Viktor Martini është një figurë e njohur për publikun. Ish i burgosur politik, themelues i shoqatës së të persekutuarve e të burgosurve politikë, aktivist. Ai jeton në SHBA që prej më shumë se tre dekada, por ai ka një lidhje të pazgjidhshme me Atdheun, veçanërisht Shkodrën. Vjen çdo vit në Shkodër dhe nuk le asnjë rast pa u bërë pjesë e jetës publike. Këtë herë organizoi një takim në nder të At Pjetër Mëshkallës në Universitetin “Luigj Gurakuqi”.
Ju Z.Martini keni krijuar shoqatën e të persekutuarve politikë, duke qenë kryetar për Shkodrën dhe Nënkrytar në shkallë kombëtare. Cili ishte motivi për këtë organizim në kohë të vështirë për Shqipërinë?
-Gjatë 47 viteve të regjimit komunist, kjo shtresë e të persekutuarve politikë provoi burgje, interrnime dhe punët më të vështira. Mbas ’90, me iniciativën e një grupi bashkëvuajtësish themeluam shoqatën me qëllim që të fitonim së pari dinjitetin-pafajësinë e më tej shkollim dhe punësim brenda dhe jashtë shtetit si dhe shpërblim për vitet e punës.
A u realizuan këto nga qeveria demokratike që erdhi shpejt në pushtet?
-Fillimisht kjo shoqatë pati jehonë kombëtare dhe ndërkombëtare. Greva e urisë e vitit ’91 në të cilën morën pjesë 91 persona, tronditi sistemin e Ramiz Alisë dhe e detyroi të pranojë kërkesat tona, të cilat pothuajse nuk u realizuan. Për më keq, nuk janë realizuar as sot. Vizita e shoqatës së Shkodrës në Amerikë i dha fund urës Berisha-Martini, sepse unë i bëra thirrje që të kemi kujdes se Ramiz Alia, dhelpra e politikës shqiptare po përgatit një urë me satelitët e tij që diktatorët me duar të përgjakura të kalojnë pa dhënë llogari në një gjyq tip Nurenberg. Kjo nuk i ra për shtat shokut Berisha. Kur erdha nga Amerika kërkova të kontaktoj Berishën. Takimi u bë i mundur pas dy muajsh… Takimi qe ballë për ballë e drejtpërdrejt. Më priti plot dashamirësi false e hipokrite. Një prej bashkëpunëtorëve të tij më pyeti: A jeni të kënaqur me Presidentin?
-Me Berishën si President jo, i thashë.
-Humor shkodran, tha Berisha me një të qeshur të sforcuar.
Me i ra shkurt, më propozoi Qipron për punësim. Kujtova se ishte ndonjë punë në ambasadë, të paktën roje, por jo. Tomor Dosti, shoku i dhomës së burgut numër tre, kur shkova ta takoj me pyeti: a e ke taku Berishën? Po i thashë, për punë.
Tomori, po sillej vërdalle e si i zënë në faj, më tha: Po me ka sjellë letër mor burrë… Dhe s’dinte ta lëshonte fjalën. Po he çfarë thotë?
-Më vjen zor ta them Viktor. Thuaje i them, se zori asht i tij e jo i joti.
Çeli sirtarin dhe tuj ju dridh dora ma dha ta lexoj letrën që kishte shkruar Berisha ku thuhej: Të dërgohet Viktor Martini në rastin më të parë në Qipro, në bujqësi ose në ndërtim.
I them Tomorit: mos ja leni këtë turp presidentit.
-Je gjaknxehtë Viktor, më tha, si për të qetësuar.
-Po, jam Tomor, por do ta kërkoni këtë gjaknxehtësi e do t’ju vijë turp nga gjakftohtësia juaj e një ditë Berisha do ju hajë një nga një, mbaje mend.
Dhe ashtu ndodhi. Unë ika në Amerikë e mora azil politik e sot jam nënshtetas amerikan, ndërsa “kryengritësit” si unë, demokratët e vërtetë, ju e dini mirë ku janë. Nga ata sot ka mbetur vetëm ish komunisti Berisha.
A vini shpesh në Atdhe dhe a shikoni ndryshime në politikë?
-Vij çdo vit. Më intereson shoqata që e krijova vetë e shikoj me dhimbje ashtu si një nanë shikon fëmijën tuj lëngu.
Përse e thoni këtë Viktor?
-Po më kujtohet një thënie: kur pirati bëhet Papë…
Që do të thotë?….
-Dua të them se kryetari i shoqatës në Shkodër Zenel Dranga ka ra në burg se ka vra Dhimitër Nikën ikur në Jugosllavi e i kthyer me një ilaka, i cili merr përsipër krimin dhe e dënojnë me pushkatim dhe Zenelin 25 vite. Zeneli nuk e përmend kurrë krimin dhe maskon me arratisje. Po keni pa ju dënim 25 vite për arratisje e me pushkatim? E çuditshme për mua është qëndrimi i Filip Guraziut që e njeh mirë këtë histori e me babë të pushkatum, dhe i shkon mbrapa pa pikë turpit atij e Besim Ndregjonit, ish kryetar i Bashkimeve Profesionale në Fierzë. O Zot kur do e shpëtosh këtë popull nga këta manipulues e pushtetarë që qeshin nën buzë dhe ju paguajnë, për ironi të fatit, rroga të majme.