Familjet shqiptare reduktojnë në maksimum shpenzimet ku vetëm në 2021, u shpenzua 1.3%.
Anketa e buxhetit të familjes së INSTAT tregoi se 41.3% e shpenzimeve shkojnë për tu ushqyer.
Sipas Anketës së Buxhetit të Familjes së INSTAT, në vitin 2021, shpenzimet mesatare mujore për konsum për një njësi ekonomike familjare (NjEF), të përbërë mesatarisht nga 3,7 persona, janë 84.548 lekë. Totali i shpenzimeve për konsum është 64,73 miliardë lekë në muaj për 765.551 familje.
Vlerësimi i shpenzimeve mesatare mujore për konsum të NjEF-ve në vitin 2021, është 1,3 % më i lartë se në vitin 2020.
Sipas të dhënave të INSTAT, rritja e çmimeve të konsumit, në vitin 2021, krahasuar me vitin 2020, është 2,0 %.
Grupi i shpenzimeve për banesën, me shpenzimet për energji elektrike, ujë, lëndë djegëse, qira të paguar dhe riparime të vogla, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 8.496 lekë, përbën 10,0 % të totalit të buxhetit familjar.
Grupi ” Mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e zakonshme e banesës”, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 5.772 lekë, zë 6,8 % të buxhetit gjithsej, rritja më e lartë është shënuar në shpenzimet për nëngrupet “blerja e produkteve shtëpiake dhe mirëmbajtje apo riparimi i tyre”.
Qarqet që paraqesin shpenzimet mesatare më të larta për konsum, pas qarkut të Tiranës, janë Korça me 83.591 lekë dhe Fieri me 80.752 lekë në muaj për NjEF.
Qarqet me nivel më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum janë qarku i Kukësit me 71.636 dhe i Dibrës me 72.048 lekë në muaj për NjEF.
Rritjen më të madhe të shpenzimeve e paraqet qarku i Vlorës me 4,2 %, ndjekur nga qarku i Kukësit me rreth 2,0 %.