Kiara, studente për Inxhinieri Dizajni, pranë Imperial College në Londër, ka dy këshilla të vogla për të gjithë të rinjtë në sistemin parauniversitar: jepini një shans të gjitha fushave studimore deri sa të gjeni atë që doni më shumë, dhe për të rinjtë që duan të studiojnë inxhinieri – mësoni Python përpara se të shkoni në universitet. Lexoni rrugëtimin e Kiarës në këtë episod të STEMspresso: Fuqizim përmes Frymëzimit – Gratë Shqiptare në STEM.
Kiara ti studion në Londër, në Imperial College,për Inxhinieri Dizajni. Mund të na tregosh cdo të thotë të studiosh Inxhinieri Dizajni?
Po, sepse shumë njerëz kur i them që studioj Inxhinieri Dizajni nuk e kanë shumë idenë. Mbase ngaqë është degë e re, nuk është si degët klasike. Kur i thua dikujt studioj Juridik e dinë se cfarë bën. Inxhinieria e Dizajnit ka ardhur si degë e re, si produkt i zhvillimit të shpejtë të teknologjisë dhe shpikjeve të reja. Mënyra se si ja shpjegoj njerzve ështe: cdo lloj inxhinierie, pak nga secila jo shumë në thellësi, e bërë bashkë.Ka brenda dhe elemente të biznesit, të analizimit të tregut. Një nga leksionet e para që na bënë është ‘si të mos shpikni gjëra që janë pa vlerë’. Domethënë të mos bësh inxhinieri për hatër të inxhinierisë.
Cfarë të pëlqen më shumë te dega që studion?
Unë kur fillova degën kisha shumë frikë se nuk do të më pëlqente programimi, por si përfundim është një nga të preferuarat e mia; ajo dhe robotika, të cilën do ta zhvilloj pak më shumë këtë vit. Viti i dytë është më praktik, domethënë ndërton dhe bën gjëra në laborator.
Cila është gjuha jote e preferuar e programimit?
Python.
E ke shtuar te CV si një nga gjuhët që ti flet?
E kam shtuar te pjesa sipër.
Si është jeta e një studenteje të shkencave në Londër?
Është busy, domethënë që ka goxha ngarkesë, por si çdo lëndë tjetër. Të gjitha lëndët, nëse studion në një universitet që ka njëfarë konkurrence dhe gjithë njerëzit kanë ambicie, ka punë shumë. Ndonjëherë lektorët thonë 20 orë punë ekstra në javë, por nuk mjafton asnjëherë aq nëse do të arrish një notë të caktuar. Nga ana tjetër është shumë qejf, sepse Londra është qytet i madh, perfekt për studentët, është shumë internacional, ka shumë gjëra për të bërë dhe për të eksploruar. Nga ana tjetër ama mund të jetë pak e lodhshme, ecën shumë e gjëra të tilla.
Kiara ti edhe në Shqipëri ke studiuar në një kolegj britanik dhe lëndët e parapëlqyera kanë qënë lëndët shkencore, matematika, fizika, kimia. Nga të lind ty kjo lidhje me shkencën?
Mami im ka qënë profesoreshë fizike dhe mendoj se ka diçka gjenetike se dhe vëllai im ka studiuar inxhinieri elektronik dhe elektrik, ajo është më klasike. Mendoj që kam pasur gjithmonë një prirje për fizikë dhe matematikë. Nga ana tjetër mami dhe na e ka ushqyer kur kemi qënë të vegjël, na thoshte “matematika është shumë e rëndësishme, zhvillimi i trurit”, por që më ka pëlqyer edhe vetë. Sidomos matematika e aplikuar, që është teknikisht fizikë. Më ka tërhequr që në fillore dhe e vazhdova, kiminë e lash mbrapa në njëfarë pike, por që gjithmonë më është dukur intuitive.
Ka shumë vajza të reja, të paktën me sa shohim numrat në Shqipëri, pjesëmarrja e vajzave në STEM është gjithmonë duke u rritur. Arsyet mund të jenë nga më të shumtat. Një nga ato që ne gjatë podcaste-ve, por edhe diskutimeve që kemi në rrjetin lidhet me të qënit më konkurruese në tregun e punës. Është një gjë që është shumë e rëndësishme, me shumë vlerë. Po në mendimin tënd çfarë i bën vajzat e reja të futen në fushat studimore të STEM?
Unë mendoj që vajzat nuk kanë qënë të inkurajuara që të shkojnë në këto fusha edhe prandaj ndonjëherë përdoret si argument që vajzat nuk janë aq të zonja edhe të prirura për degë të tilla, kur ato thjesht nuk kanë qënë të inkurajuara. Është njësoj si kur thonë që vajzat nuk janë aq të prirura pas sporteve. Sa familje njeh që fusin vajzat 4 vjec në futboll? Mbase mund të ishin të mira, por nuk u është dhënë mundësia. Ndërsa sot ka më shumë ndërgjegjësim, flitet më shumë, edhe ky podcast është një prej tyre. Ka më shumë gra dhe vajza që kanë bërë arritje në fusha shkencore dhe kjo i frymëzon dhe vajzat e reja që e kanë mundësinë që mund ta ndjekin.
