21.5 C
Tirana
01 / 05 / 2025

Gjeopolitika e re globale – Në ç‘drejtim po ndryshon bota dhe ndikimi mbi Ballkanin Perëndimor

Nga Amb. Zef Mazi

Jam i ndërgjegjshëm sesa detyrë e madhe është të përpiqesh të analizosh gjeopolitikën e re, në mënyrë të vecantë, nëse ajo e ka humbur rëndësinë e saj, apo ka marrë dimension rë ri në kontekstin e konfrontimit modern. Për t’a vendosur në kontekst fjalën time, po kufizohem me një pasqyrim të shkurtër si i shoh unë lëvizjet në periudhën e turbullt të pasigurisë dhe nën hijet e tensioneve gjeopolitike në rritje.

Idea e “Shteteve të Bashkuara të Evropës” u hodh dhe u promovua nga Viktor Hygo hë Kongresin Ndërkombëtar i Paqes në Paris në vitin 1849. Viktor Hygo ishte President i atij Kongresi. Ai pat thënë se do vijë një ditë kur të dy brigjet e Atlantikut do i japin dorën njëri-tjetrit.

Sfidat globale mund të rreshtohen njera pas tjetrës në një listë të hapur. Ato duket se veprojnë si ai rrypi transmetues që të con tek ndryshimet e rëndësishme strukturore që vazhdojnë në pejsazhin globsal politik, ekponomik dhe të sigurisë, si dhe në dinamikat e forcave globale. Pa-aftësia për të gjetur zgjidhje i ka tensionuar edhe më tej përpjekjet tashmë të pasuksesëshme për bashkëpunim. Është e dukshme kriza gjithëpërfshirëse e besimit. Është brejtur besimi tek institucionet ndërkombëtare.

Fuqitë e mëdha ndjekin politka që janë në linjë me interesat e tyre dhe që kanë rrënjë të thella në gjeografi, histori, demografi dhe ekonomi. Spostimi i orientimit sot drejt rajonit të Indo-Paqësorit pasqyron daljen dhe rritjen e atij rajoni si forccë e rëndësishme demografike, ekonomike dhe politike, si dhe rëndësinë e rajonit për tregëtinë, transportin, energjinë, lëndët e para, lëvizjen e mallrave, në shkallë globale. Ky riorientim bart me vete implikime të mëdha për Europën dhe për Ballkanin Perëndinmor

Administrata e Trampit

Rikthini i Trampit në Shtëpinë e Bardhë ka sjellur ndryshime të dukshme në një numër drejtimesh në politikën e jashtme të SHBA. Ajo po fokusohet më shumë tek rritja social-ekonomike e SHBA, tek siguria kombëtare e SHBA, tek dy kontinentet amerikane, tek Lindja e Mesme dhe rajoni i Indo-Paqësorit.

SHBA nuk është më lideri i padyshueshëm, ose hegjemon, global që u bë pas mbarimit të Luftës të Ftohtë. Sipas ekonomistëve më të famshëm në botë, për këtë kanë kontribuar një numër faktorësh – tejshtrirja politike, financiare dhe ushtarake, e ciftuar me rënie të ndjeshme të produktivitetit industrial. Kjo është fryrë edhe më shumë nga disbalanca e vazhdueshme kronike në marrëdhëniet tregëtare SHBA-Kinë ku importet e SHBA me Kinën janë më të lartë se eksportet.

Ndërsa epoka hegjemone unilaterale, është pranuar se ka mbaruar, disa objektiva strategjike për të ruajtur vendin primar përfshijnë përmbajtjen (kufizimin) e Kinës, që duket se është e pamundur, parandalimin e një aleance permanente strategjike Kinë-Rusi, që nuk është e mundur tanimë, përdorimi i Indisë dhe i Japonisë për të kundërbalancuar ndikimin e Kinës në Azi, që është vështirë të besosh se mund të ndodhë, dhe Tajvani – për cka “politika amerikane e një Kine” nuk perputhet me marrëdhëniet dhe objektivat ushtarake dhe të sigurisë që ajo ka në lidhje me Tajvanin!

