Presidenti aktual i Real Madridit, Florentino Perez, ka shpalosur një pjesë të planeve të tij sportive gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale të klubit, duke premtuar afrime të rëndësishme në rast se fiton një mandat të ri në krye të gjigantit spanjoll, diçka që në letër është e pritshme.
Në një intervistë të fundit, Perez deklaroi se mbrojtësi francez Ibrahima Konate është një nga objektivat kryesorë të merkatos dhe lë të kuptohet se e ka mvyllur transferimin e tij në “Santiago Bernabéu”.
“Mund t’ju siguroj se nëse mbetem president i Real Madridit, një nga mbrojtësit më të mirë në botë, Konaté, do të luajë për Real Madridin duke filluar nga sezoni i ardhshëm. Dhe ai nuk do të jetë i vetmi mbrojtës i nivelit të lartë që do të vijë,” deklaroi Pérez.
Kreu i klubit madrilen foli edhe për talentin e akademisë, Nico Paz, i cili zhvilloi një sezon mbresëlënës në Itali me Comon. Sipas Pérezit, Real Madridi ka ende mundësinë për ta rikthyer mesfushorin dhe vendimi përfundimtar do të merret në bashkëpunim me trajnerin dhe stafin teknik.
“Nico Paz është një nga lojtarët e shkëlqyer që ka dalë nga akademia jonë. Ai po ndiqet nga klube të mëdha evropiane dhe pati një sezon fantastik me Comon. Ne kemi mundësinë ta rikthejmë dhe do ta analizojmë situatën me trajnerin”, tha Perez.
Presidenti madrilen u ndal edhe te situata e Vinicius Junior, duke theksuar se dëshira e tij është që braziliani të vazhdojë të jetë pjesë e projektit afatgjatë të klubit. “Vinicius dëshiron të qëndrojë në Madrid dhe unë dua që ai të qëndrojë”, shtoi ai.
Një nga deklaratat më të bujshme të intervistës lidhej me trajnerin portugez José Mourinho. Vetëm pak orë pas intervistës, Pérez konfirmoi në rrjetet sociale se Mourinho është kandidati i tij i preferuar për drejtimin e ekipit.
Presidenti i Real Madridit vlerësoi ndikimin që portugezi pati gjatë periudhës së tij të parë në klub, duke e cilësuar si një figurë kyçe në rikthimin e mentalitetit fitues.
“Mourinho është një nga trajnerët më të mëdhenj në botë dhe ishte shumë i rëndësishëm për Real Madridin gjatë kohës së tij me ne. Ai ishte trajneri i atij titulli rekord në La Liga dhe solli një nivel të jashtëzakonshëm konkurrueshmërie në ekip. Kjo ishte thelbësore për sukseset që erdhën më pas”, shtoi Perez.
Në fund, Pérez dha një mesazh të qartë për tifozët madrilenë: “Mourinho dhe Konaté janë nënshkrimet e mia të para”.