23.5 C
Tirana
27 / 06 / 2025

Gra si ti/ Faola Hodaj, ekonomistja që ndërton ekosistemin dixhital të Tiranës

Sa i fortë duhet të jetë pasioni për teknologjinë sot që të mund të të kthejë tërësisht profilin e karrierës tënde nga ekonomiks në inovacion? Ky është rasti i Faola Hodajt, vajzës energjike që nga start-upet drejton departamentin e Inovacionit në Bashkinë e Tiranës, për ta kthyer kryeqytetin në një vend ideal për nomadët dixhitalë. Pasi ktheu bibliotekat në bibliotech, tashmë nëna e një fëmije të vogël, ka plot plane të tjera për ta bërë qytetin një ekosistem dixhital dhe teknologjik që funksionon për të gjithë. 

Faola, ti ke studiuar bachelor në Ekonomiks, ke studiuar Statistikë dhe lëndë të tjera dhe tashmë je drejtoreshë e departamentit të Inovacionit në Bashkinë e Tiranës. Pse ky kapërcim nga kjo fushë jo teknologjike në teknologjinë dixhitale? 

Në fakt, përpos tregut që të con vet tek kjo fushë, që nga studimet një nga dashuritë e mia ishte Ekonometria, pra fusha e matjeve ekonomike që e vazhdova dhe në master. Pavarësisht se kishim politika ekonomike europiane, kishim një fokus në matje ekonomike. Gjithashtu, duke qënë se unë kam menaxhuar për 8 vite një program startup-esh,  nga Startup Live Global, ne ndërtonim një konkurs me të rinj nga Fakulteti Ekonomik dhe pastaj nga të gjithë universitetet e tjera, të cilët konkuronin me një ide. Unë u lidha shpejt me fushën e tekonologjisë dhe startup-et. Kështu që ky është kërcimi im nga background-i ekonomik, pra studimet, puna me projektet ekonomike dhe më pas lidhja me teknologjinë dhe dixhitalizimin. 

Ti përmende që ke patur një fokus në ekonometri, por jo vetëm kaq, kur ke studiuar ekonomiks në Universitetin e Tiranës në nivelin bachelor ti ke studiuar jo vetëm ekonometri, por edhe statistikë apo statistikë të aplikuar apo matematikë të aplikuar. Pastaj në studimet master ke studiuar po ekonometri, ekonometri të avancuar, programim. Domethënë ke patur atë lidhjen tënde me fushat e STEM. Na the edhe që kjo eksperienca jote 8-vjecare, duke drejtuar programin e startup-eve e ka forcuar këtë lidhje me dixhitalen. Po tani në këtë moment ku gjendesh, cilat janë ato elementë të cilat kanë vazhduar e kanë forcuar këtë lidhje me cdo gjë digital? 

Duke qënë që unë drejtoj një departament shumë interesant në Bashkinë e Tiranës, që quhet Departamenti i Inovacionit, ne ndërtojmë dhe fuqizojmë ekosistemin e qytetit, duke i dhënë spunto cdo të riu që të angazhohet në të. Gjithashtu duke mundësuar një panoramë gjenerale të cdo gjëje që ka të bëj me startup-et, kryesisht në fushën tekonologjike pasi 85% e tyre janë në fakt në fushën tech. Kjo është lidhja më e madhe midis teknologjisë dhe dixhitalizimit në punën që unë konkretisht bëj. Ne mundohemi që jo vetëm të ndihmojmë dhe të promovojmë ekosistemin e inovacionit dhe dixhitalizimit në Shqipëri, por gjithashtu kemi dhe disa nisma aktuale që janë për të drejtat dixhitale. Shpesh duam ide nga të rinjtë që ato të kthehen në përmirësimin e shërbimeve publike. Prandaj duam të ndihmojmë të rinjtë se si të bëhen ata aktorë që të përmirësojnë shërbimet publike nëpërmjet dixhitalizimeve të shërbimeve në kryeqytet.   

Përpara se të kalojmë te puna jote aktuale, vlen të përmendet eksperienca jote në projektet ndërkombëtare të lidhura jo vetëm me zhvillimin rajonal, por edhe mbështetjen e bizneseve, për gratë, diasporën. Bazuar në gjithë këtë eksperiencë që edhe pse ti je shumë e re, është shumë e gjerë, si e sheh ti të ardhmen e dixhitalizimit? Si ndikon ai në zhvillimin e shoqërisë? 