Janë pika të dobëta ekonomike, sfida të gjëra strategjike dhe pakësimi i mundësisë për të ndikuar në drejtim të Kinës dhe aktorëve të tjerë globalë në rritje, si India, Rusia dhe, deri diku, edhe BE. Ndër to, India duket e vendosur të rritet si aktor i rëndësishëm global falë potencialit të madh njerëzor, strategjik, gjeografik dhe rritjes ekonomike.

Kina është rritur në mënyrë fantastike si fuqi e jashtëzakonëshme globale në krejt rrafshet – ekonomike, politike, teknologjike dhe ushtarake. Ajo ka riformëzuar thellësisht marrëdhëniet ndërkombëtare. Kina është fuqia e dytë më e madhë në botë, me Barazi të Fuqisë Blerëse (PPP) në masën 37 trilion, me ambicje strategjike për vend primar botëror dhe, ndryshe nga fuqitë e tjera të mëdha, më krediilitet dhe ndikim në rritje.

Kina ka pozitë dominuese primare në Afrikë, gjithashtu edhe në pjesë të mëdha të Azisë dhe Amerikës Latine. Strategjia e saj globale është përqëndruar tek Inisiativa e Rrypit dhe e Rrugës (BRI). Ky është projekti më ambicioz në infrastructure dhe investime që është ndërmarrë ndonjëherë dhe që është projektuar për të rritur konektivitetin, për t’i dhënë shtysë të madhe ndikimit ekonomik, për të betonuar lidershipin global gjeopolitik dhe kapacitetin e Kinës për t’i rezistuar dhe për të përballuar presionet nga jashtë.

Me BE-në SHBA ka probleme jo të vogla politike dhe ekponomike. Nuk është situatë e kënqëshme për BE. Kjo e fundit, duke plotësuar kërkesat e adminstratës të mëpatrëshme amerikane, bëri sakrifica shumë të mëdha duke i “ qëlluar” vetes të saj politikisht, eknomikisht dhe ushtarakisht. Pasiguritë gjeopolitkike nga ndryshimi i politikës të SHBA nën Presidnetin Tramp bëjnë thirrje të navigohet kujdesshëm dhe me efektivitet. Interesat strategjike kërkojnë hapa të kalibruar që i takon BE t’i përcaktojë cilët janë dhe t’i ndërmarrë.

Me nivelin ekonomik dhe industrial që ka, me kapitalin e lartë dhe shumë të zhvilluar njerëzor që ka, me nivelin e lartë të jetesës Europa ka potencial jashtëzakonisht të madh për t’u radhitur ndër fuqitë më të mëdha globale. Si dhe sa do jetë në gjendje Unioni të përdorë ato cka ka, do varet fort tek pa-aftësia e Europës për të formuluar, për të mbërthyer mirë dhe për të ekzekutuar politika kohezive të jashtme, të mbrojtjes dhe të sigurisë. Ndikimi gjeopolitik i Europës është më pak i ndjeshëm dhe më pak i efektshëm i krahasuar me atë të disa fuqive rajonale substancialisht më të vogla.

Struktura informale të lidershipit global, si G7 dhe G20, kanë dështuar të evoluojnë si instrumente robust koordinimi. Ndërmjet anëtarëve të tyre duket se ka një lloj disorganizmi, pabarazie për sa i përket niveleve  të zhvillimit, prioriteteve strategjike dhe interesave të tyre ekonomike.

BRICS dhe BRICS+ kanë fituar ndikim përmbajtësor politik. BRICS+ përfaqëspon afërsisht gjysmën e popullsisë të botës, një të tretën e PBB botërore, afërsisht gjysmën e prodhimit botëror të naftës. Kjo qëndron në themelet e rëndësisë të konsiderueshme gjeopoltike dhe ekonomike. Objektivi i përcaktuar strategjik i tij është të riformatojë strukturat e lidershipit global dhe të promovojë tregëtinë në monedha lokale.

