13.7 C
Tirana
25 / 11 / 2026

Hekurudha Tiranë-Durrës drejt përfundimit, Karakaçi ndan detajet: Shinat mbi 90% gati, elektrifikimi zgjat 12 muaj pas firmosjes së kontratës!

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka bërë të ditur ecurinë e punimeve për linjën hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas, duke sqaruar fazat e projektimit, financimin dhe afatet e vënies në funksion të plotë të kësaj vepre.

Sipas ministrit, kur hekurudha nisi të projektohej në vitin 2016, vendi ndodhej në një tjetër stad kapacitetesh për thithjen e fondeve dhe granteve nga Bashkimi Evropian, çka bëri që konceptimi fillestar të mos ishte i plotë.

“Në 2016 u projektuan vetëm shinat që të çonin në Durrës, asgjë më tepër, dhe siguria të cilën nuk e kishim bërë në fillim, pasi sektorin hekurudhor tashmë e kishim të degraduar”, sqaroi Karakaçi, duke shtuar se kjo qasje u ndoq me dijeninë e plotë të Bashkimit Evropian.

Për ta bërë linjën plotësisht funksionale, projekti u pasurua në vitin 2021 me projektimin e tetë stacioneve përgjatë gjurmës, të financuara përmes një tjetër huaje dhe granti nga BE-ja. Sipas ministrit, ky element ishte i domosdoshëm për të garantuar ndalesat e udhëtarëve edhe në qytete të ndërmjetme si Vora, e jo vetëm në dy polet kryesore.

Sa i përket gjendjes aktuale në terren, Karakaçi bëri me dije se punimet për shtrimin e shinave janë drejt mbylljes, ndërsa stacionet kanë arritur në tre të katërtat e volumit të punës.

“Shinat e projektit të Tiranë-Durrës janë përfunduar mbi 90% dhe duhet të jenë funksionale ose në fund të këtij viti, ose në fillim të janarit të 2027-ës. Stacionet hekurudhore janë pothuajse 75% të realizuara”, u shpreh ai, duke sjellë si shembull stacionin e Vorës, i cili është drejt përfundimit.

Megjithatë, elementi kyç që e bën të gjithë infrastrukturën operacionale mbetet procesi i elektrifikimit. Për këtë fazë është siguruar një hua nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe një grant nga Bashkimi Evropian. Ndonëse kompania fituese e tenderit është shpallur që në muajin prill, procedurat e financimeve të huaja kërkojnë më shumë kohë për konfirmim.

“Ne po presim akoma nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim aprovimin e fituesit të procedurës, pasi ka pasur disa ankesa në Londër”, tha ministri i Infrastrukturës. Ai saktësoi se afati kohor për këtë fazë është i qartë: “Nga momenti që ne lidhim kontratën duhen 12 muaj për të përfunduar procesin e elektrifikimit.”

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x