15.5 C
Tirana
03 / 11 / 2025

Gazetaria përballet me krizën ekzistenciale: Kush do të paguajë për të?

Pa një model të ri të qëndrueshmërisë financiare, profesioni i gazetarisë, një gur themeli për demokracinë, rrezikon të zhduket.

Nga Maja Sever *

Gjatë më shumë se 30 viteve si gazetare, kam kaluar pothuajse gjithçka që ky profesion mund të ofrojë – nga raportimi i luftës dhe mbulimi politik, deri te drejtimi i lajmeve kryesore të mbrëmjes në televizionin publik.

Kam pasur suksese dhe vlerësime, por edhe censurë, presione, shkarkime dhe sulme. Më janë “prerë krahët” shumë herë, por nuk jam penduar kurrë që zgjodha këtë rrugë. Për mua, gazetaria ka qenë gjithmonë më shumë se një punë; është një mënyrë jetese, një mision dhe një përpjekje e vazhdueshme për interesin publik.

Sot, i shkruaj këto rreshta si presidente e Federatës Evropiane të Gazetarëve, e zhytur edhe më shumë në problemet me të cilat përballet gazetaria në Evropë dhe veçanërisht në rajonin tonë.

Presionet politike, sulmet dhe censura kanë qenë prej kohësh pjesë e profesionit tonë. Por kam frikë se tani po përballemi me një problem që guximi dhe vendosmëria mund të mos ta zgjidhin dot të vetme: me pyetjen se kush do të paguajë për gazetarinë?

Dikur, përgjigjja dukej e qartë: njerëzit blinin gazeta në kioska dhe me të ardhurat nga shitjet dhe reklamat, mediat kishin një strukturë financiare të qëndrueshme. Sot, reklamuesit janë zhdukur në platformat dixhitale globale, dhe vetëm një pjesë e vogël e publikut paguan abonime. Modelet e qëndrueshme të financimit nuk janë gjetur ende dhe gazetaria është futur në një krizë ekzistenciale.

Në praktikë, vetëm disa media arrijnë të mbijetojnë me abonime, ndërsa shumica e redaksive lokale dhe rajonale po e humbasin betejën, sepse publiku nuk është më i gatshëm të paguajë për diçka që interneti e ofron falas. Kompanitë e mëdha teknologjike kanë gllabëruar të gjithë “tortën” e reklamave, duke dobësuar themelet mbi të cilat dikur qëndronte gazetaria e pavarur.

Për këtë arsye, liria e shprehjes, lufta kundër censurës dhe kritika ndaj pushtetit politik nuk mund të ndahen nga çështja e qëndrueshmërisë financiare. Pa një zgjidhje për problemin e financimit, gazetaria kthehet në një profesion që po zhduket dalëngadalë – dhe bashkë me të, edhe e drejta e qytetarëve për t’u informuar apo e drejta e gazetarëve për të hulumtuar njerëzit në pushtet dhe për të kryer punën e tyre.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fjalimin e saj për gjendjen e Bashkimit Europian, njoftoi një program të ri “Për Qëndrueshmërinë e Medias”, duke theksuar rëndësinë e gazetarisë së pavarur, medias lokale dhe luftës kundër “shkretëtirave informative” nëpër Evropë.

Federata Europiane e Gazetarëve e mirëpret këtë nismë, por kujton se mbështetja duhet të përfshijë edhe të drejtat sociale të gazetarëve – sepse pa kushte të denja pune, nuk mund të ketë gazetari cilësore.

Njëkohësisht, duhet të shtrojmë pyetjen nëse programi i ri i financimit, i quajtur Agora EU, është mjaftueshëm i qartë dhe i sigurt për gazetarinë. Në letër, tingëllon premtues. Por problemi është se i përzien të gjitha bashkë – nga filmat dhe teatri, te podcast-et dhe gazetaria. Ekziston rreziku real që lajmet dhe gazetarët të humbasin mbështetjen e qartë që kanë pasur deri më tani.

Për këtë arsye, ne advokojmë për një linjë buxhetore të veçantë dhe të dedikuar për gazetarinë, për qasje më të lehtë në fonde për redaksitë lokale dhe gazetarët e pavarur dhe për financim të kushtëzuar me kontrata të ndershme dhe pavarësi redaksionale.