Për të nxitur zhvillimin ekonomik në krejt Jugun e Globit, BRICS po përdor Bankën e Investimeve Insfrastrukturore Aziatike me qendër në Pekin. Ai ka pranuar në radhët e saj një pjesë të rëndësishme të botës islamike; 44 shtete të tjerë, përfshirë Turqinë, kanë shprehur interes për t’u anëtarësuar në BRICS. BRICS po ecën drejt një vizioni global gjeostrategjik – të sigurojë kontroll të konsiderueshëm mbi rrugët detare që lidhin Atlantikun me Oqeanet Indian dhe Paqësor. Megjithë ndonjë problem të brendshëm, BRICS+ përbën një sfidë shumë të rëndësishme ndaj rendit të vendosur ndërkombëtar nën drejtimin e Perëndimit. BRICS nuk duhet injoruar, as nënvleftësuar.

Demonstrmi i forcës ushtarake dhe ekonomike si dhe nënvleftësimi, injorimi i institucioneve ndërkombëtare dhe i normave të përcaktuara, nuk mund të shkojë shumë larg. Institucione të mëdha globale si OKB, OBT, OBSH, etj., nuk janë në gjendje të luajnë rolin e tyre për shkak të deficitit të bashkëpunimit dhe tërheqjes prej tyre të lojtarëve kyc.

Ka mjaft mundësi për rivendosjen e marrëdhënieve normale diplomatike midis SHBA dhe Federata Ruse, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, për të rinovuar mekanizmat e kontrollit të armëvë dhe për të arritur një marrëveshje kuadër gjithëpërfshirëse për paqen dhe sigurinë në një arkitekturë të rinovuar dhe të balancuar.

Ndërsa SHBA dhe Rusia takohen për të diskutuar për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, Europa vazhdon, pandryshuar që në vitin 2022, t’i bjerë daulles të zgjatimit të konfliktit. Paradoksalisht, ajo kërkon të jetë pjesë e tryezës për paqe, që dyshoj thellësisht se ka këtë qëllim, prandaj sa më larg tryezës të mbahet aq më mire!  Lufta vazhdon, Ukraina po paguan, në një luftë për të tjerë, cmimin e tmerrshëm, kolosal njerëzor, social, material, infrastrukturor dhe ekonomik. Ajo luftë duhej pushuar dje! Paqa nuk sigurohet duke dërguar armë dhe para, as duke bërë plane lulfte. Linja e liuftës ishte e gabuar në kohë të gabuar. BE-ia mendon se është NATO, ndërsa NATO flet sikur të jetë BE. Po shohim një skenar të nxjerrë nga libri i famshëm i Oruellit “1984”.

Sanksionet kundër Rusisë janë ndoshta e vetmja cështje mbi të cilën BE shfaq një lloj uniteti ndërsa kuptohet se ai unitet ndërtohet rreth urrejtjes. Uniteti i imponuar nuk është unitet! Ndërsa sanksionet kanë dështuar të arrijnë objektivin përse u vunë, ato nuk kanë dështuar të sfilisin ekonominë evropiane. Ideologjia, fanatizmi, mungesa e strategjisë dhe e largpamjes, nuk mund të ofrojnë zgjidhje. Është dëmtuar besimi dhe ka humbur sensi i orientimit. BE-ia e ka ulur veten tek trajtimi i cështjeve sekondare. Europa mund të bëhet përsëri relevante nëse heq dorë nga disa pozita të caktuara të dështuara, ndërkohë që prioritetet e SHBA po largohen prej saj.