Mendoj që kapërcimi kryesor po bëhet nga bizneset. Në fakt, bizneset sot, sipas raporteve të fundit, kanë shprehur dëshirën që do investojnë në transformimet dixhitale në kompaninë e tyre. Kjo besoj është shumë me rëndësi në ekonominë e vendit, sepse nëse më përpara bizneset ishin mësuar me faktin që do punësonin një IT për stafet e tyre, tashmë ata duan të investojnë në transformime dixhitale, pra në shërbimet që ata ofrojnë që të bëhen totalisht dixhitale. Për shembull, bizneset sot kanë vetëm një person nga stafi që i thonë “Të lutem, merru pak me rrjetet sociale”, pra nuk merren me një marketer dixhital sic duhet të jetë, për të përmirësuar procesin e dixhitalizimit. Kjo prapë është një gjë që duhet të jetë në rritje. Nëse shoh një ndryshim thelbësor është tek bizneset. Sektori më i dixhitalizuar momentalisht është sektori financiar. Besoj të gjithë e kemi më të prekshme në fakt, mënyra si bëjmë pagesat, kartat e bankave. Ai më pak i dixhitalizuar është agrobiznesi. Unë edhe kam punuar disi me planet e biznesit në sektorin e konsulencës. Kjo sepse nuk kanë aftësi punëtore, por nuk kanë edhe kapital financiar. Kështu që besoj se këto vijnë paralelisht. Mendoj që po bëhet një punë shumë e mirë, por nëse mund të them se si e shoh të ardhmen e dixhitalizimit në Shqipëri është ndryshimi nga bizneset. Ndryshimi nga bizneset më pas sjell një ndryshim zinxhir te tregu dhe te fuqia punëtore parimisht. Unë vet kam një vëlla më të vogël dhe i unë sot e këshillojs të lutem merru me shkencat, merru me STEM, sepse vet tregu të kërkon që të rinjtë të ndryshojnë jo pasionet ose pëlqimet, por qasjet. 

Mbetemi tek të rinjtë. Tirana këtë vit është kryeqyteti europian i rinisë. Ka pasur një numër shumë të madh të rinjsh nga e gjithe Europa dhe Tirana po synon që të bëhet nje Hub për startup-et, për inovacionin, për tekonologjinë. Ka iniciativa si Tumo Center dhe rikonstruksioni i ish-piramidës që do të bëhet një qendër kombëtare për teknologjinë. Cilat janë opsionet që sjell kjo Tiranë për të rinjtë edhe për të rejat që duan të studiojnë STEM? Ti e permende që do të ketë zhvillim të biznesit, dixhitalizim të biznesit, zhvillimi i tij në fushën dixhitale do të sjellë mundësi për të rinjtë. Cilat janë mundësitë që këta të rinj mund të kenë dhe vecanërisht vajzat e reja që duan të futen në këtë fushë? 

Përmenda pak më parë mënyrën sesi ne duam që të japim një panoramë të qartë të ekosistemit të kush bën cfarë në kryeqytet. Kjo tregon që jo vetëm këto hub-et që ju i përmendët si TUMO apo Piramida, por ka edhe shumë pika në Tiranë jo vetëm të mundësuara nga Bashkia, por edhe të mbështetura ndoshta që janë për të rinjtë, ku ata mund të ulen, të kenë hapësirën e tyre e të punojnë mbi idetë e tyre sipërmarrëse. Këtu e shoh potencialin më të madh për të rinjtë. Ka shumë të rinj që vijnë trokasin tek ne dhe thonë kemi një ide, ama nuk është se mjafton vetëm ideja. Të gjitha këto mundësitë që ofron Tirana janë që nga idea e biznesit ti të kalosh në një produkt normal të qëndrueshëm. Në të gjithë këtë proces, duke njohur se kush është ekosistemi, duke facilituar dhe ne nëpërmjet orientimit se ku të shkoni me ekipin tuaj, me idenë tuaj, do të kemi sipërmarrësit e së ardhmes sic e përmenda më parë, që ne duam të kemi shërbimet publike më të përmirësuara, më të dixhitalizuara ata nesër pasnesër. Gjithashtu unë mendoj se Tirana ofron mundësi të pafundme për nomadët dixhital, pasi Tirana ka një kosto të ulët për të jetuar, ka një popullsi shumë gjuhëshe, popullsi të re. Pra, një nomad dixhital mund ta gjejë veten shumë këndshëm në atmosferën që ka Tirana dhe në anën festive dhe në anën jetësore. 

Cfarë do të thotë nomad dixhital për dëgjuesit që ndoshta nuk e kanë hasur? 