E kuptojmë, Kiara ka studiuar edhe IB (International Baccalaureate) në Londër, kështu që ka një shkëputje gjuhësore në jetën e përditshme nga gjuha shqipe, por gjithsesi e flet dhe e shkruan gjuhën shqipe shumë mirë.
Edhe atje kam vazhduar lëndët shkencore, kam marr një kombinim shumë të vështirë lëndësh që ma thanë dhe kur hyra.
Mund të na e shpjegosh pak të lutem se cfarë është IB?
IB është International Baccalaureate, është ekuivalente e gjimnazit, sic është A level për Anglinë ose matura shtetërore këtu. Është dy vjet dhe njihet në gjithë botën. Ka shkolla IB në gjithë botën dhe janë më internacionale. Domethënë shkollat janë me natyrë internacionale. Shkolla që kam studiuar unë ka pasur vetëm 8% anglez, sepse ishte në Oxford, pjesa tjetër ishte nga e gjithë bota. Kështu që kam bërë shoqëri, por është mirë edhe për formimin. Në krahasim me A-level, ke 6 lëndë, 3 janë me nivel të lartë, 3 jane nivel standard që kanë më pak volum. Duhet të bësh tre aktivitete jashtë shkollore: një është sport, një është vullnetarizëm, një është kreativitet. Duhet të bësh extended essay, që është tip research, është 4 mijë fjalë, një punë kërkimore. Edhe është një lëndë e shtatë që quhet “Theory of knowledge” edhe është pak filozofike, ka të bëjë me mënyrën si të mësosh. Është e vështirë, është e vështirë. Cdo njeri që ka bërë IB school e di që nuk është për të dobëtit, por që të ndihmon sidomos kur shkon në universitet, sepse je më e pavarur.
Ti po përmendje pak më parë, kur po flisnim për arsyet pse vajzat i futen këtyre shkencave, që ekzistojnë edhe modelet që thonë që ti mund ta bësh këtë. Po ti kë ke pasur model në jetën tënde? Ke dikë që dëshiron ti ngjash, apo Kiara është Kiara?
Deri në njëfarë pike Kiara është Kiara. Nuk mendoj se ka pasur ndonjë moment në fëmijërinë time që kam thënë ‘dua të bëhem si ky person’, por që kur kam qënë e vogël shikoja vëllain dhe në njëfarë pike kam ndjekur hapat e tij, sepse edhe ai ka shkuar në dy shkollat që kam shkuar dhe unë: Oxford dhe Imperial. Ndonjëherë shoh që ka konkurrencë mes vëllezërve dhe motrave. Unë nuk e kam pasur kurrë këtë, kam pasur mentalitetin që nëqoftëse e bën ai, unë e bëj 100 herë më mirë. Kështu që kjo më ka shtyrë, por gjithmonë shihja atë që bënte ai, na niste foto kur ndërtonte gjëra dhe isha e ushqyer nga kjo. Plus që mami na shtynte gjithmonë në atë drejtim. Kam qënë e dhënë që e vogël pas ndërtimit, bërjes së gjërave, sidomos nëse ka pjesë artistike, sepse dega ime ka pak elementët e dizajnit.
Ti fillon vitin e dytë këtë vit, ke tre vjet nivel bachelor dhe pastaj ke nivelin master që ështe 1 apo 2 vjet. Domethënë ke edhe 3 vite shkollë përpara. Pas këtyre 3 viteve cfarë planesh ke, apo të presim një herë?
Unë nuk jam shumë e sigurtë se cfarë lloj karriere ndjekin studentët që mbarojnë degën time, por kam plan që nëpërmjet intershipeve do përpiqem të hulumtoj se ku shkohet me këtë degë. E di që është degë shumë në kërkim edhe ngaqë është më e gjerë ka një larmi fushash ku ti mund të futesh për karrierë. Kjo më pëlqeu që në fillim kur vendosa ta studioj. Mendoj që do rri në Londër ose edhe në Angli, me shpresa. Do isha e interesuar edhe të punoja për kohë më të shkurtër në qytete të tjera të Evropës, por që deri këtu mbetet për momentin.
Po sa i përket jetës akademike përkundrejt industrisë? Mund të të tërheqi akademia apo ka më shumë tërheqje industria që të punosh pasi të mbarosh studimet?
Unë nuk kam pasur shumë eksperienca në industri, por më pëlqen ti shtoj. Punova part-time këtë vit në një gjë që s’ka lidhje fare me degën që bëj. Mua akademia më pëlqen pa fund, por të shohim se pas 4 viteve mund të them kaq ishte, nuk dua më. Këtë vit punova si bariste në një klub në Londër edhe qëllimi im me këtë punë ishte të kuptoja pak tregun e punës edhe të punoja në një nga industritë literalisht më të këqija, sepse mikpritja është pak si makth. Por që përfundoi duke më pëlqyer. Duke qenë se nuk kam shumë eksperiencë në industri, do shikoj dhe aty i kam sytë për këtë vit.