SHBA ka qenë dikur shtrati, themeli për ekonomitë e tregut të lirë, të tregëtisë shumëpalëshe dhe e sistemit financiar të bazuar te dollari dhe që operonte mbi bazën e rregulave dhe normave të qarta. Vendet fituan mbi bazën “edhe une edhe ti fiton”, ato arritën të kishin stablitet dhe begati të paprecedentë. Ky system po abandonohet. Riformatimi i tregëtisë botërore, përqasja e re ndaj tarifave (që në fakt janë taksa), me impakt shumë negativ, është hedhje poshtë e sistemit të OBT, ndërkohë që bota ka sy dhe sheh pozime si ato të “gardianëve të ndershmërisë”. Bota është shumë pranë një lufte të plotë në rritje globale tregëtare. Historia na mëson se ku e kanë cuar botën luftëra të tilla, sic kanë demonstruar vitet 1930, kur lufta tregëtare përshkallëzoi në konflikt të armatosur që coi në Luftën e II Botërore.

Ndryshimi sizmik në rendin botëror, cka nuk është parë në këto 80 vitet e fundit, ngren domosdoshmërinë që të thirret të ridalë në skenë dhe të ripërdoret diplomacia, të kuptohet dhe të zbatohet diplomacia thelbësisht tredicionale. Është bërë urgjente që të dëgjosh, të shtrëngosh duart, të ulesh, të bisedosh, të jesh xhentil dhe jo arrogant, të negociosh dhe të ndjekësh një linjë që nuk ështa as ideologji politike dhe as fobi emocionale. Është mjaft e rëndësishme të evitohet që të mbetesh peng i politikës të vetvetes, sic duket se është rasti sot. Fatkeqësisht, diplomacia vazhdon të mos respektohet dhe të injorohet.

Shkurtimisht, SHBA ka ndjekur aleancë tradicionale me Izraelin edhe pse nuk ka një marrëveshje formale të sigurisë apo ushtarake me të. Ajo që përjetohet sot shkon përtej kësaj aleance. SHBA është angazhuar vecanërisht më thellë kohët e fiundit. Nuk mund të kuptohet se cila palë përdor palën tjetër për hegjemoni në Lindjen e Mesme.

Shtetet e Gjirit kanë influencë të madhe për arsye të burimeve të mëdha natyrore që kanë. Normalizimi i marrëdhënieve arabo-izraelite përmes Marrëveshjes Abraham ka ngecur në vend. Politika e Izraelit ndaj popullti palestinez, Sirisë, Libanit, Jemenit, Iranit nuk duket se përputhet me interesat e Egjyptit dhe të Turqisë, në vecanti, as me ato të SHBA në këtë drejtim. Situata e brëndëshme në Siri nuk është e mirë; ka disa kohë që qarkullon idea e pjestimit tësaj, pasi aty janë përfshrië disa interesa kundër njera-tjetrës. Po të njihet historia, kupton që nuk del llogaria.

Propozimet e SHBA për Lindjen e Mesme, së bashku me ato të grupimeve arabe ose shteteve të vecantë, duket se mbetën në vend para se të fillonin. Ato duken se janë më shumë përpjekje për të shëruar pasojat e politikës të stërzgjatur tej fuqisë.

Në këtë lëmsh jashtëzakonisht të rrezikshëm dhe të ngatërriuar keq, bëhet fjalë dhe, eventualisht, edhe disa përgatitje të caktuara, për sulm kundër Iranit. Ka dekada që një vend është fiksuar te objektivi i tërheqjes të SHBA për të sulmuar Iranin. Një luftë me Iranin do ishte katastrofale për krejt botën. Ajo do shkaktonte hubje te jashtëzakonëshme njerëzore, do minonte dhe do paralizonte furnizimin global të energjisë, pasi 23 përqind e furnizimit global të energjisë e ka origjinën nga shtetet e Gjiut. Do mbylleshin Ngushtica e Hormuzit, Gjiri i Omanit dhe Ngushtica Bad al-Mandab, do bombardoheshin rafineritë e naftës dhe të gazit, porte dhe baza ushtarake. Vetëm Kina importon 30 përqind të nevojave të saj për energji nga Irani. Ajo ka interesa jashtëzakonisht të mëdha strategjike te stabiliteti i Iranit. Vetëm mund të shpresohet se gjërat nuk do lejohen të shkojnë deri në atë pikë.