Nomad dixhital është personi i cili merr laptopin me vete dhe punon nga cilido cep i botës dhe quhet nomad sepse endet, pra nuk ka asnjëherë një vend fiks dhe dixhital, sepse punon nga shtëpia i themi ne. Gjithashtu ka edhe shumë të rinj dhe të reja, që unë vet i njoh që punojnë nga shtëpia për kompani të huaja. Mendoj që vetëm pranimi i gjithë këtyre forcave punëtore, bashkëveprimi mes tyre për të rritur edhe standartin është mënyra se si mund të shkohet përpara. Unë kurrë nuk kam qënë pro thirrjes “Mos ikni nga Shqipëria” ose “Ikni nga Shqipëria”. Unë mendoj që Tirana është për një vend nga ku i cili ti mund të punosh për jashtë, ku ti mund të ndërtosh idenë tënde, ku ti mund të gjesh hapësirat që mund të të ndihmojnë të jesh dikush nesër pasnëser, për të punuar në fushën e sipërmarrjes, në fushën e dixhitalizimit, në fushën e inovacionit. Ama secili është i lirë të jetë nomad dixhital, sepse përderisa i presim edhe i nisim. 

Një nga gjërat shumë interesante që ka bërë Bashkia Tiranës, dhë nëse sgabohem ti ke qënë drejtuese e kësaj iniciative, ka qënë biblioteka. A mund të na tregosh pak më shumë për to? 

Po, janë katër biblioteka të shtrira në qytetin e Tiranës, është tamam si projekti im bebe. Bibliotekat janë projekt shumë interesant, i cili kthen hapësirat funksionale patjetër ekzistonin më parë, pasi ka disa biblioteka publike të qytetit të Tiranës,në struktura dixhitale. Pra, bibliotekat quhet Bibliotech, pasi tashmë janë të pajisura me kompjutera, janë vende ku të rinjtë mund të shkojnë dhe të punojnë, të gjejnë hapësirën që dhe të provojnë disa pajisje teknologjike si harduerin Raspberry Pi, që ata mund të provojnë dhe aftësinë e tyre të kodimit. Gjithashtu në kompjutera ka gjuhë programimi falas, për të rinjtë që shkojnë, aty mund të mësojnë të kodojnë lehtazi sepse është e lirë të shkosh e ti gjesh. Janë katër biblioteka: “Musine Kokalari”, “Aleksandër Moisiu”, “Hamit Beqja” dhe “Misto Treska”. Në këto biblioteka edhe stafi administrativ ndihmon që këto të rinj të gjenë vendet në këto hub-et e vogla, gjithashtu vazhdojnë të jenë dhe qëndra leximi. Tani nuk jam pjesë në qytetet e tjera, por është shtrire dhe në Korcë dhe në Shkodër, kështu që është nismë shumë e mirë që nga një pilotim në Tiranë tashmë po shtrihet dhe në qytetet e tjera. 

Shumë interesante dhe shumë zgjidhje e mirë do të thoja. Më herët ti përmende të drejtat dixhitale,që janë të drejtat e njeriut në hapësirat dixhitale dhe Bashkia e Tiranës nëpërmjet departamentit që ti po drejton po mundohet që të coj përpara cështjen e të drejtave dixhitale në Tiranë. Mund të na thuash cfarë planesh keni në këtë kuadër dhe sa mund të ceken këto zhvillime nga të gjithë qytetarët e Bashkisë Tiranë? 

Ne në fakt u nisëm nga një nevojë globale, jo vetëm për të ndërgjegjësuar mbi të drejtat dixhitale, po edhe për të qetësuar pak njerëzit në një epokë ku mbi të dhënat tona është abuzuar kaq shumë ose dhe kemi parë shumë filma që jemi frikësuar nga ajo cka ka ndodhur. Të punosh me të drejtat dixhitale dhe të ndërgjegjesosh qytetarët se si mund të jenë të sigurtë në momentin që aksesojnë internetin në pika publike të kryeqytetit është shumë e rëndësishme. Ne punojmë me Koalicionin e Qytetit për të drejtat dixhitale, sepse jemi një nga 50 bashkitë pjesë e koalicionit. Ky koalicion ka për qëllim që të gjitha bashkitë të ndërgjegjësohen mbi agjendën e të drejtave dixhitale, prandaj ne duam të ndërtojmë një agjendë të re. Ne gjithashtu duam që të gjitha pikat publike të kryeqytetit të jenë të sigurta. Ne tashmë i kemi, por edhe të ndërgjegjësojmë qytetarët mbi këtë gjë. Por edhe një prioritet tjetër i yni, që është thelb i projektit që kemi nisur me koalicionin dhe me UN Habitat, është rritja e kapaciteteve tona të brendshme. Unë besoj se nëqoftëse ne rrisim kapacitetet tona, mund të shërbejmë edhe më mirë për publikun dhe patjetër mund të ndërgjegjesojmë edhe më mirë qytetarët, sepse ajo vjen zinxhir. Agjenda e të drejtave dixhitale pastaj është produkti shtesë, sepse shpresojmë të vijme me një agjendë në 2023, sepse duam që qytetarët të kuptojnë që dhe ne rrisim kapacitetet nga brenda por nga ana tjetër rritet ndërgjegjësimi dhe për ta, sepse ata duhet të dijnë ku të aksesojnë, si të aksesojnë dhe cfarë bëhet me të dhënat e tyrë. Ka një protokoll që është protokoll lokal, patjetër dhe ndërkombëtar dhe kombëtar, për të kuptuar nga ana e tyre se si të qasen. 