Kiara, ti po thoje që është degë shumë e vështirë dhe s’do mend që, duke e dëgjuar emrin e degës, por edhe duke pasur disa koncepte rreth degëve të inxhinierisë, çdokush mendon që është degë e vështirë. Ti je shumë e re, si arrin të balancosh këtë ngarkesë të madhe që të vjen nga shkolla me të paturin e një jete sociale të shëndetshme që është e rëndësishme?
Londra dhe Anglia në përgjithësi, po e them këtë si disclaimer, kanë kulturë për të pirë sidomos, shumë ekstreme dhe unë asnjëherë nuk kam qënë pjesë e kësaj. Për sa kohë që ke time management arrin ti fusësh të gjitha nga pak, por ndonjëherë dhe i mbivendos. Sepse unë punoj gjithë kohën me shoqet, punojmë për projektet bashkë, studiojmë bashkë. Është shumë e rrallë që të bësh 4 ose 6 orë leksione dhe të shkosh në shtëpi dhe të studiosh vetëm. Ne kemi dhoma të përbashkëta studimi dhe zakonisht me shoqërinë shkojmë në të njëjtën orë, punojmë 1 orë ose bëjmë organizimet para leksioneve, shkojmë në leksion e vijmë prapë, hamë drekë bashkë. Është sigurisht edhe kultura që e lë një gjë për moment të fundit dhe rri gjithë natën në bibliotekë dhe fle aty, që e kam bërë një ose dy herë. Deri në njëfarë pike arrin ta menaxhosh.
Më bëhet shumë qejfi që kaq e re gjen balanca. Ti studion një degë të vështirë, por që njëkohësisht ti e ke qejf dhe mendoj se të jep më shumë shtysë dhe nuk të duket aq e vështirë ndoshta. Punon një punë part-time si bariste dhe në kohën e lirë gjen balancat. Cfarë janë këto gjërat që ty të pëlqen të bësh në kohën e lirë, si e kalon kohën, cilat janë hobit e tua?
Unë përveç jetës sociale, i jap shumë vlerë kohës që kaloj vetë, pra kohës sime personale. E kam të shenjtë dhe deri në njëfarë pike duhet që të rilidhesh dhe të qetësohesh. Unë kam shumë hobi, disa nga të cilat janë artistike dhe disa janë thjesht hobi gjyshesh. Për shembull , së fundmi jam marrë me thurrje me grep. Kam bërë çanta, costers, tani do bëj një pulovër që është një projekt i madh. Jam marrë gjithmonë me gjëra artistike, pikturoj, vizatoj. E kam pasur që e vogël dhe prandaj doja një degë që përfshinte dhe fizikën dhe pjesën e artit. Merrem me sport, jam në skuadrën e volejbollit te Imperialit, palestër pak. Pastaj gjërat që bëjnë të gjithë, lexoj, shikoj filma.
Gjërat më normale. Ne kemi dëgjuar edhe nga gra dhe vajza të tjera gjatë podcaste-ve që nderthurja e fushës së tyre shkencore por njëkohësisht me artin dhe sportin, krijojnë një individ të shëndetshëm. Kiara, një pyetje të fundit për ty: Çfarë do t’u sugjeroje vajzave të reja që janë në shkollë të mesme, për fushën që do të zgjedhin në të ardhmen? Ke ndonjë mesazh për to, ndoshta dhe për prindërit e tyre?
Do thoja provojini të gjitha dhe jepini një shans të barabartë të gjithave, sepse ndonjëherë gjimnazistët ose më të vegjël, ndikohen nga mësuesi/ja për sa e pëlqejnë degën. Duhet ta ndash mënyrën si është mësimdhënia nga dega vetë, sepse unë e urreja historinë dhe gjeografinë, por kur shkova në Oxford thashë pse nuk studiova histori, sepse këtu mësohet komplet ndryshe dhe ishte shumë e bukur. Nga ana tjetër, është më e thjeshtë të eleminosh ato që nuk të pëlqejnë dhe të mbyllësh disa dyer, sesa të shkosh direkt te këtë dua të bëj. Edhe është mirë që të lexosh në kohën e lirë, të bësh gjëra të ndryshme që të gjesh se çfarë të pëlqen edhe të mos kesh frikë të provosh gjëra të reja. Dhe nëse mendoni t’i futeni inxhinierisë, mësoni Python,para se të shkoni në universitet ose gjimnaz. Thjesht mësoni Python. Ka literalisht tutorial në youtube që janë 1 orë të gjata “How to learn Python in 1 hour”, bëjeni sepse të ndihmon. Python është shumë e bukur, shumë kreative, mua më pëlqen. Këto janë këshillat kryesore.
Podcastin e plotë me Kiara Kapllanin mund ta ndiqni këtu.
- “Nga Londra në Hagë: Një Shekull Gjyqesh mbi të Drejtën e Shqiptarëve për Liri” - 10/02/2026
- Salianji nuk i ‘bindet’ sërish Doktorit, merr pjesë në protestën e PD-së (VIDEO) - 10/02/2026
- Antikorrupsioni i një opozite me Berishën në krye, Ahmetajn aleat dhe deputetë të flakurit nga drejtësia - 10/02/2026