Ndikimi në Ballkanin Perëndimor 

Integrimi i Ballkanit Perëndimor është bërë nocion gjithnjë e më abstrakt. Komisioni i Ursula von der Lajen ka lëshuar disa balona retorike që duken më shumë si skenari i vjetër që u përdor nga Komisioni i mëparshëm. Ndoshta nuk mund të pritet më shumë!

Ballkanit Perëndimor herë-herë i referohen sikur të ishte shtet anëtar i BE! Ndërkohë, një vello e thurur më “fjalë të bukura, të ngrohta” nuk mungon në vizitat që bëjnë komisionerët e hareshëm në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor. Duke vepruar kështu, BE e mban Ballkanin Perëndimor “ngrohtë, por tek dera”, në “distancë sigurie”. Ajo është e interesuar vetëm të sigurojë që këto vende të jenë në linjë me politikat e jashtme dhe të sigurisë që nuk egzistojnë. Ajo që egziston janë vetëm konkluzione me emëruesin më të vogël të përbashkët nga njera mbedhje tek tjetra.

BE nuk ndjek një komponent të përgjegjshëm politik, ekonomik dhe social në drejtim të Ballkanit Perëndimor. Ballkanit Perënbdimor nuk i thuhet e vërteta. Ajo mund të gjendet, por duhet punuar fort për t‘a gjetur. BE duket se gradualisht po largohet nga Ballkani, pavarësisht nga retorika e bukur, nga alokimi i disa parave dhe nga përkëdhelja e egos të naivitetit ballkanik. Mjafton të dihet shuma totale e caktuar për gjashtë vende për 4 vjet dhe kuptohet, shifrat flasin vetë.

Është e dukshme e cara midis SHBA dhe BE. Në realitetet e reja, administrata e Trampit pritet që të artikulojë një linjë të qarta politike në lidhje me Ballkanin Perëndimor. Në muajt në vijim shpresohet të mësohet më shumë. Por edhe ajo do duhet të vendoset në kontekstin e marrëdhënieve dhe të interesave më të gjera gjeostrategjike midis SHBA dhe BE. Mund të pritet që marrëdhëniet politike të SHBA me BE do kenë gjithashtu një komponent për Ballkanin Perëndimor. Mbështetja për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE ka qenë konstante e politikës të SHBA. Nëse do vazhdojë të jetë kështu, vetëm mund të hamendohet.

Përqasja e nxituar dhe entuziaste e Këshillit Evropian dhe e Komisionit Evropian për  projektin Ukrainë, në linjë totalisht të plotë me administratën e kaluar amerikane, ka pasur impakt madhor ndaj Ballkanit Perëndimor. Aq sa mund të karakterizohet se “Ukraina e ka marrë peng Ballkanin Perëndimor”. Ballkani Perëndimor ka zbritur edhe më poshtë në listën e prioriteteve të Presidencës të Këshillit. Ministri i jashtëm polak ka shkruar: “… integrimi i Ukrainës dhe Moldavisë është prioritet…, si edhe Ballkani Perëndimor…” . Ky formulim flet shumë, ai kërkon definitivisht që të ndërrohen vendet e prioriteteve në fjali, nëse BE është realisht serioze për këtë: “…përkrahje prioritare për integrimin e Ballkanit Perëndimor, si dhe për Ukrainën dhe Moldavinë… kur të plotësohen kushtet dhe të lejojnë rrethanat…”. BE ende nuk e ka bërë këtë spostim vendesh ne listën e prioriteteve. Ajo mund të mos e bëjë, nëse do vazhdojë të mbajë linjën aktuale. Mjafton të njihet se cfarë thanë disa ministra në mbledhjen e fundit të Këshillit të Cështjeve të Përgjithëshme të BE për të kuptuar se c’po them është e saktë!