Bashkia e Tiranës, nëse nuk gabohem, ka qënë një nga 5 bashkitë e para në Evropë që ka qënë pjesë e nismës së parë, nëse nuk gabohem orientohej nga Demsoc për të drejtat dixhitale. 

Po, sëbashku me Amsterdam, Sofje, Bruksel dhe Milano.

Është për tu përgëzuar nisma e Bashkisë së Tiranës, duke qënë se edhe të dhënat tona personale që kanë dal në Shqipëri kanë qënë në masë, por mbi të gjitha duke konsideruar që dhe bashkitë vet kanë informacione pafund për qytetarët dhe është shumë gjë e mirë që stafi po ndërgjegjësohet dhe po rriten kapacitetet teknike, sepse janë zhvillime të vrullshme dhe të reja. Edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve është shumë i rëndësishëm. 

Ne po shkojmë drejt “Internet of things”pra krijimi i zinxhirit të madh të lidhjes së internetit, kështu që ne duhet të jemi pjesë e ‘internet of things’ të paktën nga ana e kapaciteteve njerëzore.

Folëm për punën, për karrierën, për iniciativat që ti ke krijuar dhe drejtuar, por këto janë pasionet e tua brenda atij kuadrit zyrtar të Faolës. Po jashtë këtij kuadri cilat janë pasionet e tua? Cfarë bën ti në kohën e lirë, hobit e tua? 

Në këtë moment, duke qënë se jam një nënë e re dhe kam një djalë shumë të vogël, për kohën e lirë mezi mendoj. Faktikisht pasionet e mia kanë qënë të lidhura me sportin kryesisht, jam marr me tenis që në moshen 12-vjecare. Gjithashtu dashuroj notin, kështuqë gjithmonë kam qënë e lidhur me sportin. Dicka që më ka shoqëruar gjithmonë, edhe në maternitet, ka qënë libri. Më pëlqen të lexoj dhe letërsinë shqiptare se kemi autorë shumë të mirë, edhe shoqrisë ju them lexoni ju lutem Tufën, Kongolin, mos shkoni vetëm te autorët e huaj. Këto janë pasionet e mia. Udhëtimi është kur ke mundësinë të udhëtosh, sepse më shumë kemi udhëtuar për punë.

Faola një pyetje të fundit për ty. Si e sheh ti të ardhmen? Do vazhdoj të jetë tërheqëse administrate dhe deri në cfarë momenti? Cilat janë planet e tua në atë sirtarin e dëshirave profesionale? 

Për mua aktualisht është tërheqëse administrata, ndoshta kjo falë edhe drejtuesit, sepse unë jam Faola që kam qënë edhe përpara se të hyja në administratë dhe sot jam njësoj, me energji, me projekte që mund të propozojë dhe askush nuk ma ka ndalur hovin. Kam parë një administratë që nuk prisja ta shihja faktikisht, sepse nuk mendoja që mund të ishte tërheqëse për mua administrata, duke qënë se jam marrë me projekte ndërkombëtare e kam qënë shumë energjike. Në fakt administrata është një pikë e rëndësishme për të kuptuar mënyrën se si funksionon vendi, si funksionojnë insitucionet dhe gjithashtu të jep një shtysë për të ndryshuar nga vetja sepse ne shërbejmë për qytetarët. Kjo më lidh shumë më politikat publike, kështu që do doja që pas disa vitesh unë prapë të isha në shërbim të vendit duke prodhuar politika publike, pra në politikë bërje. Për këtë duhet punuar shumë dhe besoj se duke qënë se kam qënë tip ‘nerd’, se e kam dashur shumë shkollën, do t’i kthehem edhe një herë shkollës për pjesën e politikave publike dhe administrative. Besoj që do jem prapë vërdallë në fushën e politikave publike, në fushën e inovacionit, dixhitalizimit, sipërmarrjes. Kjo është dëshira ime kryesore. Tani jam një mama kështu që dhe pjesa e familjes është shumë e rëndësishme, po nëse e shoh veten diku e shoh në politikë bërje.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x