:30 të mëngjesit, duke detyruar mbylljen e përkohshme të muzeut më të vizituar në botë.
Detektivi i njohur i artit Arthur Brand e ka cilësuar këtë si “vjedhja e dekadës”, duke paralajmëruar se policia ka vetëm një javë kohë për të gjetur autorët përpara se objektet e vjedhura të zhduken përgjithmonë.
Gjerdani nga seti i safirëve të Mbretëreshës Maria Amalia dhe Mbretëreshës Hortense
Ai theksoi se xhevahiret janë aq të famshme sa nuk mund të shiten lehtësisht, dhe se hajdutët mund të përpiqen t’i çmontojnë, të shkrijnë metalet e çmuara dhe të presin diamantet për t’i zhdukur pa gjurmë.
Ministria franceze e kulturës ka identifikuar tetë objekte të paçmuara të vjedhura, përfshirë diadema, gjerdanë, vathë dhe brosha që i përkisnin Mbretëreshës Marie-Amelie, Mbretëreshës Hortense, Perandoreshës Marie Louise dhe Perandoreshës Eugenie.
Vathë nga seti me safirë i Mbretëreshës Maria Amalia dhe Mbretëreshës Hortense
Një objekt i nëntë u gjet i thyer në vendngjarje, dhe dyshohet se ishte kurora e gruas së Napoleonit III.
Pamjet e operacionit tregojnë se hajdutët vepruan me qetësi dhe profesionalizëm, duke hyrë përmes një ashensori të montuar në një kamion, duke thyer një dritare dhe duke përdorur pajisje të sofistikuara për të çarë vitrinat.
Kurora e perandoreshës Eugenia
Ata u larguan me dy motoçikleta dhe nuk është raportuar për të lënduar.
Ministri i Brendshëm Laurent Nunez tha se banda ishte e përgatitur mirë dhe kishte vëzhguar vendin më parë.
Ai konfirmoi se tre ose katër persona morën pjesë në grabitje dhe përdorën një maksi-skuter Yamaha për t’u arratisur.
Karficë në formë fjongoje e perandoreshës Eugenia, një objekt unik me 2,634 diamantë, i blerë nga Luvri në vitin 2008 për 6.72 milionë euro, pasi kishte qenë më parë në një koleksion privat në SHBA.
Puna mjeko-ligjore është në zhvillim dhe autoritetet po përpilojnë një listë të detajuar të sendeve të vjedhura.
Presidenti Emmanuel Macron ka premtuar se punimet do të rikuperohen dhe autorët do të nxirren para drejtësisë.
Galeria d’Appollon, ku ndodhi vjedhja, është një dhomë historike që strehon Xhevahiret e Kurorës Franceze dhe disa nga diamantet më të famshëm në botë, si Regent, Sancy dhe Hortensia. Incidenti ka shkaktuar panik mes vizitorëve, me raportime për njerëz që përpiqeshin të dilnin nga dyert e kyçura, ndërsa policia dhe forcat ushtarake ndërhynin. Kjo nuk është hera e parë që Luvri përballet me vjedhje të rëndësishme.
Varëse smeraldi nga koleksioni i perandoreshës Maria Luiza
Një palë vathë smeraldi nga i njëjti set
Në vitin 1911, Mona Lisa u vodh dhe u gjet dy vjet më vonë në Firence, ndërsa në vitin 1983 u vodhën dy pjesë të armaturave që u rikuperuan vetëm pas gati katër dekadash. Muzeu mbart një trashëgimi të pasur historike me mbi 33,000 vepra arti, përfshirë antikitete, skulptura dhe piktura, duke e bërë atë një nga institucionet më të rëndësishme kulturore në botë.
Karficë me relike
Por nuk është hera e parë që kjo sallë bëhet objekt i një vjedhjeje.
Sipas informacionit zyrtar në faqen e muzeut, më 16 dhjetor 1976 ndodhi një grabije e armatosur në Luvër, gjatë së cilës u vodh shpata e famshme e Karlit X të Francës, nga familja mbretërore Bourbon. Shpata ishte krijuar fillimisht për Ludovikun XVIII dhe u përdor në kurorëzimin e Karlit X në vitin 1824.
Shpata që nuk është gjetur
Më pas, u modifikua për t’u përdorur nga Napoleoni III gjatë martesës së tij në Katedralen Notre-Dame në vitin 1853. Objekti i çmuar iu dhurua Luvrit pas shitjes së diamantëve të kurorës mbretërore në vitin 1887, por nuk është gjetur as sot, 47 vjet pas vjedhjes.