BE “harron” se Ballkani Perëndimor e ka filluar rrugën e integrimit mbi 25 vjet më parë. (Shqipëria i pat bërë kërkesën e saj të parë për të filluar procesin e ipërafrimit me BE Sër Leon Brittan, ish-Zëvëndës President i Komisionit, kur ai pat vizituar Shqipërinë në nëntor 1993.) Ballkani Perëndimor ka bërë progres duke plotësuar detyrimet në përputhje të plotë me dhe sipas afateve, kërkesave, rekomandimeve, konkluzioneve dhe direktivave të shkruara të BE-së. Rruga, detyrat dhe detyrimet, afatet dhe thellësia e ecurisë, përfshirë mekanizmat e verifikimit për të kaluar në një stad më të lartë,  janë përcaktuar qartë në to. Mbi të gjitha, rruga është përcaktuar mjaft qartë në Nenin 49 të Traktatit të BE. Ballkani Perëndimor ka ecur duke iu përmbajtur vetëm rregullave të shkruara të BE në përpjekjet e saj prej dekadash!

Nuk ka asnjë argument të arsyeshem dhe bindës, ose asnjë justifikim, për të kërkuar integrimin urgjent të Urkainës në BE, si thanë disa ministra të BE në mbledhjen e Këshillit që përmenda më lart. Nuk ka argumentim apo justifikim bindës për të mos ndjekur egzakt të njëjtat procesura, të njejtat hapa, të njejtat afate dhe për të mos plotësuar të njejtat detyra dhe obligime për Ukrainën që u janë kërkuar të ndiqte e të ndjekë Balkani Perëndimor, cka ai ka ndjekur, për të arritur objektivin. Argumenti që përdoret është “për të dhënë mesazhin e duhur” në rastin e Ukrainës! Si është e mundur që BE nuk e sheh se ai pozicionim i jep mesazh krejtesisht të gabuar Ballkanit Perëndimor! Vendi ynë, me progresin drejt BE, nuk mundet te vihet aspak në të njëjtin plan me Ukrainën.

Ndërmjet shteteve anetare të BE ka interesa diverguese, përfshirë në lidhje me Ballkanin Perëndimor. Me pozicionin e saj për Ukrainën, BE don t’i kompensojë Ukrainës moshyrjen në NATO, ndërkohë që shoh se po e përdor rastin Ukrainë për të zvarrisur dhe shtyrë ecurinë e mëtejshme të Ballkanit Perëndimor drejt BE, kur duhej te kishte qenë egzakt e kundërta. BE ecën duke kaluar tek shtyrja tjetër e përherëshme e radhës! Ajo bën sikur nuk e kupton që hapja e Grup-kapitujve nuk është e njejta gjë me mbylljen e një ose më shume kapitujsh të korpusit ligjor komunitar. Cilin kapitull ka mbyllur Shqipëria?

NIsur nga sa më lart, është disi e vështirë të jesh në gjendje të artikulosh qartë se cfarë mund të pritet nga dinamikat e reja të marrëdhënieve SHBA-BE dhe, për rrjedhojë, edhe ato të marrëdhënieve SHBA-BE-Ballkani Perëndimor. Ballkani Perëndimor do ecë duke ruajtur nivel të lartë realizmi ndaj BE ndërkohë që BE-ia vazhdon të heqë këmben zvarre në drejtim të Ballkanit Perëndimor. Kërkohet ndryshim, por a do ndodhë? Mbetet për t’u parë.

*Shkrimi u paraqit si fjalë kryesore në Sesionin 1 të “Mbledhjes Ndërkombëtare të Nivelit të Lartë të Miqve të Ballkanit Perëndimor” me temë, “GJEOPOLITIKA E RE DHE BALLKANI PERËNDIMOR”, që u mbajt në Ljubljaë, me 24-25 prill 2025.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x