Me fjalë të tjera, gazetaria nuk duhet të shtyhet mënjanë apo të reduktohet në një formë tjetër të “përmbajtjes kulturore”. Gazetaria është gurthemeli i demokracisë.

Kapja e mediave, qartësisht e dukshme në Ballkan

Në pjesën tonë të Evropës, prej vitesh jemi dëshmitarë të modeleve të mirëndërtuara të kapjes së mediave. Elitat politike përdorin transmetuesit publikë për të promovuar pushtetin e tyre, ndërsa mediat kritike mbyten përmes presionit ekonomik dhe manovrave rregullatore.

Në Serbi, pas sulmeve të paprecedenta ndaj mediave të pavarura, një serie padish SLAPP si dhe vënies në shënjestër të mediave të vogla, presioni ka prekur tashmë edhe N1- një nga të vetmet media kryesore që ende përpiqet të informojë publikun vërtetësisht. Në të njëjtën kohë, mbyllja e Al Jazeera Balkans dhe tërheqja e mbështetjes amerikane për mediat rajonale, i ka dobësuar edhe më tej sistemet e brishta mediatike në këto vende.

E gjithë kjo na tregon sa lehtë mund të shembet e gjithë struktura e raportimit të pavarur, ndonjëherë vetëm nga vendimi i vetëm i dikujt në pushtet. Kjo na bën të pambrojtur dhe tregon sa e hollë është vija që ndan median e lirë nga ajo e kontrolluar.

Problemi nuk ka të bëjë vetëm me financat apo presionin. Siguria fizike dhe verbale e gazetarëve është vazhdimisht nën kërcënim. Sipas raportit më të fundit të Media Freedom Rapid Response, vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, janë regjistruar 709 sulme ndaj lirisë së medias në të gjithë Evropën. Këto përfshijnë kërcënime, frikësime, padi, ngacmime online dhe sulme fizike. Shifrat janë alarmante – dhe për fat të keq, Ballkani mbetet një nga pikat më të nxehta.

Dhuna ndaj gazetarëve nuk rrezikon vetëm individët; ajo dërgon një mesazh për të gjithë profesionin: më mirë të heshtësh sesa të flasësh. Dhe heshtja është armiku më i madh i një shoqërie të lirë.

Ndërkohë që rajoni ynë zhytet më thellë në probleme, lajmet nga Danimarka tregojnë se edhe demokracitë e qëndrueshme nuk janë të paprekshme. Shpallja nga qeveria daneze e një ombudsmani të medias të emëruar nga shteti ka ngritur shqetësime, sepse hap rrugën për ndikim politik në gazetari. Partnerët e MFRR reaguan menjëherë, duke paralajmëruar se edhe reformat me qëllime të mira nuk duhet të sjellin kufizime në lirinë e medias. Kjo na kujton se lufta është universale – nga Ballkani në Skandinavi.

Pavarësisht të gjithave, unë ende besoj në gazetari. Besoj te njerëzit që e kanë zgjedhur këtë profesion, duke e ditur se nuk është as i lehtë, as fitimprurës – por fisnik dhe jetik. Gazetarët janë ende këtu, të guximshëm, këmbëngulës dhe të bashkuar në solidaritet. Ne nuk do të trembemi, sepse e dimë që puna jonë është thelbësore për demokracinë dhe lirinë.

Për këtë arsye, në Ditën Botërore të Lajmeve, kur një fushatë globale na kujton rëndësinë e gazetarisë së bazuar në fakte, mund të dërgojmë vetëm një mesazh të thjeshtë: mos u shqetësoni – ne jemi ende këtu dhe nuk do të dorëzohemi.

Misioni ynë mbetet i njëjtë – të mbrojmë interesin publik, të themi të vërtetën dhe të luftojmë kundër atyre që do të preferonin që ne të heshtnim. Liria e medias mund të jetë në sulm të vazhdueshëm, por përsa kohë që njerëzit janë të gatshëm ta kërkojnë atë, ekziston shpresa që ne do ta mbrojmë.

*Maja Sever është gazetare dhe presidente e Federatës Europiane të Gazetarëve. 

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x